Pas ngjarjeve të krijuara lidhur me luftën e nisur në Ukrainë që nga mëngjesi i së enjtes, nga Kosova është krijuar siguri më e madhe dhe vendosje e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.
Kështu, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka kërkuar nga vendet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë. Ai ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
“Bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të tij në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Botës, kërkojmë nga SHBA-ja dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO”, thotë ai.
Po ashtu lidhur me ngjarjet në Bërnjak, ku është vendosur baza policore, gjë që ka bërë që të reagojnë nga Serbia, ta theksojnë se e vetmja pikë ku lejohet prania e Policisë së Kosovës është në pikën administrative.
Ata janë ankuar edhe për prezencën e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
Duke parë këto reagime dhe situatat e krijuara pas luftës që ka nisur në Ukrainë, a duhet Kosova të bëjë një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë, për angazhim të menjëhershëm, dhe që të vendosë forca të saja në veri, si pjesë të KFOR-it? Vendosja e vetëm 30 ushtarëve të njësisë speciale, ishte vetëm një thyerje e tabusë së vendosur për Shqipërinë.
Ish kryeministri shqiptar, Sali Berisha, kishte deklaruar më parë se, si vend i NATO-s, Shqipëria duhet të veprojë dhe të kërkojë urgjent lejen e NATO-s për vendosje në Kosovë.
Tërnava: Është e kuptueshme që edhe mund të arrihet një marrëveshje ushtarake mes Kosovës dhe Shqipërisë
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për ‘Bota sot’ thotë se shqiptarët duhet të jemi të lidhur ndërmjet vete, ashtu siҫ e dëshmuam gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Hajrullah Tërnava
“Ne shqiptarët që jemi me dy shtete në të cilat jetojmë, dhe që nuk kemi dallime fare në rrënjët tona, është e kuptueshme që duhet të jemi të lidhur shumë mes veti, kjo është dëshmuar edhe gjatë luftës me Serbinë kur rreth 800 mijë banorë u dëbuan nga shteti serb për në Shqipëri, eksodin që e bëri Serbia duke e përdorur forcën dhe armatimin ushtarak ndaj popullit tonë, duke kryer edhe masakra, e në të kundërtën populli shqiptar ishte i pambrojtur dhe i paarmatosur”, thekson ai.
Ai thotë tutje se, edhe në ato kohëra në situatë të tillë çfarë ishte Shqipëria na i hapi dyert dhe popullata e përndjekur u stacionua aty deri në çlirimin e Kosovës, si dhe Ushtria e Kosovës si guerile që u organizua, të gjitha përgatitjet dhe stërvitjet për luftën i kanë bërë në ato territore të Shqipërisë.
“E njëjta gjë ndodhi kur para dy viteve tërmeti i ashpër që e goditi Shqipërinë, edhe populli i Kosovës bën ҫ’mos që t’i dalin në ndihmë popullit të Shqipërisë dhe iu ndihmuan me ҫfarë patën mundësi duke i marrë dhe duke i strehuar dhe vendosur nëpër shtëpitë e tyre në Kosovë. Pati edhe gjatë luftës luftëtarë nga Shqipëria të cilët iu bashkëngjitën luftës për lirinë e tyre dhe i sakrifikuan jetërat e tyre për këtë popull shqiptar, e ҫka është më e rëndësishmja që Ushtria e Kosovës deri në betejën e Koshares ishte stërvitur në terrene të Shqipërisë, prandaj krejt kjo e tregon faktin se ne jemi një popull me të njëjtën kulturë dhe të afërt si vëllezër”, vlerëson ai.
Eksperti Tërnava, thotë se kur i përmendim këto të dhëna është e kuptueshme që edhe mund të arrihet një marrëveshje ushtarake mes Kosovës dhe Shqipërisë, për një angazhim të menjëhershëm dhe të vendosen ato forca në veri, si pjesë përbërëse të KFOR-it.
“Si parakusht duhet të arrihet ajo marrëveshje edhe me KFOR-in, si procedurë e rregullt ndërkombëtare, nëse nuk kundërshtohet kjo marrëveshje, sepse dihet që territorin e Kosovës e garanton KFOR-i. Tani si anëtare e NATO-s që është Shqipëria, edhe mundet t’i lejohet pjesëmarrja e saj në përbërje me KFOR-in, por gjithsesi më parë të sigurohet ky pëlqim nga dy palët, nga ana e KFOR-it dhe NATO-s, për hir të çështjes së pazgjedhur ende mes Serbisë dhe Kosovës dhe njohjes reciproke mes veti”, thekson eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.
Duhanaj: Kosova nuk rrezikohet fizikisht nga asnjë ushtri
Ndërkaq, Leon Duhanaj thotë se situata e krijuar pas invazionit rus mbi Ukrainën, është vërtetë zhvillim tejet shqetësuese për paqen në Europë dhe më gjerë.
Leon Duhanaj
Sipas tij, një nga pikat mbi të cilat Putini do të bëjë përpjekje të ndërtojë strategji, sigurisht është edhe shpërndarja e konfliktit e ku pjesa e Ballkanit perëndimorë duke qenë ‘një thes i hapur baroti’, nuk është edhe e pamundur që ta nxit ndonjë skenar.
“Në ketë kontekst, mendoj që i tërë rajoni e posaçërisht shqiptarët, duhet të jenë syçelë në këtë situatë. Për sa i përket çështjes së sigurisë në Kosovë, përpos gatishmërisë dhe syçeltësisë, nuk mendoj që duhet të brengosemi edhe aq sa të marrim hapa të tillë”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë se, Kosova dhe siguria e saj, janë nën mandatin e NATO-s, pra çdo agresion ndaj Kosovës do të nënkuptonte agresion ndaj NATO-s.
“Në këtë kontekst, për mendimin tim, institucionet e Kosovës duhet të jenë në koordinim të plotë me KFOR-in, të tregojnë gatishmëri për të qenë në shërbim dhe kaq. Për çdo eventualitet, është komanda e KFOR-it gjegjësisht NATO-s, e cila bën punën e përkujdesjes për territorin e Kosovës. Kosova nuk rrezikohet fizikisht nga asnjë ushtri. Rreziqet e Kosovës janë të natyrave tjera, rreziqe të cilat nuk i kemi kuptuar drejtë dhe jo rrallë herë jemi bërë palë, me apo pa vetëdije, duke kontribuar negativisht në raport me interesin tonë kombëtarë. Fatkeqësisht”, vlerëson Duhanaj për ‘Bota sot’.