Temë diskutimi tash e sa ditë po vazhdon të jetë lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës, e që të rrezikuara nga kjo janë edhe shtetet e tjera.
Së fundmi Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak.
Dërgimi i tyre është bërë me qëllim që t’ju shërbejnë zyrtarëve policorë për kryerjen e detyrave të tyre policore, pra të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë një sqarim rreth dërgimit të kontejnerëve dhe pajisjeve logjistike.
“Që nga marrja e mandatit dhe në vazhdimësi, si Ministër i Brendshëm bashkë me Policinë e Kosovës jemi angazhuar që brenda kapaciteteve tona të krijojmë hapësira dhe kushte të përshtatshme për punë dhe ngritje të kapaciteteve për gjithë zyrtarët policor kudo që angazhohen ata”, ka deklaruar ministri.
Sveqla ka thënë se angazhimi i tyre i përbashkët dhe i përditshëm ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.
Përveç kësaj, policia ka arrestuar të shtunën tre shtetas serb D. Dolasevic, V.Jankoviç dhe D. Dolaseviç, të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së, dhe sipas burimeve raportohet se serbët së fundmi kanë përgatitur një plan për t’i realizuar disa video kinse disa ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të marrë veriun e Kosovës. Që të tre janë liruar të dielën, pas 24 orë mbajtje.
“Rreziku më i madh gjeopolitik kërcënon Malin e Zi dhe Kosovën”
Skënder Mulliqi
Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se Kosova në pjesën veriore nuk e ka shtrirë asnjëherë sovranitetin sa duhet.
Mulliqi shtoi se bandat serbe qe shumë kohë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, përfshirë këtu edhe kërcënimet e fundit të tyre.
“Krejt pas luftës strukturat paralele kriminale serbe kanë bërë ligjin në veri sipas kutit të tyre. Kosova nuk e ka shtrirë sovranitetin sa dhe si duhet në këtë pjesë të vendit. Dihet se bandat serbe në veri operuan duke shkaktuar incidente të ndryshme për të destabilizuar Kosovën. Këto banda kriminale po kontrollohen nga Beogradi zyrtar, ku së bashku edhe po e kërcënojnë qe shumë kohë Kosovën me luftë. Dihet për ngjarjet e fundit të koncentrimit të forcave ushtarake të Vuçiqit, të cilat ishin provokim i hapur për luftë. Ishin pa në veri edhe oficerët rus, të cilët kishin ardhur si ndihmesë morale për aventurë të mundshme ushtarake”, thotë ai.
Pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë, Mulliqi thekson se shpërfaqi edhe skenarët ruso-serb në veri të Mitrovicës.
Ai thotë se Kosova nuk duhet të rri duarkryq, madje nuk duhet neglizhuar as rastin e fundit të tre serbëve, të cilët me uniforma të UÇK-së bënë përpjekje të provokojnë incidente.
“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia i diktatorit Putin shpërfaqi skenarët ruso-serb edhe në veri të Mitrovicës. Edhe pse trupat e KFOR-it janë për sigurinë e kufijve, Kosova nuk guxon të rrijë duarkryq përball kërcënimeve ruso-serbe, të cilat mund të bëhen në çdo çast të rrezikshme, sepse ka mundësi reale që Putini ta shpërndajë frontin e luftës edhe në Ballkan, se nuk janë duke i dalur parashikimet për pushtim të shpejtë të Ukrainës. Edhe arrestimet e tre serbëve, të cilët kanë bërë përpjekje që me uniforma të UÇK-së të provokojnë incidente, nuk duhet neglizhuar nga organet tona të shtetit. Ka ardhur koha për një mobilizim shumë më të madh në veri të vendit, duke dërguar atje forca të ushtrisë tonë dhe forca të shtuara policore që t’ju bëhet e pamundur ndonjë aventurë për ‘blic’ aksion ushtarak të Serbisë në veri, siç pretendojnë serbët”, shtoi Mulliqi.
Më tej shtoi se spektri jonë politik duhet të organizohet, dhe propozojë që të shtohen fondet për armatim.
Mulliqi theksoi se edhe opozita duhet ta kuptoj situatën më me seriozitet, sepse deri më tani nuk janë marrë me mbrojtjen e Kosovës.
“Dihet se minoriteti serb është duke u rebeluar qe shumë kohë, dhe është bërë instrument në duar të shovinistit Vuçiq, prandaj edhe kërkohet një vigjilencë shumë më e madhe nga mbarë spektri jonë politikë që të organizohemi, që të shtojmë fondet për armatim. Vendimet duhet t’i marrim në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo nuk është pa urgjente, natyrisht në koordinim të ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropian. Por, edhe me Shqipërinë, e cila është anëtare e NATO-s. Situata duhet të kuptohet seriozisht edhe nga blloku opozitar, të cilët deri më tash më shumë janë marrë që të bëjnë luftë për pushtet se sa të mbrohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës, nga Serbia e pa reformuar”, thotë ai.
Tutje deklaroi se lufta mund të aktivizohet edhe në Bosnje dhe Mal të Zi, andaj NATO-ja duhet ta përqendroj vëmendjen më shumë në BE.
“Të theksojë me këtë rast edhe faktin se NATO-ja duhet ta përqendrojë më shumë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor. Sipas lidhshmërisë së ngjarjeve mund të aktivizohen vatra lufte edhe në Bosnjë dhe Mal të Zi, kur dihet se agjentët rus janë duke operuar edhe nërajon. Rreziku më i madh gjeopolitik kërcënon Malin e Zi dhe Kosovën, prandaj duhet një politikë largpamëse”, përfundon Mulliqi.
“Kosova nuk mund të shkel mbi marrëveshjen që ka me NATO-në”
Islam Krasniqi
Analisti Islam Krasniqi, u shpreh se Kosova ka marrëveshje me NATO-në lidhur me dërgimin e Forcave të Armatosura në veri, gjë që nuk lejohet një gjë e tillë.
Më tej deklaroi se edhe po t’i dërgojmë në veri, dhe nëse ndodh ndonjë sulm, prapë NATO-ja do të përballet me ta, sepse ne sipas Krasniqit, nuk kemi armatim të mjaftueshëm.
“Është shumë e rëndësishme vendosja e pikave të reja të policisë së Kosovës në Veri, të cilat duhet të shpeshtohen për të krijuar siguri në atë pjesë të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk mund t’i dërgoj Forcat e Armatosura të Kosovës në pjesën Veriore, sepse ka një marrëveshje me NATO-n, e që nuk mund të shkel mbi këtë marrëveshje. Kufijtë tani janë nën sigurinë e NATO-s dhe sikur të ishte kërkesa jonë për me i dërguar FAK-un në atë pjesë, ne nuk kemi armatim për t’i bërë ballë far sulmi nga shteti fqinjë, e që NATO-ja do të përballet me çfarëdo agresori, i cili sulmon sovranitetin e shtetit tonë. Provokime ka pasur gjithmonë nga shteti serb, ata gjithçka kanë ndërtuar në bazë të gënjeshtrës e që tani më ajo ka zbuluar fytyrën e vërtetë dhe për çdo inskenim do të marrë ndëshkimin”, theksoi Krasniqi.