Erdhën në Prishtinë për të blerë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilat do t`i përdornin për t’i realizuar disa video kinse disa ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të marrë veriun e Kosovës. Qëllimi i tre shtetasve serbë, D. Dolaseviç, V.Jankoviç dhe D. Dolaseviç, dështoi pasi ata u arrestuan nga Policia e Kosovës.
Është raportuar se, Serbia përmes kësaj taktike po planifikon që të jap pretekst para institucioneve ndërkombëtare për të ndërhyrë ushtarakisht, kinse për të mbrojtur shtetasit serbë të Republikës së Kosovës.
Ende pa e mbushur paraburgimin prej 48 orësh, Prokuroria njoftoi se ka liruar personat në fjalë, pasi për momentin nuk ka prova që të mund të procedohet për gjykatë çështja.
Megjithatë, kjo ngjarje po konsiderohet jo e rastësishme duke marr për bazë luftën që Rusia tash e disa dite është duke e zhvilluar në Ukrainë.
Marr shkas nga kjo, ekspertë të sigurisë, të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, kanë bërë thirrje tek institucionet e Kosovës që të shtojnë kujdesin pasi vendi rrezikohet të përballet me elemente destabilizuese që cenojnë sigurinë në vend.
Shala: Kosova ka kapacitet për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin territorial të Kosovës
Drizan Shala
Kështu, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se veprimi i policisë së Kosovës, kundrejt tre shtetasve serbë të cilët blenë uniforma të UÇK-së, tregon se gjendja e sigurisë në vend po monitorohet.
“Në lidhje me operacionin e suksesshëm të kryer nga strukturat e sigurisë sëKosovës është një tregues që gjendja e sigurisë është duke u monitoruar.
A mund të eskalojë situata e sigurisë në Kosovë kjo është një pyetje që në këtë kohë dhe rrethanë s`mund ta di askush, por a kemi dhe a jemi duke marr veprime konkrete unë besoj që këto dit ka një shtim më të madh të strukturave të sigurisë në vend”, thotë Shala.
Ai thekson se duhet të thuhet dhe pranohet fakti që falë AKI-së dhe PK është arritur deri te identifikimi dhe arrestimin e tyre dhe kjo është një sinjal edhe për strukturat e Serbisë që Kosova ka kapacitet për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
Kohë e luftërave speciale të armikut
Hajrullah Tërrnava
Kurse, eksperti i sigurisë, HajrullahTërnavathotë për gazetën “Bota sot” se në këto rrethana populli i ynë duhet të jetë syçelë dhe i gatshëm për gjithçka, por edhe FSK me policinë dhe trupat rezerva të tyre që ishin dashur të jenë në gjendje gatishmëri.
“Tani që i dimë marrëdhëniet tona çfarë i kemi me Serbinë, tani situata e krijuar ka sinjale që edhe na shkojnë në favorin tonë, sepse vet Serbia që nuk po përcaktohet me sanksione ndaj Rusisë, ka për t`i kushtuar shtrenjtë Serbisë nga shtetet e BE dhe NATO në krye me Amerikën, e që do të thotë se mundet që së shpejti Kosova të pranohet në NATO dhe me këtë tani edhe pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë dhe së shpejti Kosovës mund t`i hapen dyert drejt anëtarësimit në shtetet e BE”, thotë Tërnava.
Ai thekson se në këtë situatë Serbia vazhdon të jetë e gatshme për gjithçka qoftë edhe për ta sulmuar Kosovën duke bërë lëvizje të ndryshme që i përngjajnë luftës speciale.
“Prandaj mënyra e arrestimit të tre serbëve që tentonin të blinin uniforma të UÇK-së, e ka kuptimin e saj se edhe gjatë luftës 1998-99 ushtria serbe i ka përdorur këto metoda duke i shfrytëzuar uniformat e UÇK-së dhe me këto uniforma iu kane ofruar grupeve ushtarake apo fshatrave të shqiptarëve dhe ia kanë arritur qëllimit të tyre për masakra të ndryshme që mbahen në mendje edhe tani. Tani këtë kohe të veprimeve të Serbisë duhet ta kuptojmë si kohë e luftërave speciale që armiku i përdor që të arrij deri te qëllimet e tij në mënyrën më të thjesht, por është për të përkujtuar edhe opinionin se këto mënyra të shfrytëzimit të uniformave të ushtrive tona”, thotë Tërnava për “Bota sot”.
Ne i kemi afër edhe miqtë më të fortë të botës
Nexhat Haziri
Sipas tij, policia e jonë i ka parasysh dhe e di se si janë keqpërdorur uniformat, prandaj për përvojat e tyre kjo nuk është asgjë e re dhe e rrezikshme.
“Marr në përgjithësi kur situata është në gjendje të tillë që një shtet ndër më të fortit e botës me armatim që e posedon sikur është Rusia, po e sulmon një shtet jo të vogël (rreth 45 milion) e që deri “dje” e kishte aleat në të kaluarën dhe shteti sulmues është i pajisur edhe me armatim atom bërthamor, gjithsesi se institucionet e sigurisë të shtetit tonë sikur e ceka më lartë duhen të jenë të mobilizuara dhe të gatshme për çdo mundësi të këtyre kohërave. Por mos te harrojmë se në këto kohëra ne i kemi afër edhe miqtë ma të fortë të botes sikur Amerikën me NATO, dhe shtetet tjera më të forta të BE, por edhe të kontinenteve tjera si Kanada, Australi, Zelandë të Re, dhe mikun tonë të vjetër që na qëndron gjithnjë pran e që është Britania e Madhe”.
Taktikë e Serbisë
Kurse, analisti NexhatHaziri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se blerja e uniformave dhe emblemës së UÇK-së, në Prishtinë nga tre shtetasit serbë tregon taktikën e Serbisë, që përmes disa montimeve gjoja sulmeve të shqiptarëve ndaj serbëve në veri , ta paraqesë Kosovën si një faktor destabiliteti në rajon.
“Arrestimi nga policia e Kosovës i tre serbëve,kapen duke blerë uniforma dhe emblema të UÇK-së në Prishtinë, është taktikë e Serbisë që përmes disa montimeve gjoja sulmeve të shqiptarëve ndaj serbëve në veri , ta paraqesë Kosovën si një faktor destabiliteti në rajon dhe po ashtu t’i krijoj avantazhe vetes në procesin e dialogut me Kosovën, duke e përdorur si argument për pasigurinë e minoritetit serb brenda shtetit të Kosovës, me çka do të synonte ndarjen e Kosovës, gjegjësisht veriun e vendit si zgjedhje e vetme që sipas Beogradit zyrtar do të krijonte siguri dhe stabilitet afatgjatë jo vetëm në marrëdhëniet me Kosovën, por në përgjithësi në rajon”, thotë Haziri.
Serbia nuk guxon të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë
Mirëpo, ai nuk beson se Serbia, në rast se mund ta realizonte këtë taktikë, nuk do të guxonte të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, sidomos tani kur ajo po merr një mësim të mirë nga agresioni rus në Ukrainë.
“Gjithë bota demokratike është në anën e Ukrainës dhe po e kundërshton fuqishëm me të gjitha mjetet politike, ushtarake dhe ekonomike Rusinë, aleaten e Serbisë. Andaj në këtë situatë në të cilën gjendet Rusia si aleate tradicionale e Serbisë, kjo e fundit nuk do të guxonte për të hyrë në aventura ushtarake ndaj Kosovës apo edhe ndonjë vendi tjetër në rajon. Këtë e mbështes edhe në faktin e anulimit të vizitës në Beograd të sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, NikolaiPatrushev, si duket për arsyen se tashmë edhe Putini është i vetëdijshëm se Serbia nuk mund t’i ndihmojë asgjë”, ka thënë ai.
Por, sipas Hazirit, përkundër kësaj situate në Ukrainë, orvatjet e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën përmes veriut të vendit, kërkojnë shtimin e vigjilencës së institucioneve të Kosovës, në veçanti atyre të sigurisë që situata të vazhdojë të mbahet e qetë dhe nën kontroll.