Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për ‘Bota sot’ thotë se shqiptarët duhet të jemi të lidhur ndërmjet vete, ashtu siҫ e dëshmuam gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ne shqiptarët që jemi me dy shtete në të cilat jetojmë, dhe që nuk kemi dallime fare në rrënjët tona, është e kuptueshme që duhet të jemi të lidhur shumë mes veti, kjo është dëshmuar edhe gjatë luftës me Serbinë kur rreth 800 mijë banorë u dëbuan nga shteti serb për në Shqipëri, eksodin që e bëri Serbia duke e përdorur forcën dhe armatimin ushtarak ndaj popullit tonë, duke kryer edhe masakra, e në të kundërtën populli shqiptar ishte i pambrojtur dhe i paarmatosur”, thekson ai.
Ai thotë tutje se, edhe në ato kohëra në situatë të tillë çfarë ishte Shqipëria na i hapi dyert dhe popullata e përndjekur u stacionua aty deri në çlirimin e Kosovës, si dhe Ushtria e Kosovës si guerile që u organizua, të gjitha përgatitjet dhe stërvitjet për luftën i kanë bërë në ato territore të Shqipërisë.
“E njëjta gjë ndodhi kur para dy viteve tërmeti i ashpër që e goditi Shqipërinë, edhe populli i Kosovës bën ҫ’mos që t’i dalin në ndihmë popullit të Shqipërisë dhe iu ndihmuan me ҫfarë patën mundësi duke i marrë dhe duke i strehuar dhe vendosur nëpër shtëpitë e tyre në Kosovë. Pati edhe gjatë luftës luftëtarë nga Shqipëria të cilët iu bashkëngjitën luftës për lirinë e tyre dhe i sakrifikuan jetërat e tyre për këtë popull shqiptar, e ҫka është më e rëndësishmja që Ushtria e Kosovës deri në betejën e Koshares ishte stërvitur në terrene të Shqipërisë, prandaj krejt kjo e tregon faktin se ne jemi një popull me të njëjtën kulturë dhe të afërt si vëllezër”, vlerëson ai.
Eksperti Tërnava, thotë se kur i përmendim këto të dhëna është e kuptueshme që edhe mund të arrihet një marrëveshje ushtarake mes Kosovës dhe Shqipërisë, për një angazhim të menjëhershëm dhe të vendosen ato forca në veri, si pjesë përbërëse të KFOR-it.
“Si parakusht duhet të arrihet ajo marrëveshje edhe me KFOR-in, si procedurë e rregullt ndërkombëtare, nëse nuk kundërshtohet kjo marrëveshje, sepse dihet që territorin e Kosovës e garanton KFOR-i. Tani si anëtare e NATO-s që është Shqipëria, edhe mundet t’i lejohet pjesëmarrja e saj në përbërje me KFOR-in, por gjithsesi më parë të sigurohet ky pëlqim nga dy palët, nga ana e KFOR-it dhe NATO-s, për hir të çështjes së pazgjedhur ende mes Serbisë dhe Kosovës dhe njohjes reciproke mes veti”, thekson eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.