Ka disa ditë që Rusia ka hyrë në luftë me Ukrainën. Ky shtet po mundohet me të gjitha forcat e saj që të mbrohet nga armiku i saj.
Kjo luftë e filluar në Ukrainë ka bërë që tërë fuqitë Perëndimore, të çohen dhe të organizohen në mënyrë që të ndalet Rusia.
Por, e vetmja mënyrë është që të gjitha këto shtete të bashkohen. Bashkimi i tyre mund të bëhet në NATO.
Një ide të tillë e ka dhënë edhe ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. Ai në një shkrim të publikuar të Qendrës për Analiza Politike Evropiane, ka shkruar se shtetet neutrale duke përfshirë këtu edhe Kosovën duhet të aplikojnë për anëtarësim në NATO.
Ky mendim i ish ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë është mirëpritur. Sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, çështja e anëtarësimit të Kosovës është zvarritur.
Por, në ndërkohë ministri i Mbrojtjes Armend Meha, ka kërkuar zyrtarisht nga NATO-ja ta pranojë Kosovën në aleancë dhe po ashtu i ka kërkuar SHBA-ve që të vendosëë një bazë të përhershme në Kosovë.
Ndërsa, LDK-ja dje ia ka propozuar Kuvendit të Kosovës një rezolutë, me të cilën veç tjerash kërkohet që Kosova të aplikojë në NATO për anëtarësim dhe në BE.
Hoxha: Të përshpejtohet pranimi i shteteve neutrale në NATO
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe eksperti i sigurisë, Hafir Hoxha në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se Ukraina dhe Kosova nuk janë shtete anëtare të BE-së e as të NATO-s.
“Lufta në Ukrainë ka lëviz dhe iniciuar aktivitetin politik kudo në botë, por posaçërisht është interesante mobilizimi i BE për çështje të sigurisë.
Hafir Hoxha
Tani kur po ndodh lufta mu në qendër të Evropës edhe për Ukrainën, njëjtë sikur shtetet ballkanike, nuk është anëtare e BE-së, e as e NATO-s, shumë shtete të BE-së e kanë marrë shumë më seriozisht luftën në Ukrainë e sidomos Anglia, Gjermania dhe Franca. Arsyeja është se lufta po ndodhë shumë më afër tyre fizikisht se sa ishin luftërat në ish Jugosllavi, dhe Rusia si fuqi ua rrezikon edhe stabilitetin dhe sigurinë e tyre, kurse lufta në ish-Jugosllavi ishte e lokalizuar dhe nuk paraqitke asnjë rrezik për ta, andaj, edhe nuk janë marrë shumë seriozisht sa duhet me regjionin e Ballkanit”, thotë ai për “Bota sot”.
Më tej, Hoxha shprehet se çështja e Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje është zvarritur pa nevojë.
“Tani shumë gabime politike të bëra nga BE-ja, besoj se do të insistojnë t`i përmirësojnë BE-ja dhe SHBA-ja. Çështja e Kosovës dhe e Ballkanit Perëndimor është zvarrit tepër dhe pa nevojë”.
Po ashtu, Hoxha thotë se shtetet neutrale e kanë të pamundur që të funksionojnë të pavarura dhe për këtë arsye duhet të ndodhë rreshtimi i tyre.
“30 vitet e fundit luftërat kryesisht ishin në shtetet neutrale, pasi sot është gati se e pamundur të funksionosh si shtet i pavarur dhe neutral në krahasim me fuqitë e mëdha, atëherë logjika se rreshtimi i atyre shteteve në një anë duhet të ndodhë”, thotë ai.
Sipas tij, Rusia dëshiron që shtetet, të cilat nuk janë në BE apo në NATO dëshiron që t`i vendosë nën kontrollin e saj.
Hoxha më tej, ka treguar se cili është roli i Serbisë, si aleat i Rusisë dhe çfarë ka investuar ky shtet.
“Bashkimi Sovjetik me shtetet komuniste u shpartallua. Rusia dëshiron t`i rikthejë nën kontrollë ato shtete, të cilat ende nuk kanë hyrë në BE e as në NATO, atë po e bën edhe me dhunë, luftë sikur po shihet në Ukrainë dhe një satelit të vogël kundër NATO-s ka mbet në Ballkan, ajo është Serbia.
Kosova ende nuk e ka të zgjidhur relacionin me Serbin, Rusia ka investuar në Serbi që të dominiojë ajo në shtetet Ballkanike dhe t`i mundësojë Rusisë dalje në Detin Adriatik! Pasi Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, veç janë bërë anëtare të NATO-s, gjasat i ka shumë të vogla Rusia, që të ndezë konfliktin në Ballkan dhe të bën ndryshime të kufijve dhe të sigurojë dalje në Mal të Zi, në Detin Adriatik”, tha nënvizuar Hoxha .
Gjithashtu, ai mendon se SHBA-ja duhet t`i përshpejtojnë pranimin e shteteve neutrale në NATO .
“Kosova që nga viti 1999 është në mbikëqyrje të NATO-s pasi ajo është prezente këtu, SHBA-ja ka zhvilluar politikë të ngadalshme që ta bind edhe Serbinë, dhe tërë rajoni të hyjë në NATO, por Serbia nuk po tregon interesim dhe është rreshtuar në mbështetje të Rusisë, besoj se edhe SHBA-ja do ta përshpejtojë pranimin e shteteve neutrale në NATO”, thotë Hoxha.
Sipas Hoxhës, Kosova nuk duhet që ta lë anash këtë mundësi.
“Këtë mundësi e Kosova, dhe nuk duhet ta lë anash. Në të njëjtën kohë edhe pranimi në BE duhet realizuar. I tërë Ballkani duhet ta përshpejtojë që të kuptohet mirë orientimi politik i këtyre vendeve dhe të ndërpriten ëndrrat e Serbisë dhe Rusisë se mund të bëjnë një rreshtim të ri politik në Ballkan. Me pranimin e Kosovës dhe Ballkanit në BE dhe në NATO edhe Serbia si vrimë e zezë shumë më shpejt do ta pranojë realitetin, ta pranojë Kosovën e pavarur dhe t’i bashkëngjitet BE-së dhe NATO-s”, thotë Hoxha për “Bota sot”.
Zeneli: Kosova në NATO garanton stabilitet
Kurse, Hasan Zeneli ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njohës i çështjeve të sigurisë, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Rusia dhe Serbia duhet të ndalen në mënyrë që të mos sjellin fatalitete.
Hasan Zeneli
“Epo u deshtë me prit me dalë një Putin mu bind se, si me terrorizmin në botë, edhe më hiç s’ka tolerancë e paqe me pretendimet pansllaviste të Rusisë në lindje e të Serbisë në Ballkan. Të dyja janë mostra që nuk dorëzohen dhe sjellin fatalitete nëse nuk frenohen e vihen nën kontroll… Sa më shumë t’i përkëdhelësh aq ma fort i shtojnë orekset dhe çojnë kokën përpjetë”, thotë ai.
Sipas Hasani, me kyçjen e Kosovës në NATO do të garantohej stabiliteti dhe siguria.
“Stabiliteti dhe siguria garantohet vetëm me forcimin e faktorit shqiptar pro evropian i vërtetë në rajon, me kyçjen e trajtimin e këtij faktori në NATO dhe si shtet unik i inkuadruar me gjitha elementet në Evropë e BE”, theksoi ai.
Po ashtu, ia ka treguar se çfarë ka sjellë mos anëtarësi i Kosovës në NATO dhe në BE.
“Pikërisht injorimi, eksperimentet dhe vonesa e këtij inkuadrimi shkaktojnë pasigurinë në rajon e Evropë, i japinë forcë pansllavizmit dhe pretendimeve ekspansioniste të Rusisë e Serbisë pro ruse anti perëndimore”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.