Pushtimi rus i Ukrainës, ka bërë që të ndryshohen shumë qëndrime, marrëveshje e rregulla, përfshirë edhe rishikimin e të drejtës së informimit apo të shprehjes së lirë.
Aktualisht, shumë vende të Perëndimit së bashku me sanksionet që kanë vendosur ndaj Rusisë, përfshirë edhe rrjetet sociale si Facebook dhe të tjera, i kanë larguar mediat ruse nga platformat e tyre.
Po ashtu janë larguar televizionet ruse edhe nga platformat televizive dhe nga interneti. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Kosova ditë, më parë, të tre kanaleve ruse, që transmetoheshin në platformat shqiptare.
Liria e shprehjes apo liria e jetës?
Në përpjekje të qartësimit të këtyre të drejtave dhe kundërshtimit, në SHBA, një debat të tillë e ka hapur që nga e shtuna së paku me një cicërimë në twiter, edhe njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, i cili ka refuzuar presionet e disa shteteve, pa theksuar se cilat po i kërkojnë, që t’i largojë nga platforma e tij e internetit Starlink, mediat ruse. Ai këtë po e konsideron shkelje të Kushtetutës amerikane, e cila e garanton shprehjen e lirë.
Ndërsa, Musk ka pranuar prej disa ditësh t’ju jap internet falas ukrainasve, gjithnjë e më shumë dhe po u jep këshilla se si të kujdesen, që të mos bëhen viktima të sulmeve ruse, pasi po ua zbulojnë hakerët rus, pikat shpërndarëse të internetit, dhe që ato të mos vendosen në mjedise të populluara nga rreziku i bombardimeve.
Po, ashtu në një bisedë të bërë të dielën, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka folur me CEO-n e SpaceX, Elon Musk, dhe ky i ka premtuar se Ukraina do të marrë dhe më shumë terminale interneti Starlink nga e hëna.
Mediat ruse po manipulohen nga pushteti i Putinit, dhe po e pasqyrojnë rrejshëm luftën në Ukrainë, duke fshehur vetë agresionin rus, viktimat, dëmet në njerëz dhe ato materiale, përdorimin e armëve të ndaluara etj., dhe dyshimin për gjenocid.
Krimet që është duke kryer Rusia dhe shkeljet e thuaja të gjitha marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë kërcënimin me armë bërthamore, kanë çuar në idenë dhe vendimmarrje se jeta, dhe rendi demokratik, dhe vlerat e përbashkëta të arritura perëndimore janë më të rëndësishme se kufizimi i shprehjes dhe të drejtës së informimit.
Përveç kësaj, vende si Çekia që në ditët e para të fillimit të pushtimit të Ukrainës, kanë vendosur zbatimin e dënimit penal për ata që e mbështesin pushtimin e Ukrainës dhe i thurin lavde udhëheqësve të Federatës ruse.
"Mbështetja publike e pushtimit rus të Ukrainës mund të jetë subjekt i dënimeve me burg deri në tre vjet”, tha ditë më parë në një deklaratë të tij Prokurori Suprem i Shtetit i Çekisë, Igor Striz.
Ky vend i ka filluar hetimet jo vetëm në media, por edhe në rrjete sociale për t’i gjetur ata që e thyejnë këtë ligj.
Edhe Kosova është një nga vendet ku mund të ketë konflikt, nëse përshkallëzohet lufta në Ukrainë. Lidhur me këtë vetë Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josip Borell ka paralajmëruar para disa ditësh, se janë tri rajone ku mund të përhapet konflikti, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor. Ndërsa të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se përveç në dy vendet tjera, Gjeorgji e Moldavi, edhe Bosnja e Hercegovina mund të kërcënohen.
“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti, megjithatë NATO-ja ka përgjegjësi për të siguruar që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme. Aleatët e NATO-s kanë ofruar ndihmë për Gjeorgjinë dhe BeH-në dhe partnerët e tjerë për vite me radhë. Ne nuk kemi marrë një vendim përfundimtar, por ekziston një besim i gjerë se ne duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur këto vende. Për shkak të asaj që pamë në Ukrainë, këto vende mund të jenë në rrezik, të ekspozuara ndaj përpjekjeve shtesë për minimin e shtetësisë”, ka thënë Stoltenberg pas takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s ku është diskutuar lufta në Ukrainë.
Sipas shumë indikacioneve, madje edhe atyre zyrtare nga Kosova ka frikë se Serbia do të veprojë sipas skenarit rus, së pari duke provokuar dhe pastaj të tentojë një inkursion në veri.
Duke pasur parasysh këtë kontekst, a duhet që Kosova të vazhdojë me masat tjera, si Çekia, që të dënojë ata që e mbështesin Rusinë dhe Serbinë, dhe liderët e tyre.
Jo shumë larg ka ndodhur, para pak javësh, që politikanë dhe gazetarë të përkrahin ndarjen e Kosovës, në të cilin rast Kosova humb territor të konsiderueshëm.
Se a duhet që edhe Kosova ta shpallë një vendim të tillë, për "Bota sot", kanë folur disa njohës të çështjeve politike.
Shteti duhet ta zbatojë ligjin për mbështetësit e Serbisë
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ata që e dëmtojnë Republikën e Kosovës duhet të dënohen me ligjet ekzistuese, dhe se është mungesë e përgjegjësisë së shtetit që nuk ka vepruar. Por, ai nuk e ka një ide të qartë se çfarë duhet të bëhet në rastet kur nuk ka veprime, por, shprehje të mendimeve pro Serbisë apo pro Rusisë.
Muhamet Kelmendi
“Normat juridike kërkohet të respektohen nga pushteti në Kosovë. Çështjet dhe veprat që e dëmtojnë Republikën janë të rregulluara me ligj. Ata që kontribuojnë ose marrin pjesë me luftërat terroriste apo okupuese dënohen me dënime të ndryshme, deri me burg. Ligji e përcakton veprën e dënuar dhe lartësinë e dënimit etj. Nuk është e rregulluar çështja e përshëndetjes apo përkrahjes me propagandë dhe me mënyra tjera, si financiare të një lufte okupuese, sikurse është rasti i agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës”, thotë ai.
Ndërsa, sipas tij për ata që kryejnë veprime kundër shtetësisë së Kosovës, dënimi mund të jetë edhe i përjetshëm.
Kelmendi shtoi se në Kodin penal për këto raste ka vetëm dënime të rënda, ndërsa propaganda nuk është e rregulluar.
“Ndërsa, çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë që shkon kundër sovranitetit dhe të tërësisë territoriale ose veprat e ndryshme që për qëllim kanë copëtimin e Kosovës, dënimi është në minimum 5 vjet dhe shkon deri në dënim me burg të përjetshëm. Kodi penal i Kosovës nga neni 100 e deri në nenin 125, i rregullon veprat e tilla penale, e përcakton dënimin deri me burgim të përjetshëm. Nuk është i rregulluar animi politik a propagandistikë në llogari të shtetit serb. Është e rregulluar vetëm veprimtaria në llogari të shtetit serb apo të ndonjë shteti tjetër, i cili e kërcënon Republikën. Këtu ka dënime të rënda penale. Nuk është e rregulluar propaganda. Çështjet tjera po. Sikundër po shihet, norma juridike ka. Ato vetëm duhet zbatuar. Këtu është shteti përgjegjës”, shtoi Kelmendi.
Sa më shumë që Kosova me ligj e forcon "luftën" antiRusi dhe antiSerbi aq më mirë
Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka deklaruar se sipas ligjit, askush nuk mund ta mbështesë njërën apo palën tjetër.
Faton Mehmeti
“Ndonjëherë duhet pasur parasysh edhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut. Dihet tashmë se qytetarët e Kosovës, mendoj unë, shqiptarët mbi 90 % e tyre janë kundër Rusisë dhe pushtimit të Ukrainës”, thotë ai.
Madje sipas tij, ata që e mbështesin Rusinë duhet të dënohen, përfshirë edhe serbët e veriut.
“Gjithsesi, gjykoj se vendi ynë në kuadër të masave anti-Rusi duhet të përfshijë edhe dënimin ndaj të gjithë atyre që e mbështesin Rusinë, duke nënkuptuar që edhe për serbët e veriut të vlejë një gjë e tillë. Sa për ndarjen, të cilën e synon Rusia dhe Serbia, Kosova ka dënimin kundër atyre që punojnë për ndarje, për prekje të kufijve e të cilët dënohen sipas ligjit në fuqi për tradhti kombëtare. Gjithsesi, sa më shumë që Kosova me ligj e forcon "luftën" antiRusi dhe antiSerbi aq më mirë, pasi këta janë armiqtë tanë”, shtoi ai.