Pozicionimi pro-Rusi i Serbisë alarmoi botën! Kosovës i vjen thirrja urgjente që t’i bëjë këta hapa të shpejtë

Politika

Pozicionimi pro-Rusi i Serbisë alarmoi botën! Kosovës i vjen thirrja urgjente që t’i bëjë këta hapa të shpejtë

Nga: N. Sh. Më: 6 mars 2022 Në ora: 22:29
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe dhe shumë shtete të tjera evropiane dhe botërore e kanë dënuar sulmin rus.

Këto shtete botërore si kundërpërgjigje ndaj Rusisë, i kanë vendosur një sërë sanksionesh.

Një ndër shtetet e pakta që është pozicionuar pro Rusisë, është Serbia.

Ndaj këtij pozicionimit të Serbisë, ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt.

Ai ka deklaruar se me këtë qëndrim që po e mban Serbia karshi zhvillimeve në Ukrainë e ka humbur rastin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ai ka shpërndarë një shkrim të gazetarit gjerman Michael Martens, ku thotë se “mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, që e bën Serbinë një “vendstrehim” për shtetin rus, ka bërë që shteti t’i bëjë vetit dëm karshi BE-së”. “Me këtë qëndrim Serbia de facto u s’kualifikua nga procesi i anëtarësimit. Nuk duhet të ketë vend për anëtarët e rinj që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”, shkroi ai.

Image
Gani Qarri

Analisti politik Gani Qarri, thotë se, ashtu siç thotë edhe z. Carl Bildt, me pozicionimin e Serbisë pro agresionit të Rusisë në Ukrainë, Serbia ka s’kualifikuar vetveten nga rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, BE-ja, por edhe Qeveria dhe diplomacia e shtetit të Kosovës, duhet ta shfrytëzojnë këtë rast, për t’i bindur 5 vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, të ndryshojnë qasjen dhe ta pranojnë Pavarësinë e shtetit tonë, të vulosur qysh më 2010 edhe nga vet GJND-ja, si organi më i lartë juridik i OKB-së.

“Dhe duke pasur parasysh se kjo që po ndodhë sot në Ukrainë nga agresioni i Rusisë imperialiste, jo shumë kohë më parë ndodhte edhe në Kosovë nga agresioni i Serbisë fashiste, Kosova medoemos duhet t’i shfrytëzoj shanset e reja gjeostrategjikë e gjeopolitike, të krijuara pas agresionit kriminal rus në Ukrainë dhe ndryshimin e qasjes së SHBA-ve, BE-së dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar kundër Rusisë e veprimeve agresive sllave dhe të marr shembull nga presidenti Zelensky, i cili përkundër luftës e kaosit diplomatik, edhe në këtë gjendje të rëndë nëpër të cilën po kalon vendi i tij, po kërkon me këmbëngulje pranimin e Ukrainës në BE, si shenjë e mbështetjes së BE-së ndaj vendit të tij”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Kështu që, sipas tij, duket shumë e habitshme dhe tërësisht e pakuptueshme, se si mund të heshtet në këtë mënyrë dhe të vazhdojë të mbetet shumë më e hutuar dhe kaotike Kosova në rrafshin diplomatik, se sa vet Ukraina, e cila gjendet në luftë të përgjithshme me një superfuqi botërore si Rusia kriminale e Putinit.

“Prandaj, është momenti vendimtar që të veprohet dhe jo të heshtet e të shikohet me habi se çfarë po ndodhë në botë, dhe pasi që vendi ynë, të paktën aktualisht jeton në paqe, duke pasur parasysh rrezikun serbo-rus edhe për Kosovën dhe mbarë Ballkanin Perëndimor, duhet urgjentisht ta kërkojë pranimin e Kosovës në NATO, të ngrihet urgjentisht nga përgjumja, të shtrijë ndikimin e shtetit në veri të vendit, t’i bllokoj elementet e dyshimtë serbo-rus në vend, dhe të insistojë me të gjitha mënyrat që të paktën, të bëhet liberalizimi i vizave dhe të pranohet kandidatura e Republikës së Kosovës për inkuadrim në Bashkimin Evropian”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat