Këto ditë u shënua 24 vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij. Ky përvjetor u përkujtua me ceremoni të shumta solemne të organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
24 vite pas epopesë së lavdishme të UÇK-së shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të ndiejnë dhimbje e krenari për sakrificën dhe heroizmin e dëshmorëve.
Kosova, tani është e lirë dhe e pavarur!
Por, lufta që aktualisht po ndodh në shtetin e Ukrainës dhe pamjet që na vijnë në kohë reale nga atje, po ngjallin tek shqiptarët njëlloj frike se e kaluara mund të përsëritet.
po ushtron dhunë e terror mbi popullatën e pafajshme të Ukrainës njësoj si regjimi kriminal i Millosheviçit në vitet e ‘90-ta mbi popullin e Kosovës.
Për forcimin e sigurisë në vend, ditë më parë u themelua edhe Fondi i Sigurisë, për FSK-në dhe interesimi për të kontribuuar në këtë fond po raportohet të jetë i madh.
Kosova të avancojë sigurinë e brendshme
Analisti Hidajet Ahmeti
Lidhur me këtë temë, analisti Hidajet Ahmeti mendon se Kosovën si shtet i pavarur e presin shumë punë për të avancuar në sigurinë e brendshme.
“Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është në proces të vazhdueshëm të konsolidimit të shtetësisë, por akoma e presin shumë punë për të avancuar në sigurinë e brendshme, por edhe atë të jashtme. Kosova si një shtet i ri, akoma nuk mund të mburret me çështjet e sigurisë së brendshme, pasi që siguria e saj më shumë varet nga aleatët e jashtëm”, thotë Ahmeti për gazetën “Bota sot” .
Ai thekson se, Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum politik për t`u afruar në mekanizma ndërkombëtar.
“Në procesin e sigurisë së brendshme na presin shumë punë si shtet, por institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë përpjekje ta shfrytëzojnë këtë momentum politik, duke u afruar në procesin e anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtar, posaçërisht në NATO”, ka theksuar ai.
A mund të zgjerohet lufta?
Ahmeti nënvizon se nuk do të ketë të papritura në aspektin e sigurisë, pasi një zgjerim i luftës do ta dëmtonte rrugën e së ardhmes në rendin ndërkombëtar.
“Mendoj se nuk do të ketë të papritura, pasi që çdo përpjekje për zgjerim të luftës nga ndonjë shtet aleat i Rusisë do ta dëmtonte rrugën e së ardhmes në rendin ndërkombëtar, por edhe atë të brendshëm. Agresioni invaziv ushtarak rus mbi Ukrainën, ka bërë që kuptimi mbi ligjet dhe rëndin e gjertanishëm ndërkombëtar të ndryshojë rrënjësisht”, ka thënë Ahmeti.
Qëllimi i Putinit, destabilizimi i Ballkanit
Analisti Leon Duhanaj
Kurse, analisti Leon Duhanaj thotë për gazetën “Bota sot” se Rusia ka shkelur mbi të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Ukrainën, ashtu si dhe shkeljen flagrante të drejtës ndërkombëtare.
Sipas tij, bota demokratike e kuptoi rrezikun dhe iu kundërvunë në mënyrën më të mirë dhe më të shpejt Putinit, i cili kishte në plan edhe destabilizimin e Ballkanit.
“Për fat të mirë bota demokratike përkatësisht SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja, si asnjëherë më parë e kuptuan rrezikun dhe iu kundërvunë në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë.
Në planet e Putinit, me siguri që ka qenë edhe destabilizimi i Ballkanit si mjet për ta zgjeruar konfliktin dhe me këtë edhe mundësinë e përçarjes së faktorit ndërkombëtarë.
Mbi të gjitha, Putini ka besuar se do ta pushtonte Ukrainën përkatësisht Kievin në një blic ofensivë gjë që nuk i doli dhe kalkulimet e tij u fundosën”, shprehet Duhanaj.
Potenciali i marionetave ruse në Ballkan është i madh
Tani sipas tij, presioni është mbi Putinin dhe Rusinë dhe të tillë njerëz nuk janë më të kalkulueshëm gjë që e bën situatën më të rrezikshme në aspektin global, duke pasur parasysh arsenalin bërthamor të Rusisë.
“Në aspektin e luftës konvencionale, Rusia u dëshmua se nuk e meriton respektin e një superfuqie ushtarake.
Bazuar në gjendjen momentale, nuk besoj që Rusia ka fuqinë për të zgjeruar konfliktin, megjithatë, mendoj që edhe potenciali i marionetave ruse në Ballkan është i madh dhe nuk është për t'u nënçmuar.
Në këtë kontekst, duhet llogaritur se në Serbi ka potencial destabilizues dhe sidomos në Bosnje”, ka potencuar ai.
Duhanaj: Mbledhja e fondeve nuk e garanton sigurinë
Për sa i përket sigurisë në Kosovë, Duhanaj thotë se Qeveria edhe në këtë rast më shumë po bën panik se sa që ka ndonjë qëllim për të vepruar.
“Mbledhja e fondeve në këtë fazë nuk është çelësi i garantimit të sigurisë.
Kosova nuk gjendet sot në situatën e viteve të ‘90-ta, kur ishim të pushtuar dhe pa mekanizma shtetëror.
Sot në çdo rast Qeveria mund të kërkojë furnizim me armë në çdo kohë.
Mbi të gjitha mendoj që përpjekja për të krijuar panik është e dëmshme sepse Kosova në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit është e garantuar nga KFOR-i, përkatësisht NATO-ja dhe çdo sulm mbi Kosovën do të nënkuptonte sulm mbi NATO-n”, ka potencuar ai.
Duhanaj thotë se Qeveria duhet të merr masa për rialokimin e buxhetit për qëllime të sigurisë dhe të jetë në kontakt të afërt me segmentet e sigurisë së NATO-s duke qenë në koordinim për çdo rast.