Po bëhen dy javë që nga fillimi i luftës në Ukrainë nga Rusia e cila e filloi pushtimin e saj me 24 shkurt.
Ani pse i gjithë Perëndimi është në përkrahje të Ukrainës, një zgjidhje për të ndaluar luftën dhe as pushtimin rus, nuk po arrihet.
Në mesin e liderëve më të zëshëm në këtë kohë është kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili në çdo formë po mundohet ta mbroja Ukrainën.
Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen ishte një deklaratë që Johnson dha së fundmi për Putinin.
Johnson, në një intervistë për prestigjiozen “El Pais”, është pyetur për fjalimin e tij në Parlamentin britanik ku e ka krahasuar Vladimir Putinin me Sllobodan Millosheviqin.
Johnson thotë se ai beson që është një analogji tepër e ngushtë në mes të sjelljeve aktuale të Vladimir Putinit me ato që Sllobodan Millosheviqi kishte bërë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me luftërat në ish-Jugosllavi dhe veçmas me terrorin dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Është shumë interesante që të dy liderët kanë qenë në pushtet për një kohë të gjatë, të dy autokratë që synonin rritjen, që kërkonin të forcojnë pozicionin e tyre të brendshëm, dhe gjetën një kauzë të madhe nacionaliste”, ka thënë kryeministri Johnson.
Ai ndër të tjera krahasoi gjenocidin e Kosovës me atë që po bën Putini në Ukrainë.
“Mendoj se një nga gjërat më fascinuese është fakti se si Putini është afër analogjisë të aksioneve të Sllobodan Millosheviqit. E njëjta pakuptimësi në raport me Kosovën e Beogradit dhe e Moskës ndaj Kievit”, ka deklaruar ai.
Së fundmi është Lëvizja Vetëvendosje që e ka krahasuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me ish-kriminelin dhe udhëheqësin e luftërave në Ballkan, Slodoban Millosheviqin.
Autokrati Vuçiq që si ministër i shërbeu Millosheviçit, e si president po i shërben Putinit duhet të ndëshkohet edhe për të kaluarën edhe për të tashmen e shërbimit të tij, thuhet në reagimin e VV-së.
Mehazi: Kosova sa më shpejt të anëtarësohet në NATO
Sulejman Mehazi
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi i cili u shpreh se Putini është në fazën ku dëshiron ta sundojë Evropën, ndërsa Vuçiqi Ballkanin Perëndimor.
“Sanksionet izoluese të llojeve të ndryshme politike, ekonomike, tregtare, bankare, ushtarake, ajrore e diplomatike të fuqive botërore të SHBA-së, BE-së e NATO-s ndaj Rusisë tregojnë se bota progresive demokratike është e rrezikuar nga njeriu që ka shqetësuar jo vetëm Evropën, por edhe kontinentet tjera për shkak të ambicieve sllavo-ruse, e ai është Putini, i cili sipas veprimeve luftarake e kërcënuese në Ukrainë shkon drejt ideve të sëmura narciste. Putini don ta sundojë Evropën për ta bërë Rusi, Vuçiqi don ta sundojë Ballkanin Perëndimor për ta bërë Serbi. Në Ballkanin Perëndimor nga Serbia e Rusisë më të rrezikuar janë shqiptarët e Kosovës, pse jo dhe Shqipëria e cila gjatë konfliktit me Serbinë do t’ju ndihmonte vëllezërve shqiptarë në Kosovë”, u shpreh profesori.
Më tej ai thotë se Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe qeveria e vendit të kërkoj që Serbia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Për t'iu shmangur rreziqeve luftënxitëse serbe elita politike e Kosovës si e qysh duhet kërkuar që sa më shpejt Kosova të anëtarësohet në NATO, pastaj duhet kërkuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe që dhe Serbisë t'i vënë sanksione të njëjta ushtarake, ekonomike e politike sikurse Rusisë. Po ashtu, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të kërkojnë që Serbia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara etj.”, theksoi ai.
Ndër të tjera ai shtoi që Serbia duhet ta njoh Kosovën pa asnjë kusht dhe Rama duhet të largohet nga “Ballkani i hapur”.
“Nga BE-ja e SHBA-ja elita politike e Kosovës të kërkojnë që Serbia ta njoh Kosovën pa farë kushtesh serbe, po ashtu në koordinim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të prishet projekti serbo-sllav i Ballkanit të hapur dhe gjatë një konflikti të Kosovës me Serbinë Shqipëria si anëtare e NATO-s t'i ndihmojë Kosovës”, thotë Mehazi për “Bota sot”.
Shahu: Kosova dhe Shqipëria të bëhen një në këto kohë tensionesh
Rexhep Shahu
Ndërsa analisti politik Rexhep Shahu në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë përkrah njëra-tjetrës e të mos vishen me uniforma të Ukrainës pasi sipas Shahut nuk janë aq trima sa duken.
“Nuk është koha që Shqipëria e Kosova të hyjnë në fushën e lojës kur po ndeshen fuqi të mëdha. Është koha që Kosova e Shqipëria të mbrojnë qytetarët nga abuzimet. Kosova fatmirësisht është nën mbrojtjen e NATO-s. Politikanët e Tiranës e Prishtinës mos të shfaqen si liderë të botës sikur janë drejtues të fuqive të mëdha ushtarake. Politikanët e Tiranës dhe Prishtinës të mos bëjnë panik, të mos vishen me uniforma si presidenti Ukrainës se nuk janë as trima, as të fuqishëm. Nuk është koha për patetizma për folklor, për fonde për ushtrinë kur ushtrinë e FSK-në e udhëheq NATO-ja”, potencoi analisti.
Ai në fund thotë se Serbia nuk mund ta sulmojë Kosovën pasi është NATO-ja, mirëpo që duhet sa më shpejt të jemi brenda NATO-s në mënyrë që vendi të mbetët i sigurtë.
“Nuk besoj se Serbia mund ta sulmojë Kosovën derisa është NATO-ja në Kosovë. Përgatitje duhet, por me fjalime qeverie nuk mbrohet Kosova, as përballohet ndonjë sulm i mundshëm. Sot edhe pse mund të bëhemi cuba me fjalinë, mbrojtjen e Kosovës e kemi në dorë të NATO-s. Çdo rrahje gjoksi është aventurë sharlatane”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.