Situata e krijuar në Ukrainë nga Rusia ka arritur të shtangë gjith botën.
Vëmendja se çfarë mund të ndodhë dita ditës ka arritur të sjellë shqetësime të mëdha në secilin vend të botës.
Padyshim që edhe Kosova është e prekur nga kjo situatë duke mos përjashtuar edhe mundësinë që Serbia mund të bëjë të njejten si Rusia.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi i cili u shpreh se Putini është në fazën ku dëshiron ta sundojë Evropën, ndërsa Vuçiqi Ballkanin Perëndimor.

“Sanksionet izoluese të llojeve të ndryshme politike, ekonomike, tregtare, bankare, ushtarake, ajrore e diplomatike të fuqive botërore të SHBA-së, BE-së e NATO-s ndaj Rusisë tregojnë se bota progresive demokratike është e rrezikuar nga njeriu që ka shqetësuar jo vetëm Evropën, por edhe kontinentet tjera për shkak të ambicieve sllavo-ruse, e ai është Putini, i cili sipas veprimeve luftarake e kërcënuese në Ukrainë shkon drejt ideve të sëmura narciste. Putini don ta sundojë Evropën për ta bërë Rusi, Vuçiqi don ta sundojë Ballkanin Perëndimor për ta bërë Serbi. Në Ballkanin Perëndimor nga Serbia e Rusisë më të rrezikuar janë shqiptarët e Kosovës, pse jo dhe Shqipëria e cila gjatë konfliktit me Serbinë do t’ju ndihmonte vëllezërve shqiptarë në Kosovë”, u shpreh profesori.
Më tej ai thotë se Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe qeveria e vendit të kërkoj që Serbia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Për t'iu shmangur rreziqeve luftënxitëse serbe elita politike e Kosovës si e qysh duhet kërkuar që sa më shpejt Kosova të anëtarësohet në NATO, pastaj duhet kërkuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe që dhe Serbisë t'i vënë sanksione të njëjta ushtarake, ekonomike e politike sikurse Rusisë. Po ashtu, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të kërkojnë që Serbia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara etj.”, theksoi ai.
Ndër të tjera ai shtoi që Serbia duhet ta njoh Kosovën pa asnjë kusht dhe Rama duhet të largohet nga “Ballkani i hapur”.
“Nga BE-ja e SHBA-ja elita politike e Kosovës të kërkojnë që Serbia ta njoh Kosovën pa farë kushtesh serbe, po ashtu në koordinim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të prishet projekti serbo-sllav i Ballkanit të hapur dhe gjatë një konflikti të Kosovës me Serbinë Shqipëria si anëtare e NATO-s t'i ndihmojë Kosovës”, thotë Mehazi për “Bota sot”.