Ka disa javë që Rusia e ka sulmuar Ukrainën. Lufta në mes këtyre dy vendeve ka bërë që shumë vende të cilat nuk janë pjesë e NATO-s të ndihen të pasigurta.
Një shtet i cili nuk është pjesë e NATO-s është edhe Kosova.
Që nga nisja e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë është bërë thirrje që Kosova të aplikoj për anëtarësim në NATO.
Anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova duhet që të lëvizë përpara me anëtarësim në NATO.
Po ashtu, ai ka komentuar edhe deklaratat e ndërkombëtarëve rreth anëtarësimit në NATO.
“Situata në Ukraine ka krijua momentumin e nevojshëm që Kosova të lëviz përpara me anëtarësim në NATO, por se në duhet me i krye detyrat e shtëpisë.
Situata në Ukrainë, është një mësim i nxjerrë për NATO dhe BE, të cilin po shpresoj ta kenë lexuar qartë të dy këto asociacione politike, zhvillimore përkatësisht të sigurisë ndërkombëtare.
Këtë lexim e kanë bërë edhe shume përfaqësues politik, diplomatik dhe ushtarakë në botë, dhe kanë shfaqë edhe mendimet e tyre inkurajuese por edhe vërejtjet në adresë të organizatës botërore të sigurisë si NATO dhe BE.
Këto deklarime të ndërkombëtarëve të ndryshëm nga prizmi politik ishin dhe një inkurajim i institucioneve tona që të ndërmerren hapat e nevojshëm për aplikimi për anëtarësim në NATO dhe BE”, ka thënë ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova që të ngritët në nivelin e standardeve të NATO-s.
“Ajo çfarë do të duhej të ndodhte tani është të intensifikohet bashkëpunimi i Kosovës me NATO, ne nismat rajonale si Karta e Adriatikut 5, si dhe në Partneritetin për Paqe, për ta përgatitur Kosovën që të ngrihemi në nivelin e standardeve të NATO-s. Por, duhet të kemi në konsideratë rrethanat dhe ambientin me theks të sigurisë që përbën Kosovën, e ato janë specifikisht pengesat politike siç është mosnjohja nga pesë vendet e BE që njëkohësisht janë edhe pjesë e NATO”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Berisha ka treguar se edhe në Komisionin për siguri ka kërkuar që të intensifikohet bashkëpunim për në NATO.
“Edhe me shkrim në Komisionin për siguri kam sugjeruar që të intensifikohet ky bashkëpunim dhe të kemi një “ndërveprim të zgjeruar “ mes Kosovës dhe NATO-s, kjo ta mundësoj implementimin e përshpejtuar të hapave të para-anëtarësimit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Berisha ka treguar se Kosova duhet që t`i kalojë disa hapa për tu ngritur në nivelin e NATO-s.
"Pse ne po e shohim si emergjencë dhe po inkurajohemi për një anëtarësim të përshpejtuar, NATO si organizatë politiko ushtarake, ka disa hapa dhe kritere në nivelin e të cilave duhet të ngrihet Kosova që të bëhet pjesë e sigurisë globale. Te gjithë këta hapa kërkojnë administrate efikase dhe profesionale.
Proceset integruese janë aq të rëndësishme sa vet anëtarësimi në organizatat Euro-Atlantike dhe lajnë rol të madhe në siguri, por duhen pasur institucione stabile, kredibile, por edhe reziliente të sigurisë.
Pra, poenta e procesit është të mësojmë të bëjmë institucione kështu që edhe nëse ndërron situata politike nuk ndikohen çështjet strategjike afatgjate që ka NATO dhe BE.
Prandaj shtrohet dilema se sa është reale, ky inkurajim dhe sa ky proces është formal në aspektin juridik procedural. Pra është më mirë me aplikua për proceset para anëtarësisë si synim strategjike për anëtarësim dhe integrime. Këto inkurajimet kanë qenë edhe në 2014, bile kam pasur dokument nga State Department dhe DoD ku na kanë garantua për Light Infantry US model. Ku e jemi? Me atë garanci tash do ishim të gatshëm për NATO! NATO pyet, fundja, cila është vlera e shtuar/ What is the added value?”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.