Departamenti amerikan i Shtetit së fundmi e ka parë të arsyeshme të përshpejtohet integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor.
E gjithë kjo urgjencë erdhi si pasojë e krizës, e cila e ka kapluar botën pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Ky qëndrim u shpreh të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, pasi 19 anëtarë të Kongresit amerikan i kërkuan administratës së Presidentit Joe Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor, përcjell “Bota sot”.
Në një letër që ligjvënësit i dërguan javën e kaluar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, ata shpreheshin se rritja e angazhimit amerikan është më e rëndësishme se kurrë në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë.
“Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Departamenti i Shtetit.
Ndër të tjera në letër thuhet se Ballkani Perëndimor duhet të jetë përparësi për SHBA-të.
“Integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në komunitetin transatlantik duhet të jetë përparësi për Shtetet e Bashkuara ndërsa ne përpiqemi të konsolidojnë aleancat tona në gjithë Evropën dhe i kundërvihemi përhapjes dhe ndikimit të regjimeve autokratike, përfshirë atyre të Rusisë dhe Kinës”, thuhet në letër.
Në lidhje me këtë është deklaruar edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili së fundmi ka qëndruar në Londër për të diskutuar për mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ai atje është takuar me ministrin britanik për Europë, James Cleverly, me të emisarin për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe ekspertët britanikë për politikën e jashtme.
“Mbështetja për qëllimet dhe vlerat tona të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor dhe kudo tani është më e rëndësishme se kurrë”, u shpreh Lajçak.
Kujtojmë që pas ngjarjeve në Ukrainë, së fundi janë shtuar thirrjet për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Kelmendi: SHBA shton interesin për Ballkanin Perëndimor
Muhamet Kelmendi
Ndërsa profesori, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që tash kur agresioni rus po marshon në brendi të Ukrainës, ka të dhëna se shpërthime të rënda luftarake mund të bëhen në Ballkanin Perëndimor.
“SHBA-ja është një shtet që tash e dy, tri, dekada, ka qenë herë më shumë e herë më pak, në anën e Kosovës. Tash kur agresioni rus po marshon në brendi të Ukrainës, ka të dhëna se shpërthime të rënda luftarake mund të bëhen në Ballkanin Perëndimor. Në këtë hapësirë gjeografike është Serbia e krijuar nga Rusia dhe e forcuar nga ajo dhe shumë shtete tjera tash në UE dhe në NATO. Si shtet i tillë, Serbia po tregon pretendime territoriale ndaj shteteve tjera në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.
Më tej, ai shton se Serbia ende e sheh Kosovën si pjesë të saj dhe kjo e bënë që ajo të përgatitet ushtarakisht që të sulmoj Kosovën.
Ai cek gjithashtu edhe heshtjen e SHBA dhe Evropës karshi Serbisë e cila nuk i ka vënë sanksione Rusisë.
“Është iniciativa “Ballkani i Hapur” si mjet i Serbisë së Madhe, ka kundërshtime të mëdha. Mbetët forca si mjet i realizimit të pushtimeve serbe. Për këtë është armatosur dhe përgatitur mirë. Pret vetëm momentin dhe urdhrin e Moskës për të hyrë në aksion. Kjo situatë është e qartë në Uashington. Këtë e din edhe në Londër, në Paris, në Berlin, në Vjenë, në Romë etj. E din edhe në Bruksel. Megjithatë, ka kundërthënie midis shteteve ndaj Ballkanit Perëndimor. Shteti i vetëm, në Evropë, tash për tash që nuk i ka aprovuar sanksionet e UE ndaj Rusisë është Serbia. Në Beograd bëhen edhe demonstrata në përkrahje të agresionit rus dhe për Putinin. Po Evropa hesht. Po heshtë edhe në Uashington. Serbia nuk dënohet. Ndaj kësaj heshtje është kërkesa e 10 anëtarëve të Kongresit amerikan që i kërkuan administratës së Presidentit Joe Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor dhe të angazhohet në integrimin e plotë të kësaj pjesë të UE dhe në mekanizmat euroatlantik”, theksoi profesori.
Në fund ai shton se me konflikte ushtarake në Ballkanin Perëndimor rrezikohen shtete të shumta në Evropë, në Afrikën e Veriut dhe në Azinë a afërt dhe se këto janë faktet e kërkesës për angazhim të Uashingtonit në këtë pjesë të Evropës.
“Veprimi i tillë u bë sepse Ballkani Perëndimor është në brigjet e Adriatikut dhe të detit Jon, përballë Italisë, shteteve të Mesdheut dhe konfliktet në këtë anë janë shumë të rrezikshme për paqen në botë. Me konflikte ushtarake në Ballkanin Perëndimor rrezikohen shtete të shumta në Evropë, në Afrikën e Veriut dhe në Azinë a afërt. Këto janë faktet e kërkesës për angazhim të Uashingtonit në këtë pjesë të Evropës. UE ka probleme të mëdha. Ato po reflektohen edhe në NATO dhe në Uashington. Këtej po ka qëndrime kontradiktore dhe jo unifikative në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.
Mehmeti: Sa më shumë zgjatën bisedimet aq më shumë zvarritet inkuadrimi në BE
Faton Mehmeti
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti, i cili u shpreh se Kosova është nën mbikëqyrje të NATO-s dhe për këtë arsye nuk është urgjente inkuadrimi në NATO.
“Pavarësisht përpjekjeve dhe zërave pro, nuk e shoh të afërt inkuadrimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Kosova është nën mbikëqyrje të NATO-s, pra NATO është në Kosovë, në këtë kuptim nuk shoh ndonjë arsye specifike që do e bënte urgjente një gjë të tillë. Pavarësisht se do të ishte edhe më mirë që të ndodhte një gjë e tillë, prioritet futjen në NATO do të kenë vendet që janë në kufi me Rusinë, qëllimi për ta izoluar Rusinë nga synimet e saj”, u shpreh ai.
Më tej, ai thotë se sa më shumë zgjatën bisedimet aq më shumë zvarritet inkuadrimi në BE, të cilin nuk e shoh të afërt, përveç ndonjë situatë urgjente.
“Pasi të ndodh kjo, do iu kushtohet më tepër vëmendje vendeve të Ballkanit. Mos të harrojmë se edhe procesi në BE është i lidhur me bisedimet me Serbinë. Sa më shumë zgjatën bisedimet aq më shumë zvarritet inkuadrimi në BE, të cilin nuk e shoh të afërt, përveç ndonjë situatë urgjente, e që vështirë të parashikohet”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.