Departamenti amerikan i Shtetit së fundmi e ka parë të arsyeshme të përshpejtohet integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor.
Në një letër që ligjvënësit i dërguan javën e kaluar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, ata shpreheshin se rritja e angazhimit amerikan është më e rëndësishme se kurrë në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë.
“Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Departamenti i Shtetit.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti, i cili u shpreh se Kosova është nën mbikëqyrje të NATO-s dhe për këtë arsye nuk është urgjente inkuadrimi në NATO.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/12/auto_161982809_255225126256663_8298222064963544233_n1647098370.jpg)
“Pavarësisht përpjekjeve dhe zërave pro, nuk e shoh të afërt inkuadrimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Kosova është nën mbikëqyrje të NATO-s, pra NATO është në Kosovë, në këtë kuptim nuk shoh ndonjë arsye specifike që do e bënte urgjente një gjë të tillë. Pavarësisht se do të ishte edhe më mirë që të ndodhte një gjë e tillë, prioritet futjen në NATO do të kenë vendet që janë në kufi me Rusinë, qëllimi për ta izoluar Rusinë nga synimet e saj”, u shpreh ai.
Më tej, ai thotë se sa më shumë zgjatën bisedimet aq më shumë zvarritet inkuadrimi në BE, të cilin nuk e shoh të afërt, përveç ndonjë situatë urgjente.
“Pasi të ndodh kjo, do iu kushtohet më tepër vëmendje vendeve të Ballkanit. Mos të harrojmë se edhe procesi në BE është i lidhur me bisedimet me Serbinë. Sa më shumë zgjatën bisedimet aq më shumë zvarritet inkuadrimi në BE, të cilin nuk e shoh të afërt, përveç ndonjë situatë urgjente, e që vështirë të parashikohet”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.