Situata e krijuar se fundmi me luftën në Ukrainë ka bërë që edhe Kosova të mobilizohet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kështu pas themelimit të Fondit të Sigurisë, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka njoftuar se kanë kërkuar nga NATO-ja mbylljen e hapësirës ajrore për Rusinë.
“Kemi kërkuar nga KFOR-i mbylljen e hapësirës ajrore për Rusinë. Komandanti i KFOR-it ka thënë se KFOR-i së bashku me NATO-n janë duke e shqyrtuar këtë kërkesë tonën. Na është premtuar nga KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se këtë kërkesë tonën do ta marrin seriozisht”, kishte deklaruar ministrja Gëvalla.
Mirëpo, kjo kërkesë e Kosovës u refuzua nga NATO-ja.
“Hapësira ajrore mbi Kosovën mbetet e hapur. Komandanti i KFOR-it ruan autoritetin parësor për përdorimin e hapësirës ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar mjedis të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, kishte deklaruar një zyrtar i NATO-s.
Hapësira ajrore e Kosovës kontrollohet nga Hungaria, shtet ky i cili ka mbajtur qëndrime hezituese sa i përket sanksionimit të Rusisë.
Po ashtu Hungaria në kundërshtim me kërkesën e Kosovës, nuk po e mbyllë hapësirën ajrore për Rusinë dhe kompanitë ruse.
Gazeta “Bota sot” ka biseduar për këtë çështje me ekspertë të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ata kanë dhënë analizën e tyre për atë se cilit vend të NATO-s është e gatshme Kosova t'ia kalojë kontrollin ajror.
Tahiri: Lufta në Ukrainë ka komplikuar përgjithësisht raportet politike dhe ushtarake në botë
Kështu, Mentor Tahiri ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë për gazetën “Bota sot” se fakti që Kosova nuk ka sovranitet mbi hapësirën e lartë ajrore mbi 6.250 metra, është i ndërlidhur ngushtë me autoritetin e KFOR-it në Kosovë.
Mentor Tahiri
Kjo sipas tij, përveç anëve pozitive i ka edhe ato negative që kanë të bëjnë me sovranitetin e kufizuar të vendit tonë.
“Kjo natyrisht sjell disa benifite për Kosovën, për shkak se siguria e hapësirës ajrore garantohet nga aleanca më e madhe ushtarake në botë. Por, ka edhe anët negative e që ndërlidhen me sovranitetin e kufizuar të Kosovës lidhur me hapësirën ajrore.
Kosova e ka të qartë pozicionim e saj gjeopolitik, por jo të gjitha shtetet janë alarmuar mjaftueshëm për rrezikun ushtarak rus. Lufta në Ukrainë ka komplikuar përgjithësisht raportet politike dhe ushtarake në botë. Kjo determinon edhe marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet shteteve, sikurse edhe raportet ndërmjet Hungarisë dhe Rusisë, të cilat së paku deri më tani janë cilësuar shumë të afërta, por ka një tendencë ndryshimi”, ka treguar Tahiri.
“Qeveria e Kosovës duhet ta sensibilizojë çështjen e hapësirës ajrore me diplomaci”
Ai ka theksuar se ndonëse mbyllja e hapësirës ajrore për Rusinë aktualisht nuk paraqet ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë, gjërat mund të komplikohen në rast se vazhdon të ketë një kontinuitet të hapësirës manovruese që hipotetikisht mund përfshijë hapësirën mbi territoret e pushtuara të Ukrainës, Hungarinë dhe Serbinë.
“Qeveria e Kosovës duhet të sensibilizojë çështjen e hapësirës ajrore me diplomaci të matur si një çështje me interes vital për sigurinë kombëtare, përfshirë këtu edhe sqarimin lidhur me pozicionin e kompanisë Hungaro Control, e cila në cilësinë e kontraktuesit kryen shërbimet për KFOR-in. Bëhet fjalë për operator, i cili është në tërësi aset i shtetit hungarez, një nga shtetet e para që e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës”, thekson ai.
Historiku i mbledhjes për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit dhe Kosovës
Kurse, sipas ekspertit të sigurisë dhe inteligjencës, Drizan Shala, sensibilizimi lidhur me hapësirën ajrore duhet të bëhet në vazhdën e përpjekjeve për anëtarësim në NATO.
Drizan Shala
Por, ai thotë se duhet adresuar edhe disa çështje të harruara deri tani, sikurse bojkoti ndaj Kosovës nga ana e disa shteteve fqinje, të cilat nuk po lejojnë shfrytëzimin e hapësirës ajrore për fluturime prej dhe nga Kosova.
“Që nga përfundimi i luftës, hapësira e lartë ajrore e Republikës së Kosovës ka qenë e mbyllur për mbikalime të avionëve civilë dhe është nën autoritetin e NATO-s. Kontrollorët tanë të trafikut ajror ofrojnë shërbime për ngritje dhe aterrime nga Prishtina, si dhe për fluturimet tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës (të shumtën helikopterë të KFOR-it).
Kontrolli i trafikut ajror në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës është nën mbikëqyrjen rregullatore të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Që nga Shpallja e Pavarësisë, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë punuar ngushtë me NATO-n, KFOR-in, BE-në, ICAO-n dhe hisedarët tjerë në rajon për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, dhe në veçanti, për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime të avionëve civilë.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të nismës së NATO-s: Mbledhja për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit (Balkans Airspace Normalization Meeting - BANM). NATO, njësoj sikur edhe autoritetet e vendit tonë, kanë qenë shumë të përkushtuar për hapjen e hapësirës së lartë ajrore. Interesim të madh kanë pasur edhe kompanitë ajrore, sepse mbi Kosovë kalojnë disa rrugë që historikisht janë shfrytëzuar shumë në trafikun ajror ndërkombëtar”, tregon Shala.
Ai rikujton se më 20 shkurt 2014, në Shtabin Qendror të NATO-s në Bruksel, është mbajtur mbledhja e 19-të e BANM-it.
“Mbledhja është thirrur nga Stafi Ndërkombëtar i Njësisë për Menaxhimin e Trafikut Ajror të NATO-s dhe të ftuar kanë qenë Autoritetet e Aviacionit Civil dhe ofruesit e shërbimeve të navigacionit ajror të vendeve të Ballkanit. Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe AAC-ja dhe Ofruesi i Shërbimeve të Navigacionit Ajror ANP-KA “Adem Jashari”.
Rezoluta 1244 si problematikë
Sipas tij, pikë diskutimi ishte rihapja e hapësirës së lartë ajrore e Kosovës për trafikun e aviacionit civil, duke përfshirë këtu përgatitjet e fundit që duhej bërë deri në hapjen e kësaj hapësire ajrore, Instruksionet Specifike të Paklasifikuara të NATO-s (SPINS-at) si dhe normalizimi i hapësirës sonë të ulët ajrore.
“Nga ky takim u konstatua se të gjithë vendimmarrësit janë të gatshëm që të zbatojnë vendimin e Këshillit të NATO-s të vitit 2012 për hapjen e hapësirës së lartë ajrore në Republikën e Kosovës. Më 3 prill 2014, pas 15 vitesh, kanë rifilluar mbikalimet e aeroplanëve civilë në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Bazuar në marrëveshjen zbatuese mes NATO-s dhe Hungarisë, të nënshkruar më 10 korrik 2013, ofrimi i shërbimeve të navigacionit ajror në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës i është deleguar përkohësisht Hungarisë, përmes ofruesit hungarez të shërbimeve HungaroControl, për një periudhë pesëvjeçare. Më 15 korrik 2014, është mbajtur mbledhja e 20-të e BANM-it, në të cilën rëndësi e veçantë iu kushtua temës së normalizimit të hapësirës sonë të ulët ajrore”, nënvizon ai.
Në këtë takim, Shala thotë se Kosovës iu dha mbështetje nga ana e NATO-s, Hungaro-Control-it, Albcontrol-it M-NAV-it dhe përfaqësuesit të kompanive ajrore (IATA) për normalizimin e plotë të hapësirës sonë të ulët ajrore.
Kështu, sipas tij, Kosova dhe hapësira e saj është pjesë e 1244-shit, derisa mbyllja e hapësirës ajrore do të përbënte shkelje të kësaj Rezolute.
“Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së ka transmetuar përkrahjen e Ministrit të Infrastrukturës dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për normalizimin sa më të shpejtë të hapësirës së ulët të Republikës së Kosovës, si dhe ka konfirmuar gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për ofrimin e shërbimeve dhe mbikëqyrjen e sigurisë së këtyre shërbimeve në hapësirën e ulët ajrore, në përputhje me standardet e aplikueshme ndërkombëtare.
Pra, në këtë rast Kosova dhe hapësira e saj është pjesë e 1244-shit dhe ka një status të veçantë nga Kombet e Bashkuara, pra mbyllja do të ishte shkelje e Rezolutës 1244”, përfundon Shala.