Një aksion i madh i quajtur “Pika” të Inspektoratit Policor dhe Doganës është zhvilluar ditën e hënë në Kosovë.
Në këtë aksion janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga Dogana.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se, këtij operacioni i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës. Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë”, thuhet në njoftim.
Për këtë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, do të vazhdoj të jap mbështetjen time maksimale për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për Policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre madhore për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi ai në Facebook.
Në mesin e të arrestuarve janë dy togerë, pesë rreshterë dhe dy zyrtarë doganor
Ndërsa, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media ka njoftuar se janë arrestuar 50 veta.
Ai tha se hetimet lidhur me rastin kanë filluar që në maj te vitit të kaluar dhe nën hetim ishin gjithsej 68 persona.
“Në momente të zbulimit të identiteteve të kryesve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër 68 personave. Sot jemi njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga Dogana. Ndërsa, personat ndaj të cilëve është nxjerrë vendimi për vëzhgimin e tyre, disa janë në arrati; disa edhe nuk janë shtetas të Kosovës. Nga ata persona janë konfiskuar telefonat mobil, të cilët i kanë poseduar, e të cilët do të na shërbejnë më vonë në procedurë penale”, shtoi ai.
Ndërsa, Kushtrim Hodaj nga Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në mesin e të arrestuarve janë edhe pesë rreshter.
“Në kuadër të operacionit “Pika” janë arrestuar 48 zyrtarë Policorë, në mesin e tyre dy togerë, pesë rreshterë si dhe dy zyrtarë doganor. Të gjithë të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Marrje e ryshfetit'”, tha ai.
Tutje ai ka shtuar se “ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit janë të involvuar me qindra herë, apo në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, pas arrestimit të 50 zyrtarëve policorë gjatë aksionit “Pika” në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
“Më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, sepse dje kanë qenë 50 zyrtarë policor që janë dyshuar për korrupsion ose për mitmarrje. Fakti që policia dhe institucionet e shtetit e kanë fuqinë dhe mundësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin, duhet të ndihemi më mirë sot, se dje”, tha Mehmeti në konferencë për media.
A është shqetësues arrestimi i gjithë këtyre zyrtarëve shtetëror?
Mefail Bajqinovci
Megjithatë, pas shumë reagimeve pozitive për arrestimin e këtyre zyrtarëve shtetëror, sa është shqetësues arrestimi i tyre? A është ky grup i vetëm apo kemi ende grupe të tjera të ngjashme brenda Policisë? A tregon se krimi dhe korrupsioni në Polici është i nivelit të lartë i instaluar me vite të tëra?
Për këtë çështje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Çështjen e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinovci thotë se, arrestimi i tyre nuk është shqetësues, pasi puna e bërë nga IKP-ja e pastron Policinë nga elementet kriminale.
Sipas tij, tash po luftohen dukuritë dhe nuk duhet toleruar asnjë zyrtar të keqpërdor detyrën e tij zyrtare.
“Arrestimi i 48 policëve nuk është shqetësues fare, shkrimet për involvim në vepra kriminale, kontrabandë nuk është që nuk i kemi dëgjuar. Andaj kjo punë e bërë sot nga IPK-ja e pastron Policinë nga elementet kriminale. Sa i përket korrupsionit në nivel të lartë, ne kemi pas skandale të panumërta në nivel të lartë duke përfshirë edhe menaxhmentin në të kaluarën. Mendoj se tash po luftohen këto dukuri dhe nuk duhet toleruar asnjë zyrtar të keqpërdor detyrën zyrtare”, thotë Bajqinovci për gazetën “Bota sot”.
“Ky grup i strukturuar kriminal e institucional”
Avni Islami
Ndërsa, doktori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami thotë se, pas arrestimit të një numri aq të madh të zyrtarëve policorë në Policinë e Kosovës, dhe duke iu referuar Inspektoratit dhe Kryeprokurorit, ky grup i madh institucional i organizuar, i përcjellur, vëzhguar dhe hetuar për një vit e më tepër, tregon se, veprimtaria e këtij grupi i ka fillet shumë të hershme dhe se puna e tyre në aktivitetin kriminal ka vepruar për vite të tëra.
“Nuk është hera e parë që institucionet e shtetit duke filluar nga Policia e Prokuroria janë duke u marrë me raste të rënda siç janë rastet e “telefonave”, subvencioneve dhe tash arrestimin e këtij grupi të 50 vetave, një grup kriminal e institucional, pra njerëz të institucioneve të sigurisë, kjo tregon se shteti është duke luftuar në rrugë të mbarë që të luftojë krimin dhe korrupsionin”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.
Ai thotë se, sipas statistikave të State Departamentit Amerikan dhe institucioneve të tjera kredibile, Kosova jo rastësisht radhitet me një shkallë të lartë të kriminalitetit, pra krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Fatbardhësisht populli e ka kuptuar që pas arrestimeve të fundit kjo rrugë do të vazhdojë, pavarësisht se a do të jetë e gjatë a po e shkurtër, dhe para ligjit të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të njëjtë, qoftë qytetar i thjeshtë, profesor, polic, gjykatës apo politikan”, shprehet ai.
Ai beson që në një të ardhme jo të largët forca e drejtësisë do të tregojë se në këtë vend askush nuk është para ligjit dhe të gjithë janë të barabartë.
“Unë besoj që arrestimi i këtij grupi të strukturuar kriminal e institucional do t’i vë në panik edhe grupet tjera, dhe se kjo do t’i ndihmojë bashkëpunimit të qytetarëve me institucionet përgjegjëse për parandalimin e krimit të organizuar. Kjo do të thotë se, qytetarët do të rrisin besimin në Polici, Prokurori dhe Gjykata. Unë pres që aksionet e tilla të vazhdojnë edhe më tutje dhe se Kosova do të bëhet një vend ku do të sundojë ligji”, përfundon Islami.
Shqetësuese dhe e rrezikshme
Gani Qarri
Në anën tjetër, analisti politik Gani Qarri thotë se, duke pasur parasysh faktin se vetëm pak kohë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u raportua se Shqipëria është vendburim i kanabisit dhe bazë për grupet e krimit të organizuar të trafikantëve shqiptarë, të cilët luajnë rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe lëvizin drogat e paligjshme në tregjet evropiane, Qeveria e Kosovës, policia dhe institucionet e sundimit të ligjit, duhet të jenë shumë syçelë dhe të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme, kontroll që fillon pikërisht në pikat kufitare, për të shkatërruar trashëgiminë kriminale dhe asgjësuar lidhjet e grupeve të krimit të organizuar nga baza lokale në Shqipëri, me degët e shtrira edhe në Kosovë.
“Ndaj vet arrestimi i mëse 50 policëve dhe zyrtarëve doganor, vetëm brenda paradites së 14 marsit, si dhe përkrahja e Projektligjit për Reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Komisioni i Venecias, dëshmon më së miri se ç`luftë e madhe dhe përpjekje e jashtëzakonshme duhet dhe është e nevojshme medoemos të zhvillohet kundër sistemit korruptiv e kriminal të instaluar në polici dhe strukturat e inkriminuara në gjyqësorin e kapur të Kosovës, nga ish qeveritarët dhe partitë e inkriminuara. Madje arrestimi i gjithë këtyre zyrtarëve policor dhe doganierëve të korruptuar, vetëm në dy pika kufitare, jo vetëm që është shumë shqetësues por edhe tregon se deri në ç`nivel të lartë dhe shkallë të rrezikshme, ka arritur të depërtojë korrupsioni dhe instalohet krimi i organizuar edhe në vet organet e rendit dhe mbrojtjes së ligjit në Republikën e Kosovës”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.
Krimi i organizuar shtrihet nga Jarinja, Bërnjaku e Karaçeva, deri në pikat kufitare me Shqipërinë
Sipas tij, megjithëse Policia e Kosovës deri më tani renditej si institucioni i dytë më i besueshëm në vend, “tmerron fakti se krimi i organizuar, nuk është më temë dite, vetëm në veri, por ai është shtrirë e zgjeruar nga Jarinja, Bërnjaku e Karaçeva, deri në pikat kufitare me Shqipërinë, në Qafë Prush dhe Qafë Morinë, ku ndodhi edhe arrestimi i komplet ndërrimit të policëve në të dy këto pika të lartcekura kufitare”.
“Ndaj urojmë që edhe ky aksion i policisë dhe prokurorisë së Kosovës, t’i shërbej faktit që vërtetë, të paktën në Policinë e Kosovës, të mos ketë më vend, për ata që e njollosin jo vetëm uniformën e policit, por shkelin edhe ligjin dhe banalizojnë punën dhe angazhimin profesional të zyrtarëve të njëmendtë, që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë sinqerisht dhe në vijimësi në Policinë e Kosovës. Përndryshe nëse nuk merr fund ky avazë i trishtë, turp më të madh, nuk kanë mundur të presin as paramendojnë qytetarët e Kosovës, se sa të bllokohet tërësisht kufiri, jo me Serbinë, por me Shqipërinë dhe të arrestohen të gjithë policët e ndërrimit bashkë me doganier, në pikat kufitare me shtetin tonë amë, prej nga, jo fort moti, pati informacione se futen edhe kamion me qindra kg. lëndë narkotike, pikërisht për shkak të koketimit të policëve e doganierëve të inkriminuar të Kosovës, të dyshuar për korrupsion e keqpërdorim detyre, me kontrabandistët e të gjitha llojeve”, përfundon Gani Qarri.
50 zyrtarëve të arrestuar u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve dhe ndaj të njëjtëve është rekomanduar suspendimi.
Ndërsa, janë zëvendësuar zyrtarët policorë që u arrestuan me zyrtarë të tjerë policorë.