Që kur ka filluar lufta në Ukrainë është përfolur për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet Rusia.
Pasi në të kundërtën, po paralajmërohet që mund të ketë edhe destabilizim të situatës edhe në Ballkan.
Publicisti, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se agresioni rus, ka shokuar botën demokratike e paqedashëse.
“Agresioni fashizoid rus, me tendencën e hapur të pushtimit klasik të Ukrainës sovrane, ka shokuar botën demokratike e paqedashëse. Është e dhimbshme të thuhet, se gjasat për një anëtarësim të përshpejtuar të Kosovës në Bashkimin Evropian, i shton lufta në Ukrainë. Profilaksia, parandalimi i një sëmundje, i një të keqeje, e ka çmimin më të lirë, se sa pritja në ankth. Rusia do kriza dhe, si me sustë, mund t´i fusë "në lojë" veglat e tij, si Vuçiqin e Dodikun, përkatësisht, në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë. Por, kundërshtia e BE-së dhe e NATO-s i tmerron, i stopon”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova është e fundit në Evropë, dhe se nuk i përmbushë kushtet as për BE, e as për NATO.
“Dihet mirëfilli se Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kritere dhe standarde, qoftë për aplikim, qoftë për anëtarësim, në këto institucione madhore. Kosova e sotme, as për së afërmi, nuk i përmbushë kushtet për asnjërën syresh. 23 vjet çlirim i dhuruar nga bota demokratike, e prirë nga forca e saj ushtarake, NATO; 14 vjet pavarësi. Dhe, megjithatë, me standarde Kosova është e fundit në Evropë. Si e tillë Kosova është i vetmi vend evropian, qytetarët e së cilës nuk e gëzojnë lëvizjen e lirë, liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Më tej, Zeqiraj shprehet se është shpërfaqur egërsisht oreksi i shtuar i Perandorisë komuniste-sllaviste-ruse.
“Shansi i zhvillimit ekonomik, duke u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar dhe e Sigurisë kombëtare, duke u anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike , NATO, është mundësi reale. Oreksi i shtuar i Perandorisë komuniste-sllaviste, ruse, tashmë, është shpërfaqur egërsisht. Bashkimi Evropian dhe NATO, si organizma të fuqishme demokratike, në mbrojtje të paqes dhe të sigurisë të Kontinentit të Vjetër, është më i nevojshëm se kurrë. Djegia e etapave kohore, në procesin e anëtarësimit, të shteteve halle-mëdha, të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, në lindje të Evropës dhe të shteteve Baltike, është domosdo e kohës. Sa më parë, aq më mirë”, ka deklaruar Zeqiraj për “Bota sot”.