Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analen Berbok.
Pas takimit të mbajtur mes të dy liderëve, ata ishin në një konferencë për media.
Pasi mbajtën fjalimet hyrëse, kishte kohë vetëm për dy pyetje, dhe natyrisht që tema më aktuale në këto ditë mbetët lufta në Ukrainë.
Kështu mediat gjermane u interesuan veçanërisht nëse kreu i shtetit serb u distancua nga presidenti rus Vladimir Putin.
Kjo pyetje si duket nuk i pëlqeu aspak presidentit serb, duke shtuar që nuk ka asnjë arsye që të distancohet nga Putini.
“Nuk e di nga çfarë të distancohemi, çfarë kemi të bëjmë me konfliktin në Ukrainë, çfarë ka gabuar Serbia, Serbia nuk flet për personalitete, nuk kemi dashuri dhe urrejtje, por ligj ndërkombëtar. Ukraina respektoi integritetin territorial”, është shprehur Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia ka një qëndrim të qartë për Rusinë dhe se nuk ka pasur kontakt me zyrtarët rusë.
“Serbia ka mbështetur atë që BE-ja ka vendosur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi në përputhje me normat e së drejtës publike ndërkombëtare. Për sa i përket kontakteve personale, që nga sulmi në Ukrainë, unë nuk kam pasur asnjë kontakt me zyrtarët rusë. Ne nuk kemi asnjë lidhje me këtë dhe kemi një qëndrim shumë të qartë”, ka thënë ai.
Ndërsa Berbok u shpreh se në bisedën me Vuçiqin kemi diskutuar për një numër të madh temash të tjera, por pranoi të fliste për detajet e bisedës.
Pavarësisht deklaratës së Vuçiqit, i njëjti njihet për miqësinë që ka me Putinin dhe këtë po e shpreh edhe tani duke mos ndërmarr veprime kundër saj.
Mirëpo, si duhet të veproj BE-ja?
Mehazi: BE duhet të veprojë ndaj Serbisë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet profesori Sulejman Mehazi, i cili u shpreh se përkrahja e Vuçiqit për Rusinë është parë që në fillim të luftës dhe se deklaratat e vazhdueshme të tij tregojnë haptas që nuk është kundër Putinit.
Sulejman Mehazi
“Pa dyshim serbët në krye me Vuçiqin brenda shteteve të Ballkanin Perëndimor janë më pro-ruse sesa vetë rusët e mençur që nuk pajtohen me presidentin e tyre Putin. Përkrahja e luftës së Rusisë në Ukrainë nga presidenti i Serbisë Vuçiq u vërejt hapur edhe gjatë konferencës për media pas takimit me Ministren e Jashtëm të Gjermanisë, Analen Berbok, ku me nervozizëm të theksuar iu përgjigj gazetares se: "nuk ka asnjë arsye që të mos vazhdojnë raportet si më parë" me Rusinë. Vetë deklarata e presidentit Vuçiq na bën me dije se Rusia e ka tampon zonë Serbinë për zgjerimin dhe kalljen e zjarreve të luftës në zemër të shteteve të Ballkanit”, tha profesori.
Mehazi thotë që BE-ja nuk duhet të heshtë, mirëpo është e nevojshme të reagojë në këto raste pasi Rusia dhe Serbia po vazhdojnë të manipulojnë me ngjarjet.
“Kur e gjithë bota është kundër luftës ruse në Ukrainë, përveç Serbisë së mikluar nga BE-ja që në mes të Ballkanit përkrahë hapur e guximshëm këtë luftë për të zgjeruar zjarret luftarake të Rusisë në Ballkanin e evropianëve. BE-ja në vend që të zgjidhte problemet madhore e qetësuese të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor sikurse që është Kosova e Bosnjë-Hercegovina këta pa vetëdije apo qëllimshëm lanë këto shtete larg vetes për të manipuluar Rusia me anë të Serbisë”, foli ai.
Ndër të tjera, profesori thotë që pasiviteti i BE-së ndaj Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor do ju kthehet bumerangë luftërash ruse në vetë këto shtete evropiane.
“Shihet hapur se lufta ruse në Ukrainë nuk është kundër BE-së, po kundër NATO-s e SHBA-së, e se disa shtete të BE-së fshehtësisht e përkrahin Putinin për të prishur forcën e fuqishme të NATO-s. BE-ja në vend që ta mbronte pragun e vet në Kosovë veproi të kundërtën që me anë të koalicionit sllavo-rusë-serbë të kallin Ballkanin së bashku me shtetet e zhvilluara të BE-së. Pasiviteti i BE-së ndaj Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor do t’ju kthehet bumerangë luftërash ruse në vetë këto shtete evropiane”, është shprehur Mehazi për “Bota sot”.
Duhanaj: Serbia po vazhdon me propagandë ndaj Kosovës
Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se BE-ja nuk e sheh Serbinë si ne shqiptarët që e shohim, ata e shohin si një shtet me një infrastrukturë shtetërore të rregulluar.
Leon Duhanaj
“Në radhë të parë, duhet kuptuar se bota nuk e sheh Serbinë as me sytë, e as nga këndvështrimi i shqiptarëve. Nëse analizojmë në këtë mënyrë, atëherë shohim se Serbia si shtet, ka infrastrukturë shtetërore, e cila është garantuese e shumë segmenteve dhe marrëdhënieve bilaterale e multilaterale, qoftë politike e diplomatike, qoftë ekonomike e tregtare. Pra, Serbia në krahasim me shtetet në rajon, është partner i madh, por edhe serioz”, foli ai.
Më tej, analisti thotë se Kosova duhet të investoj në shumë gjëra në vend, në mënyrë që të integrohemi sa më shpejt në organizatat ndërkombëtare duke shtuar që në imazhin e Kosovës po punojnë shumë serbët duke bërë propagandë.
“Ne nuk duhet të investojmë energji duke shikuar avancimin e Serbisë, e as të presim që Serbia do të izolohet, apo ndëshkohet për qëndrimet e sajë. Bota perëndimore synon integrimin e Serbisë në vlerat europiane në kohë afatgjate, ashtu siç synon integrimin e shqiptarëve dhe të gjithë regjionit.
Për botën perëndimore nuk janë vetëm serbët problem, i cili duhet korrigjuar. Probleme kemi edhe ne shqiptarët. Për fat të keq, përderisa serbët bëjnë politika strategjike, shqiptarët janë akoma të çorientuar dhe pa strategji të qartë kombëtare”, theksoi analisti.
Në fund, ai shtoi se duhet të shkoj goxha kohë që gjeneratat e ardhshme të integruara fizikisht në Europë, të arrijnë edhe integrimin kulturor.
“Serbia ka lidhje kulturore dhe emocionale me Rusinë dhe bota këtë e di, prandaj për ta integruar plotësisht atë, projektojnë staza afatgjata. Duhet të shkoj goxha kohë që gjeneratat e ardhshme të integruara fizikisht në Europë, ta arrijnë edhe integrimin kulturor”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.