Tashmë ka mbi 20 ditë që ka filluar lufta e Rusisë për ta pushtuar Ukrainën.
Gjatë kësaj kohe, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka përmendur disa herë Kosovën. Ai ka krahasuar rastet e Krimesë, e Luhanit, Donetskit me rastin e Kosovës.
Por, këto deklarata të Putinit nuk janë mirëpritur në Kosovë.
Sipas njohësve të çështjeve politike, deklaratat e Putinit tregojnë qartë synimet e tij. Sipas tyre, Putini nuk ka për qëllim vetëm pushtimin e Ukrainës, por ai synon që të destabilizojë Ballkanin.
Ndërkaq, sa i përket asaj se a rrezikohet Kosova pas deklaratave të Putinit, analistët janë shprehur se sigurinë e Kosovës e garanton KFOR-i.
Duhanaj: Këto interesa i ndjekë Putnini
Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë interesa po ndjek Putini duke e përmendur Kosovën.
“Kur flasim për krizën, përkatësisht luftën, agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën dhe krahasimin që Putini vazhdimisht i bën me Kosovën dhe me regjionet e aneksuara, duhet patur parasysh se Putini i ndjekë interesat ekspansioniste duke u munduar ta marrë si precedent rastin e Kosovës, në mënyrë që ta përdor karshi komunitetit ndërkombëtar”, vlerëson ai.
Sipas Duhanajt, Putini kishte për synim ta përhapte konfliktin edhe në Ballkan.
Leon Duhanaj
“Për mendimin tim, Rusia me përgatitjen për këtë luftë kishte plane shumë më të mëdha se sa që duken tani në horizont, por që fatmirësisht i dështuan.
Pra, plani sipas analizave del të ketë qenë pushtimi i shpejt i Ukrainës dhe shtrirja më pastaj e konfliktit edhe në pjesën tjetër të Europës, përfshirë këtu edhe Ballkanin, në të cilin në një rast të volitshëm do të depërtonte përmes territorit rumun. Një zhvillim i tillë do ta kthente Ballkanin, Europën dhe botën në luftë”, thotë ai.
Por, Duhanaj shprehet se planet e Putinit kanë dështuar.
“Fatmirësisht këto plane i dështuan.
Rusia tanimë po e humbë luftën konvencionale ndaj Ukrainës. Do të bëjë përpjekje ta nxjerrë disi fytyrën nga kjo katrahurë që e ka shkaktuar, por gjithnjë nën kërcënimin e një lufte bërthamore si mjet presioni ndaj botës perëndimore”, thekson ai.
Po ashtu, ai ka treguar se për çfarë qëllimesh mund të shfrytëzohet kjo situatë e krijuar.
“Arsyeja pse e merr Kosovën si rast krahasues dhe shqiptarët si vullnetar, fletë shumë për qëllimin minimal të tij, e që mendoj që është aneksimi i plotë i "republikave" tashmë të njohura të rajonit të Donbasit duke e shfrytëzuar rastin e Kosovës si precedent.
Po mendoj që kjo çështje as nuk mund të krahasohet, e as të pranohet, megjithatë mendoj që për Kosovën nuk do të ketë ndonjë ndikim të veçantë, pasi që për ne edhe ashtu mendimi dhe vendimet ruse nuk janë të favorshme.
Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë klimë antiruse që të lëvizim përpara në përafrimin gjegjësisht, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kosova e ka një shans të mirë të aplikoj për anëtarësim në Këshillin e Europës, prandaj kishte me qenë mirë ta shfrytëzojë këtë”, deklaron ai.
Në fund, ai ka shtuar se Kosova nuk duhet që t`i orientojë politikat varësisht nga qëndrimet e shteteve të ndryshme.
“Ne duhet të fokusohemi duke qenë proaktiv në projektet tona e jo të t'i orientojmë politikat varësisht nga qëndrimet e shteteve të ndryshme, e aq me pak shteteve të cilësuara jo mike siç është Rusia”, thekson Duhanaj për “Bota sot”.
Krasniqi: KFOR-in është garantues i sovranitetit tonë
Islam Krasniqi
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, nuk beson që ka rrezik për Kosovën.
“Jo nuk besoj se ka ndonjë rrezik për Republikën e Kosovës, pavarësisht së na merr për shembull gjithë që nga viti kur e aneksojë më dhunë Krimen. Rusia ka qenë kundër në çdo proces për Kosovën, duke anuar dhe mbrojtur shtetin serb qysh nga regjimi i Millosheviqit dhe tani siç thotë një fjalë e urtë na ka halë në sy”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, ai ka treguar se kush ia ka çel rrugën Putinit për të bërë akuza ndaj Kosovës.
“Disa media për interesa personale (klikime) tërë kohën kanë qëndruar duke publikuar lajme për luftëtarët shqiptarë që kanë shkuar në Siri, dhe ato lajme patën pushtuar edhe mediat botërore dhe tash Rusia e ka rrugën çel për të na akuzuar, por mos të harrojmë se fati jonë i mirë është sepse e kemi KFOR-in këtu, i cili është garantues i sovranitetit tonë dhe se Amerika e ka thënë fjalën e fundit që nuk mund ta luajë as Rusia dhe askush tjetër”, ka deklaruar Krasniqi.
Mehmeti: Putini synon ta destabilizojë Ballkanin
Faton Mehmeti
Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti thotë se Putini po i tregon qartë synimet e tij për të provokuar destabilitet në Kosovë.
“Putini po tregon qartë se ka synime ta destabiliyojë Kosovën dhe Shqipërinë, me faktin se po e alarmon botën për "luftën e shqiptarëve në Ukrainë" për pretekste. Kjo gjë është sinjal për Serbinë që të synojë pastaj dominimin mbi shqiptarët, fillimisht duke provokuar situatën në veri e pastaj me mundësi edhe në krejt Kosovën”, thotë ai.
Po ashtu, ai thotë se Putini synon që ta destabilizojë Ballkanin, dhe këtë e quan alarm për shqiptarët që të mobilizohen.
“Me mesazhet e tija Putini synon ta destabilizojë Ballkanin, krejt kjo në emër të sulmeve ndaj shqiptarëve. Putini nuk synon vetëm Ukrainën, qëllimi dhe synimi i tij është edhe destabilizimi i Kosovës dhe Shqipërisë, për të lidhur pastaj daljen në det, si dhe forcimin e Serbisë në raport me shqiptarët, çka rrjedhimisht nënkupton sundim të Rusisë edhe mbi Ballkanin. Ky është alarm me të cilën shqiptarët duhet të mobilizohen”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.