Serbia po vazhdon të jetë në qendër të kritikave, pas përkrahjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.
Së fundmi, po kërkohet nga Bashkii Evropian që të vendosë sanksione edhe ndaj shtetit serb dhe të bllokojë procesin e anëtarësimit të saj.
Analisti politik, Faton Mehmeti në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot thotë se Bashkimi Evropian do të duhej ta merrte vendimin për ngrirjen e negociatave me Serbinë shumë kohë më parë.
“BE-ja ende s’ka marr vendim për ngrirjen e negociatave me Serbinë, edhe nëse e merr është i vonshëm. Është dashur shumë moti që një vendim të tillë ta ndërmerr BE-ja, me Serbinë që gjithnjë ka shfaqur afërsi me politikën ruse, politikë që prodhon agresion, dhunë dhe luftë”, deklaroi ai.
Pavarësisht kësaj, Mehmeti u shpreh se ngrirja e negociatave me Serbinë duhet të bëhet, pasi shteti serb ka dëshmuar disa herë se vetëm forca e frenon nga orekset e saj.
“Megjithatë, edhe pse vonë, BE-ja duhet ta ndërmarrë një hap të tillë, Serbia kjo Rusi e vogël në Ballkan duhet frenuar me të gjitha format. Serbia ka dëshmuar disa herë se vetëm forca e frenon nga orekset e saj për gjakderdhje. Serbisë duhet t'i vihet kusht: me BE-në ose me Rusinë, s’mund të flirtoj me BE-në dhe të mbështes Rusinë në çmenduritë e saj për luftë”, theksoi analisti.
Në fund, ai kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të rreshtohen krah Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Krahas saj, Kosova dhe Shqipëria të hartojnë politika të përbashkëta duke u rreshtuar krah SHBA-së dhe BE-së, derisa të goditet pozicioni i Serbisë për të përfituar sa më shumë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.