Prishja e kësaj marrëveshjeje do të ishte një ‘grusht’ i madh ndaj Vuçiqit

Politika

Prishja e kësaj marrëveshjeje do të ishte një ‘grusht’ i madh ndaj Vuçiqit

Nga: A.M. Më: 17 mars 2022 Në ora: 14:53
Aleksandër Vuçiq

Për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj shtetit rus, ndërkombëtarët kanë filluar me kritika dhe paralajmërime për sanksione ndaj shtetit serb.

Nëntë eurodeputetë nga grupi liberal Renew Europe kanë kërkuar një ngrirje të përkohshme të negociatave me Serbinë dhe ndalimin e ndihmës financiare të BE-së derisa vendi të përafrohet me pozicionin e BE-së ndaj Rusisë.

Në letër, eurodeputetët thonë se Serbia po tregon “një lëvizje të rrezikshme drejt autoritarizmit” që është në kontrast të fortë me aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Derisa eurodeputetë kërkojnë sanksione ndaj Serbisë, për shkak të shkeljes së marrëveshjeve dhe obligimeve të para anëtarësimit në BE, Shqipëria, po e bën të kundërtën, kryeministri Edi Rama, po e merr në mbrojtje, nëpërmjet të ashtuquajturit “Ballkani i hapur”.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në prononcimin e tij për “Bota sot” e vlerëson pozitive kërkesën për ngrirjen e negociatave të BE-së me shtetin serb.

Ai thotë se vetëm lufta e Rusisë e zgjoi nga gjumi Evropën dhe e vetëdijësoi nga rreziku i madh serbo-rusë.

“Letra e nëntë deputetëve të Komisionit Evropian për ngrirjen e përkohshme të negociatave me Serbinë dhe ndalimin e ndihmës financiare të BE-së ndaj Serbisë, derisa qëndrimet e presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Brnabiqit të largohen nga Rusia, e të përafrohen me pozicionin e BE-së, është për t'u përshëndetur, dhe ja më në fund është dashur që Rusia t'ia nis luftës në Ukrainë e Parlamenti Evropian të zgjohet nga gjumi e të vetëdijesohet nga ky rrezik i madh sllavo-serbo-rusë”, deklaroi profesori.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Sipas Mehazit, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, BE-ja ka filluar t’i shoh më qartë veprimet pro-ruse serbe jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit.

“Siç shihet shtetet e fuqishme evropiane gjatë paqes e miklonin Serbinë, kurse në anën tjetër një liberalizim të vizave nuk ua jepnin qytetarëve të Kosovës, tani vërehet se BE-ja nga rreziku i luftë së Rusisë në Ukrainë kanë nisur t'i shohin më mirë e më qartë veprimet pro-ruse serbe jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj tërë shteteve ballkanike. Për fat të keq është dashur që Rusia të hyjë në luftë në Ukrainë e të favorizohet Kosova e të anulohet procesi i anëtarësimit të Serbisë nga deputetët e Parlamentit Evropian, sanksionet evropiane ndaj Serbisë jo që do ta shpejtojë procesin e dialogut përfundimtar Kosovë-Serbi, po marrëveshje duhet të përfundojë në dobi të Kosovës”, nënvizoi ai.

Më tej, profesori konsideron që kjo letër e detyron edhe Edi Ramën që t’i vë sanksione mikut të tij Vuçiqit.

“Agresioni rus në Ukrainë dhe letra e nëntë deputetëve në Komisionin Evropian kundër Serbisë e detyron edhe qeverinë e Shqipërisë së Edi Ramës të merr masa sanksionuese kundër mikut të tij ideologjik Vuçiqit, po dhe Qeveria e Kosovës duhet vepruar në të njëjtën rrugë diplomatike të nëntë deputetëve evropian. Megjithatë, pozicioni politik e diplomatik i Kosovës dihet me kohë se është kundër Serbisë, problemi më i madh i sanksioneve kundër Serbisë është me qeverinë e Shqipërisë me Edi Ramën”, thotë ndër të tjera Mehazi.

Krejt në fund, ai thotë se veprimi më i mirë i Qeverisë së Shqipërisë do të ishte prishja e marrëveshjes së “Ballkanit të hapur” me Serbinë.

“Vlen të përmendim se gjëja më e mirë e qeverisë së Edi Ramës ndaj sanksioneve serbe do të ishte prishja e marrëveshjes së Ballkanit të Hapur me Serbinë që do të ishte një grusht i madh politik e diplomatik ndaj Serbisë. Fatkeqësisht kryeministri, Edi Rama, nuk mund t'ia prishë qejfin Vuçiqit për shkak se bindja politike e tij ndaj “Ballkanit të hapur” është më e vlefshme se sa mos tradhtimi i atdheut”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat