3 prilli, po afron dhe është dita kur do të mbahen zgjedhjet e Serbisë.
Nga ana tjetër Kosovës, po i shtohet presioni që ta lejojnë mbajtjen e tyre në Kosovë.
Për këtë është deklaruar edhe kyreministri i Kosovës, Albin Kurti i cili ka thënë se, jemi në diskutim edhe me vendet e QUNIT-it, për këtë çështje. “Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe konsiderojmë që në njërën anë nuk duhet që t’u pamundësojmë serbëve në Kosovë që përveçse kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhje që do të marrim në të ardhmen. Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe BE-së këtu në Kosovë në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta... Ne do ta gjejmë një zgjidhje për këtë dhe konsiderojmë që ajo zgjidhje nënkupton vullnetin e mirë por para se të gjitha janë edhe dysheme e tavan është kushtetushmëria dhe sundimi i ligjit. Nuk duam asnjë qytetar i Kosovës që e ka nënshtetësinë e Serbisë të privohet nga e drejta e votës”, ka thënë ai.
Jursiti Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, zgjedhjet nuk duhet të lejohen të mbahen në Kosovë, por serbëve duhet t’iu mundësohet që të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse.
Sipas tij, Qeveria duhet të praktikojë atë që praktikoi lidhur me referendumin sepse jemi shtet i pavarur dhe sovran.
“Para gjithë kësaj ne duhet të shohim praktikat e BE-së se si veprojnë ato saktësisht, shtetet e Quintit dhe BE-së, çfarë praktika kanë ato, nëse ato bëjnë presion dhe kërkojnë diçka nga ne, a e praktikojnë në vendin e tyre atë. Këto zgjedhje nuk duhet të lejohen të mbahen por duhet t’u mundësohet që të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse, sepse është e pakuptimtë lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në republikën e Kosovës, por qeveria duhet të praktikojë atë që praktikuan lidhur me referendumin sepse jemi shtet i pavarur dhe sovran”, vlerëson ai.
Në fund deklaron se, atë që po respektojmë ne duhet të respektojnë edhe bashkësia ndërkombëtare edhe Serbia me qytetarët e saj.
“Qytetarët tanë kudo në Evropë votojnë përmes postës apo edhe vijnë edhe fizikisht votojnë, këtë duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë bashkësia ndërkombëtare, Serbia dhe qytetarët serb se praktikat që i praktikon bashkësia ndërkombëtare do t'i respektojmë edhe ne, duke e ditur se asnjë shtet nuk lejon organizim të zgjedhjeve në shtetin tjetër edhe ne pa e shkelur ligjin, duke respektuar edhe kushtetutën dhe të drejtën e tyre për të votuar duhet t'u krijojmë kushte që përmes postës të votojnë”, përfudnon Krasniqi.