“Rama ka ‘bashkëjetuar’ me disa kryeministra në Kosovë, përveҫ Hotit, asnjë tjetër e sidomos Kurti e Haradinaj nuk kanë mund të bashkëpunojnë me të”

Politika

“Rama ka ‘bashkëjetuar’ me disa kryeministra në Kosovë, përveҫ Hotit, asnjë tjetër e sidomos Kurti e Haradinaj nuk kanë mund të bashkëpunojnë me të”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 mars 2022 Në ora: 21:47
Ilustrim/ Rama, Kurti, Haradinaj

Me zgjedhjen e Dritan Abazoviqit për kryeministër në Mal të Zi, po bëhen tre kryeministra shqiptarë në Ballkan. Kjo shton gjasat dhe shpresat e shqiptarëve për krijimin e kushteve më të mira për Kosovën, Shqipërinë e shqiptarët Maqedonisë së Veriut.

Enver Bytyҫi, profesor universitar në Shqipëri, lidhur më këtë temë thotë se, është ngjarje e mirë që Mali i Zi, ka nominuar për kryeministër të vendit një politikan shqiptar, Dritan Abazoviçin. Këtë ngjarje shumë shqiptarë e përjetojnë me eufori kur thonë se ne shqiptarët kemi tre kryeministra në Ballkan.

Image
Enver Bytyҫi

“Numerikisht kjo mund të bëhet një e vërtetë me emërimin e Abazoviçit në krye të ekzekutivit të Malit të Zi. Por, numrat janë njëra anë. Mund të kemi edhe katër kryeministra në rajonin tonë. Po mendoj në Maqedoninë e Veriut. Por, a mjafton numri i kryeministrave, presidentëve, politikanëve shqiptarë?! Besoj se kjo është krejt e pamjaftueshme. Edhe dy kryeministra janë të mjaftueshëm, kur ata kanë një strategji, përdorin të njëjtën politikë, hartojnë të njëjtat projekte për ardhmërinë e kombit! Por, kur kryeministrat nuk bashkëveprojnë, madje as nuk konsultohen me njëri-tjetrin, mendoj se numrat janë krejt të pavlerë. Ata shumëzohen me zero”, thekson profesor Bytyҫi.

Ai ka përmendur edhe raportet ndërmjet kryeministrave shqiptarë, Edi Ramës dhe kryeministrave të Kosovës për vite më radhë.

“Ne deri sot kemi dy kryeministra shqiptarë: Edi Ramën në Tiranë dhe Albin Kurtin në Prishtinë. Me Ramën kanë bashkëjetuar disa kryeministra në Kosovë, prej Isa Mustafës, te Haradinaj, Kurti e Hoti e prapë te Kurti. Por, veҫ Hotit në një farë mase, asnjë kryeministër tjetër, sidomos Haradinaj e Kurti, nuk kanë mundur të bashkëpunojnë me kryeministrin e Shqipërisë! Përkundrazi ka ekzistuar dhe ekziston një përҫarje e thellë midis tyre. Atëherë a mund të jemi entuziastë pse na shtohet edhe një kryeministër tjetër me përkatësi shqiptare? Besoj se jo”, thotë ai.

Profesor Bytyҫi, thotë tutje se kjo madje mund të ndikojë për ta thelluar përҫarjen, sepse nuk dihet se si do të pozicionohet Abazoviçi.

“Me ‘Ballkanin e Hapur’ të Ramës dhe Vuciqit, apo me opsionin e refuzimit të tij nga ana e Albin Kurtit, unë besoj se Dritani do të jetë kundër ‘Open Balkan’. Por, jo për shkak të bindjes së tij. Sepse ai ka dhënë shenja se në këtë pikë është në të njëjtën anë me Edi Ramën. D.m.th kundër qëndrimit të Kosovës. Por, derisa qenia e tij kryeministër kondicionohet nga Milo Gjukanoviçi dhe deputetët e partisë së tij, atëherë ai është i detyruar të mbajë qëndrim kundër ‘Ballkanit të Hapur’. Ky është testi i parë. Test tjetër janë angazhimet e tij pro-Kosovës. Ju thoni a do të ndikojë në përshpejtimin e pranimit të Kosovës në NATO zgjedhja e tij kryeministër i Malit të Zi! E vetmja gjë që mund të them për këtë është fakti se qeveria e kaluar pro-serbe e pro-ruse do të ishte pasive. Abazoviçi, natyrisht që do të jetë aktiv. Por nuk ka ndonjë peshë Mali i Zi në NATO që të luajë ndonjë rol domethënës. Vetëm amerikanët, gjermanët, britanikët e francezët mund ta zgjidhin këtë dilemë”, vlerëson profesori.

Ai thotë po ashtu se nga ana tjetër pranimin e Kosovës në NATO po e kërkojnë shumë personalitete. Qeveria Kurti ka krijuar një komitet a komision. Por, në Tiranë ka folur njëherë Niko Peleshi dhe askush tjetër nuk kujtohet për këtë.

“Rama ka frikë prej Vuçiqit ta përmendë, jo më të angazhohet personalisht e me një platformë të qartë për këtë. Unë besoj se dy ministret e Jashtme do të duhej të udhëtonin pa pushim në Uashington, Berlin, Londër e Paris, si dhe kryeqytete të tjera, për ta përgatitur terrenin e pranimit të Kosovës në NATO. Por, kjo nuk ndodh. Nuk pres as të ndodhë. Nuk e lëndon kryeministri i Shqipërisë mikun e tij të ngushtë, president të Serbisë! Vuçiqi njëherë në tri ditë e shpreh shqetësimin e tij për mundësinë e pranimit të Kosovës në NATO. Rama hesht”, thekson ai.

Profesori universitar thotë ndër të tjera se kryeministri malazez me përkatësi etnike shqiptare e ka shansin të krijojë imazh të mirë. Dikush në botë don të shohë potenciale te shqiptarët.

“Por, potencial i tillë ishin shqiptarët edhe në perandorinë Osmane. Por, nuk bënë ndonjë gjë për vendin e tyre. Ata qenë të fundit që e pavarësuan Shqipërinë nga kjo perandori. Dhe i fundit gjithmonë e fshin lamën! Megjithatë është mirë kjo. Abazoviçi ishte në një koalicion me anti-shqiptarët. Tash është produkt i deputetëve që kanë pavarësuar Malin e Zi nga Serbia. Ky është lajm i mirë. Shpresoj të mos kthehet përsëri të ngjitet në trenin e partive pro-serbe e pro-ruse. Për në fund dua të them se ka shumë rëndësi që kryeministrat shqiptarë të rekordojnë, të bashkëpunojnë, të merren vesh me njëri-tjetrin. Nëse nuk ndodh kjo, edhe 13 kryeministra shqiptarë të kemi në Europë, asgjë nuk vlejnë”, vlerëson profesor Bytyҫi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat