Profesori universitar Sulejman Mehazi në një prononcim të tij, ka komentuar zgjedhjen e Dritan Abazoviqit si kryeministër të Malit të Zi. Ai thotë se, nuk mund të presim shumë nga kryeministri shqiptar, Dritan Abazoviqi që Kosova të anëtarësohet në NATO.

“Nuk mund të presim aq shumë prej kryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviqit, për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Abazoviqi mund të kontribuojë e përkrahë Kosovën për në NATO, por qeveria e Malit të Zi nuk e ka fuqinë vendimmarrëse të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Për anëtarësimin e Kosovës vendosin të mëdhenjtë e NATO-s: SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermani, Turqia, Franca etj”, vlerëson ai.
Profesor Mehazi thotë se, kryeministrit të Malit të Zi, Abazoviqit, i mundësohet të ndryshojë e avancojë shqiptarët së bashku me pakicat tjera në Mal të Zi, por kurrsesi nuk mund të avanconte e ndryshonte gjendjen e shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë, ai mund të afronte bashkëpunime të ngrohta diplomatike me kryeministrat e dy shteteve shqiptare, Shqipërinë e Kosovën, po gjendjen avancuese shtetërore të dy shteteve shqiptare duhet ta bëjnë Edi Rama e Albin Kurti.
“Themi kështu për shkak se Kryeministri i Malit të Zi, Abazoviqi, më shumë çon politikë qytetare sesa nacionale, ideologjia politike e strategjike e Abazoviqit është jo kombi shqiptar, po shteti i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Kënaqësia e vlera më e madhe e shqiptarëve është se kanë tre kryeministra e asgjë më shumë”, thotë Mehazi për ‘Bota sot’.