Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, mendon se nuk është stinë bisedimesh, derisa aleati i Serbisë po bën luftë.
Kështu ka deklaruar ai derisa ka folur për vështirësinë e bisedimeve me Serbinë, derisa kjo e fundit po përkrahë Rusinë në luftën që po bën në Ukrainë, derisa thuajse e gjithë bota po e dënon atë dhe ka sanksionuar Rusinë.
Sipas tij, Serbia është në ethe në mes të Putinit dhe Evropës.
“Besoj se nuk është stinë bisedimesh mes Kosovës e Serbisë derisa po bëhet një luftë nga aleati historik i Serbisë dhe ajo është në ethet që ta përkrahë Putinin dhe në frikën para Evropës e NATO-s”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.
Sipas Shahut, në stinë qetësie nuk është as Kurti dhe Kosova nga lufta në Ukrainë, derisa shton se Kosova edhe pse nuk është në NATO, e ka brenda atë.

“Edhe Kurti as Kosova nuk është në stinë qetësie pasi krismat e luftës në Ukrainë tronditin gjithë vendet. Por Kosova edhe pse nuk është në NATO, e ka NATO-n brenda saj”, ka thënë analisti.
Ai potencon se tani nuk bëhet fjalë për dialog dhe se lufta ndoshta nuk të bëjë që të përshpejtohet procedurat e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Besoj do të shtyhen bisedimet dhe nuk bëhet fjalë tani në këto kohë për dialog. Ndoshta kjo luftë dhe ekuacionet e fuqive të mëdha, rirreshtimi i forcave në botë mund të bëjë që me procedurë të përshpejtuar të hyjë Kosova në NATO. Edhe Serbia nuk besoj te rreshtohet në humbësin e luftës në finale”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Boa sot”.