Në kohën kur në Ukrainë po zhvillohet lufta pas agresionit rus, autoritetet ukrainase kanë njoftuar se kanë rrëzuar një dron rus në kufirin e tyre me Poloninë duke theksuar se më parë ai kishte fluturuar mbi hapësirën ajrore të një vendi të NATO-s. Poashtu ditë më parë, edhe në Kroaci u rrëzua një dron rus. E Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kërcënuar se të gjithë shtetet që mund të transportojnë armë në Ukrainë, do të cilësohen si shënjestra ushtarake.
Kur kanë kaluar tashmë më shumë se 20 ditë nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, pavarësisht takimeve e negociatave nuk ka ende shenja paqeje mes dy vendeve.
Por a është droni në Poloni dhe Kroaci një provokim i hapur për boten perëndimore, dhe a po synon Putin që të nis një luftë edhe me NATO-n? Për këtë, gazeta “Bota sot” ka folur me profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Lufta e Ukrainës mund të konsiderohet edhe luftë dronësh, përveçse në dimensione të tjera. Në veçanti janë bërë të famshëm dronët e Turqisë, të cilët po përdoren nga forcat e armatosura të Ukrainës kundër ushtrisë pushtuese të Rusisë. Por Rusia po i përdor dronët e saj gjithashtu për të provokuar vendet anëtare të NATO-s. Sigurisht që Polonia, vendet baltike, Sllovakia e ndoshta Rumania, si vende anëtare të Aleancës Atlantike, janë në vijën e parë të kufirit me Ukrainën e për pasojë edhe të rrezikuara më shumë nga ndonjë aventurë ushtarake e Kremlinit”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, vendet evropiane duhet t’i falënderohen Ukrainës, e cila me rezistencën e saj e ndali agresionin rus në kufijtë e saj.
“Një dron rus u kap në kufi me Poloninë nga forcat ukrainase të mbrojtjes. Ndërsa para disa ditësh një dron tjetër u rrëzua në territorin e Kroacisë. Kjo përbën një lloj shqetësimi për Evropën, sepse me shumë mundësi kemi të bëjmë me provokimin e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës. Në fakt vendet evropiane duhet t’i falënderohen Ukrainës, e cila me rezistencën e saj e ndali agresionin rus në kufijtë e saj. Nëse sulmi rus kundër saj do të kapte objektivat e tij në një periudhë prej 48 apo 72 orësh, siç ishte planifikuar në Kremlin, atëherë sot vendet evropiane anëtare të NATO-s do të ishin në prag lufte”, shprehet profesor Bytyçi.
Sipas tij, prapa rezistencës së Ukrainës qëndrojnë Shtett e Bashkuara të Amerikës.
“Natyrisht që rezistenca e ukrainasve është gjithashtu produkt i mbështetjes politike, logjistike, mediatike, ushtarake e vendeve evropiane dhe SHBA-ve. Në momentin që Gjermania theu tabunë e kapërcimit të pengesave historike të pas Luftës së Dytë Botërore për të dërguar ndihmë për një vend tjetër, në atë moment Evropa u homogjenizua në qëndrimet e saj. Vetëm Serbia dhe ditën e djeshme Hungaria kanë shpallur të ashtuquajturën asnjanësi. Por kjo asnjanësi e vetëshpallur është pro-putinizëm. Eshtë shenjë simpatie për Hitlerin dhe Milosheviçin e Shekullit XXI! Është anti-europianizëm. Është shpalosje e marrëdhënieve të mira më Moskën. Evropa duhet të ndërhyjë dhe të mbajë qëndrim ndaj këtyre dy vendeve. Nëse duan asnjanësi le të largohen nga BE! Vetëm në këtë rast ka kuptim asnjanësia. Por një dorë në revani e tjetrën në bakllava, kjo nuk shkon”, thekson Bytyçi.
Sipas tij, shqetësuese duhet të jenë provokimet ruse në shtetet e Ballkanit, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s.
“Ajo që duhet të na shqetësojë ka të bëjë me ndonjë provokim të radhës në vendet jo anëtare të NATO-s dhe sidomos në Ballkan. “Asnjanësia” serbe nuk është neutralitet. Në Serbi kanë ardhur dy javë para sulmit të Kremlinit kundër sovranitetit të Ukrainës tri kompani të ushtrisë ruse. Dy prej këtyre janë stacionuar në kufi me Kosovën dhe një tjetër ka shkuar në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës. Përmes Danubit Moska po dërgon edhe këto ditë armë dhe oficerë e ushtarë në Serbi e përmes saj në Republikën Srpska. Një pjesë e tyre është transferuar në Mal të Zi”, deklaron Bytyçi.
Por çfarë do të ndodhte në rast se Serbia, e përkrahur nga Rusia nis ndonjë sulm në Kosovë apo në ndonjë vend të rajonit?
“Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, u shfaq shumë i shqetësuar nga projektet dhe planet serbe e ruse për asgjësimin e pavarësisë së Malit të Zi. Ai e krahasoi presidentin serb Vuçiq me ish-diktatorin Milosheviç. Kur një president i një vendi anëtar të NATO-s si Mali i Zi shqetësohet në këtë shkallë kjo do të duhej të ishte këmbanë alarmi për të gjithë kombet dhe shtetet e Ballkanit. Nëse ndodh që Moska përmes Serbinë dhe me Serbinë të ndërmarrë ndonjë aksion ushtarak në vendet e brishta të rajonit, atëherë do të kërcënoheshin edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania”, shpjegon më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.
Më tej, ai thotë se fati i vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së, sidomos atyre në Ballkan e në kufi me Ukrainën varet nga fitorja e luftës anti-ruse në Ukrainë.
“Nëse Vladimir Putin do ta pushtojë Ukrainën, ose do ta ndajë territorin e saj, atëherë ai do të sulet kundër vendeve të tjera në Perëndim të Kievit. Doktrina e tij “për mbrojtjen e rusëve dhe botës sllave” është tashmë e njohur. Bazuar në këtë doktrinë presidenti rus do të rrezikojë jo vetëm lirinë e pavarësinë e vendeve të tjera, por edhe vetë ekzistencën e Aleancës Atlantike. Prandaj është shumë e rëndësishme dhe vendimtare fitorja e kësaj lufte në Ukrainë. Madje pa lejuar ndarjen e dy republikave rusishtfolëse të Donbasit dhe të Krimesë”.
“Çdo ndryshim kufijsh dhe të territorit në Ukrainë do të shoqërohet me shkeljen e sovranitetit përmes formave të ndryshme të separatizmit në rajone të tjera të Evropës dhe botës! Nëse Putin e fiton luftën në Ukrainë, ai jo vetëm do të sulmojë vende të tjera, përfshirë edhe ato të NATO-s, por do të çojë në një luftë të tretë botërore. Kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë. Kuajt e Trojës në Evropë, përkatësisht Serbia dhe Hungaria, duhen djegë!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.