Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) është duke u përballuar me një nga kriz shumë të thellë politike.
Fillimisht, vendimi i Lulëzim Bashës për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga PD, shkaktoi pakënaqësi dhe ndarje të brendshme politike.
Mirëpo, me 6 mars Bashës i doli situata nga kontrolli, pasi pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e pjesshme.
Humbja në këto zgjedhje thelloi edhe më shumë krizën në PD, ku me ngulm tash e sa ditë po kërkohet dorëheqja e Lulzim Bashës nga pozita e kryetarit të partisë.
Tani çdo gjë brenda në PD është e paqartë: A do të jap Basha dorëheqje? A do të rikthehet Berisha? apo PD-në do ta udhëheq një politikan i ri?!
Profesori ië të drejtës ndërkombëtare dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” foli për situatën e brendshme politike në Partinë Demokratike dhe krizën që po kalon ajo.
Fillimisht, ai u shpreh se shkaku i krizës në PD është paaftësia e ish-liderit të saj, Lulzim Basha, për të bërë opozitë dhe bashkëpunimi i tij me kryeministrin Edi Rama.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/19/auto_311647707279.jpg)
“Prej shtatorit të vitit të kaluar Partia Demokratike e Shqipërisë ka kaluar në një fazë krize dhe konflikti pa kthim. Shkaku i kësaj krize ishte paaftësia e ish-liderit të saj, Lulzim Basha, për të bërë opozitë. Demokratët zbuluan se shkaku i kësaj paaftësie ishte bashkëpunimi i kreut të opozitës, Basha me kreun e mazhorancës Rama, kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit në biznes. Por, kupa u mbush kur zoti Basha e shpalli ish-kryetarin e kësaj partie, doktor Berishën, të pezulluar (përjashtuar) nga Grupi Parlamentar i PD-së, duke u justifikuar se ai ishte shpallur në muajin maj 2021 non-grata nga ana e Departamentit të Shtetit Amerikan”, deklaroi profesori.
Po ashtu, ai tha se në PD kishte krizë që nga viti 2017, mirëpo kriza u bë publike vetëm kur Basha vendosi që ta përjashtojë Sali Berishën nga partia dhe të hedh akuza monstruozë ndaj tij, njësoj si Rama.
Mirëpo, Bytyçi përmendi edhe suksesin e Berishës me Foltoren dhe aksionin e tij politik.
“Deri në këtë moment Berisha dhe Basha kishin mospajtime jo publike mbi mënyrën e të bërit opozitë. Por, kur Basha publikoi vendimin e tij personal ndaj Berishës, atëherë ky i fundit nuk mund t'i mbante të fshehura nga publiku qëndrimet e tij. Kësisoj nisi kriza publike, një krizë që në thelb ka ekzistuar së paku nga viti 2017 e këtej. Berisha nisi aksionin politik me “Foltoren” dhe ngjalli shpresat e opozitarizmit. Basha u mbrojt me akuza monstruoze ndaj Berishës për të shkuarën e tij. E akuzoi për vitin 1997, Gërdecin, ngjarjet e 21 janarit 2011 e kështu me radhë. Këto akuza politike pa asnjë provë juridike ishin identike me ato të Edi Ramës dhe kundërshtarëve tradicional të Berishës”, theksoi ai.
Lulzim Basha po kërkon të bëjë pazare, me qëllim që të ketë njëfarë roli në Partinë Demokratike
Krahas kësaj, profesori konsideroi se Foltorja e Sali Berishës u mbështet shumë, gjë që u vërteta në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku Lulzim Basha pësoi një humbje të thellë.
Tani, Basha po përballet më kërkesa të shumta për dorëheqje, ku sipas Bytyçit ai po kërkon të bëjë pazare, me qëllim që të ketë njëfarë roli në Partinë Demokratike.
“Foltorja u përhap dhe u mbështet nga shumica e demokratëve, por këtë mbështetje nuk donte ta shihte Lulzim Basha. Derisa sa erdhën zgjedhjet e 6 marsit në gjashtë bashki. Në këto zgjedhje u provua se Berisha kishte mbështetje elektorale 2.7 herë më shumë sesa Basha. Ndonëse logon e PD-së e kishte Basha, fitorja ishte e Berishës. Madje ai fitoi në Shkodër kundër Ramës dhe Bashës të marrë së bashku. Pas kësaj deputetët që kishin mbështetur Bashën dhe kishin besuar se në këto zgjedhje "do ta mundnin Berishën" i kërkuan Lulit dorëheqjen. Tani diskutimi nuk është më nëse ai do e japë ose jo dorëheqjen. Lulzim Basha po kërkon të bëjë pazare, me qëllim që të ketë njëfarë roli në Partinë Demokratike, sidomos në grupin parlamentar. Thuhet se ka kërkuar të jetë pas dorëheqjes kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin. Por, ende nuk dihet nëse do të ndodhë kjo”, nënvizoi profesori.
Në vazhdim ai thotë se Basha do të jap dorëheqje dhe me dorëheqjen e tij fillon bashkimi i PD-së. Krahas kësaj, Bytyçi vlerëson se Berisha do të rikandidojë, pasi ka një mbështetje absolute.
“Dorëheqja e Bashës do të ndodhë, edhe pse ai fillimisht e kushtëzoi këtë me moskandidimin e Berishës për postin e kryetarit të PD-së. Me dorëheqjen e tij fillon bashkimi i Partisë Demokratike. Ky bashkim për mendimin tim do të ndodhë gjithsesi. Nuk e di sa kohë do të kërkojë. Por do të jetë funksional. Në PD tani ka tri grupe, grupi më i madh i deputetëve dhe demokratëve mbështesin zotin Berisha. Një grup më i vogël ende beson se Partinë Demokratike do të duhet ta drejtojë dikush tjetër, duke përjashtuar nga kjo Berishën dhe Bashën. Kjo gjë nuk do të ndodhë. Sepse zoti Berisha ka mbështetje absolute dhe askush nuk mund t'ia mohojë të drejtën e tij për të kandiduar”, potencoi Bytyçi.
Berisha ka provuar se mund të fitojë edhe në kushte terrori të bëra nga Rama
Me tej, profesori beson se me Berishën në krye, PD-ja do të ishte një opozitë e vërtetë, derisa përmendi edhe mbështetjen për Kosovën, e cila beson se do të jetë substanciale dhe jo formale.
“Por, çfarë mund të sjellë zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike? Së pari Shqipëria do të bëhet me opozitë. Nga viti 2013 dukej se opozita ishte njësh me pushtetin. Ne e kemi vënë re këtë edhe në rastin e protestave të organizuara vite më parë nga PD-ja, kur ato mbylleshin për të shijuar plazhet e verës. Me Sali Berishën PD do të jetë opozitë e vërtetë. Kjo do të thotë më shumë liri dhe garanci për demokracinë. Së dyti, mbështetja për Kosovën nuk do të jetë formale, por substanciale. Jo duke diktuar, por duke këshilluar me kompetencë e dije profesionale politike e diplomatike të sinqertë. Këtë askush nuk mund ta bëjë më mirë sesa Sali Berisha. Së treti, rikthimi i ish-themeluesit të PD-së, rikthen homogjenitetin dhe bashkon demokratët. Askush përveç atij nuk mund ta bashkojë këtë parti”, shpjegoi ai.
Në fund, Bytyçi thotë se Berisha e ka dëshmuar se mund të fitojë në kushte terrori ndaj Ramës, ku ndonëse është shpallur non-grata nga SHBA-ja, kjo gjë nuk do ta penalizojë, të paktën deri të ketë ndonjë provë apo fakt.
“Por, a do ta çojë PD-në Sali Berisha në fitore? Lulzim Basha dështoi disa herë në ndeshjen me Ramën. Berisha ka provuar se mund të fitojë edhe në kushte terrori ndaj tij. Por, kësaj radhe ai ka një disavantazh, pasi është i shpallur non-grata. Unë mendoj se për opinionin publik kjo "njollë" biografike nuk e s'kualifikon atë nga fitorja. Përkundrazi, sa më shumë që kundërshtarët ta artikulojnë shpalljen e tij non-grata nga DASH-i, aq më shumë do t'i nxisë shqiptarët që ta zhvleftësojnë këtë fakt. Kjo do të ndodhë sa kohë që nuk do të ketë një provë ose fakt të vetëm për korrupsionin e Doktorit, për të cilin flitet në vendimin e DASH-it”, përmbylli profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.