Qytetarët e Kosovës ende nuk janë të lirë që të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
Kjo pasi që shteti i Kosovës ende nuk e ka fituar liberalizimin e vizave.
Me vite me radhe, qytetarët u gënjyen për marrjen e vizave.
Publicisti Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për liberalizimin e vizave, ai ka hedhur akuza ndaj qeverive paraprake.
“Që, nga viti 2013, ish-zyrtarët pushtetarë, por edhe pozita, vazhdon të trumbëtojë rrejshëm e pacipshëm se "kemi plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja, për liberalizimin e vizave"! Edhe disa nga garda e vjetër klanore e LDK-së, amnistuan krimin dhe kriminelët, duke falsifikuar e gënjyer, se është luftuar krimi i organizuar dhe korrupsioni, më saktë, vjedhja zyrtare. Ndërkohë, për qindra të vrarë politikë, nuk ka të dënuar, përjashto të një ndëshkimi, sikur për faje kundërvajtje; për zhvatjen zyrtare, të pasurive të tundshme dhe të patundshme, të "peshqve të mëdhenj", pra, të PRONTO-mafisë, nuk ka as të akuzuar dhe as të dënuar!”, ka thënë ai.
Po ashtu, Zeqiraj ka hedhur akuza edhe ndaj pozitës së sotme në Kosovë.
“Për çudë, korit të rrenacakëve, se gjoja Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, i është bashkuar edhe pozita aktuale! LVV ka ardhur në pushtet, me premtimin lapidar, se do të luftojë krimin dhe hajninë zyrtare. Por, strukturat e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, e kanë bllokuar, nëpërmjet Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, të kapur nga PAN-i kriminal”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Zeqiraj e ka përmendur edhe deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme dhe e Diasporës për liberalizimin e vizave.
“E vetmja, e fundja e "Mohikanëve", veprimtarja e shquar e paqes dhe e luftës, Donikë Gërvalla, ministre e Jashtme dhe e Diasporës, e cila e thotë të vërtetën, në shkallën sipërore: "Evropa nuk ka faj për vizat. Kosova duhet t`i kryejë detyrat e shtëpisë". Këtë të vërtetë absolute, zonja Gërvalla e deklaroi botërisht. Dhe, kjo është rrjedhë logjike. Sinqeriteti është vlerë njerëzore. Familja Gërvalla ka një histori atdhetare, që daton, të paktën, prej dy shekujsh” ka shtuar Zeqiraj.