Kosova në rrezik nga lufta në Ukrainë/ Amerika jep një sinjal të fuqishëm

Politika

Kosova në rrezik nga lufta në Ukrainë/ Amerika jep një sinjal të fuqishëm

Nga: A.M Më: 22 mars 2022 Në ora: 19:02
Foto ilustrim

Pas zhvillimeve të fundit në luftën Ukrainë-Rusi, së fundi Kosovën e vizitoi një delegacion i Shtëpisë së Bardhë i cili u kryesua nga Elizabeth Sherëood-Randall, Këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Ky delegacion amerikan zhvilloi takime me dy udhëheqësit më të lartë të shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për “Bota sot” thotë se e gjithë bota është trazuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Sipas tij, në rast se zgjerohen sulmet ushtarake ruse, atëherë mund edhe të përballemi me një luftë të tretë botërore.

“Rrethanat, të cilat po i përjetojmë, në këto situata të luftës kur e tërë bota është trazuar me sulmet luftarake që i ka bërë ndaj Ukrainës, Rusia, tash gati po bëhet një muaj, që është duke u zhvilluar lufta, e që kjo luftë mundet të zgjerohet sipas kërcënimeve që po i bënë vetë Rusia. Me këto veprime luftarake nëse zgjerohet edhe ndaj tjera shteteve të Evropës, atëherë mund të ndodhë edhe lufta e tretë botërore që në këto kohëra do të ndodhte një gjendje kaotike-tragjike që s’do t’i dihej fundi i kësaj lufte, meqë në pyetje është edhe arsenali atomik që e posedojnë shtetet e ndryshme të botes e sidomos vetë Rusia si iniciatore që e ka filluar këtë luftë, e para”, deklaroi ai.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Krahas këtyre zhvillimeve, Tërnava përmendi faktin se kufijtë e Kosovës i garanton KFOR-i, që nga viti 1999.

“Duke e pasur parasysh këtë situatë në të cilën tani gjendemi ne si Kosovë, edhe që territorin e Kosovës pas luftës së viteve 1998-99 dhe kapitullimit të Serbisë me marrëveshjen e Kumanovës, e garanton KFOR-i si forcë ushtarake e OKB-së e sipas Rezolutës 1244, e që sigurinë e brendshme të jetësimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës e ushtron Policia e Kosovës dhe FSK-ja, e cila forcë ushtarake edhe kryen stërvitje miqësore të përbashkëta edhe me NATO-n, si brenda ashtu edhe jashtë vendit tonë”, theksoi eksperti i sigurisë.

Po ashtu, ai thotë se të gjithë aleatët e Kosovës po bëjnë çmos që të na përkrahin dhe sa më parë të anëtarësohemi në ato institucione ndërkombëtare sikur që është NATO-ja dhe BE-ja si dhe anëtarësimi në OKB.

“Tani pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete të botës dhe Kosova në rrugëtimin e saj ka pretendime t’i bashkëngjitet NATO-s dhe të bëhet anëtare e BE-së. Mirëpo, pesë shtete të BE-së ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe po janë si pengesë për anëtarësimin e saj në këto institucione ndërkombëtare, edhe që miqtë tonë po bëjnë çmos që të na përkrahin dhe sa më parë të anëtarësohemi në ato institucione ndërkombëtare sikur që është NATO-ja dhe BE-ja si dhe anëtarësimi në OKB”, nënvizoi Tërnava.

Kosova e pavarur është produkt i Amerikës

Më tej, ai e vlerësoi lartë vizitën e delegacionit amerikan për çështje të Sigurisë në Kosovë.

Sipas, ekspertit të sigurisë kjo vizitë është sinjal i fortë se Amerika me forcat që i ka në posedim, është një garantues për shtetin e Kosovës.

“Tani kjo luftë e filluar mes Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar çrregullime të sigurisë evropiane si dhe botërore. Prandaj, edhe ka indikacione se lufta mund të zgjerohet në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani në këto kohëra neve na nevojitet të na qëndrojnë pranë miqtë tanë të përbetuar sikur që është Amerika. Prandaj, vizita e delegacionit të madh amerikan për çështje të Sigurisë është një mesazh i fortë përkrahës për Kosovën, si i pari dhe si zyrtar i këtij lloji. Kjo vizitë është edhe një sinjal i fortë sepse Amerika me forcat që i ka në posedim, është një garantuese për shtetin e Kosovës si dhe përkrahja e anëtarësimit të saj në NATO, në bazë të programit të paraparë që i lejon procedurat e anëtarësimit në këtë institucion, e sidomos tani që ekziston rreziku i sigurisë të shtetit tonë dhe i shumë shteteve të tjera tani të Ballkanit, e sidomos të Ballkanit Perëndimor”, potencoi ai.

Ndër të tjera, Tërnava shtoi se vizita e delegacionit amerikan dëshmon se SHBA-ja i qëndron pranë Kosovës, në këtë kohë kur lufta e Rusisë, ka shkaktuar kriza të mëdha jo vetëm evropiane, por edhe botërore.

“Një përkrahje nga ana e Amerikës si kjo e këtyre ditëve, të këtij delegacioni amerikan e dëshmon faktin se përkrahja dhe afërsia e shtetit mik është e sinqertë, sepse edhe nga ajo luftë që e kishim me Serbinë, ishte Amerika që na qëndroi tërë kohën pranë, dhe pa ndihmën e saj vështirë se do të çliroheshim. Kështu që ndihma e saj tani do të na qëndroj prapë pranë sepse Kosova e pavarur është produkt i Amerikës dhe në këto kohëra sikur që po shihet është duke na qëndruar pran dhe në përkrahje të plotë”, përmbylli Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat