Sot (22 mars) mbushet një vit nga formimi i Qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje me në kyre Kryeministrin Albin Kurti.
Qeveria Kurti u formua pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021.
Kështu, Albin Kurti arriti ta formonte Qeverinë, më 22 mars 2021 duke marr 67 vota për dhe 30 kundër.
Ndonëse nuk u lejua që të merrte pjesë në zgjedhje për shkak të problemeve me ligjin, Kurti me partinë e tij Lëvijen Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, duke ia mundësuar kështu që së bashku me votat e garantuara të deputetëve të pakicave ta formojë pa problem qeverinë Kurti 2.
Nga viti 2019 kur Albin Kurti ishte zgjedhur kryeministër, Lëvizja vetëvendosja u rikthye në qeverisje duke e rritur numrin e deputetëve në 58 nga 29 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2019.
Gjatë Këtij njëvjetor të qeverisjes, kryeministri Albin Kurti u përball me sfida të ndryshme, që nga pandemia Covid-19, pastaj korrupsioni dhe krimi i organizuar, dialogu me Serbinë e shumë e tjera.
Agusholli: Kosova ka treguar para aleatëve angazhimin dhe pozicionimin e drejtë krah miqëve tonë
Gramos Agusholli
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se qeveria Kurti II është përballur me shumë sfida duke filluar nga pandemia.
Por sipas tij, Qeveria e ka menaxhuar mirë ssituatën duke siguruar mbi 2 milionë vaksina kundër CoVID-19 për qytetarët.
“Qeveria Kurti II fillimisht është përballë me problemin e pandemisë, e pikërisht këtë sfidë ka arritur ta menaxhonte me sukses duke siguruar mbi 2 milionë vaksina. Shenja dalluese kryesore e Qeverise e drejtuar nga Albin Kurti, ka qenë dhe është luftimi i korrupsionit e që prej fillimit deri më tani nuk kemi afera të cilat kanë qenë përditshmëri e qeverive të mëparshme. Kjo thjeshtë nuk është sukses përmes të cilit ndalohet keqpërdorimi i parasë publike por kemi të bëjmë me ndryshim të mentalitetit qeverisës.
Në buxhetin e ri, vetëm për Ushtrinë e Kosovës është ndarë buxheti më i madh deri më sot, afro 100 milion euro. Për herë të parë Kosova ka 1 miliardë euro të hyra me një inkasuar përmes doganës mbi buxhet të Kosovës i cili ka shkuar 2.75 miliardë ( 9% më i madh se paraprak). Kemi një rritje ekonomike me gati 10%. Duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Përveçse është e mirëseardhur, është edhe ngazëllyese që lehonat në 6 muajt e parë marrin një ndihmë prej 170€ në muaj. Ky indikatorë përveçse i ndihmon familjet, është edhe tregues për rëndësinë që e ka rritja e natalitetit për këtë qeveri”, deklaron ai.
Ai përmend edhe politikën e jashtme për të cilën thotë se kreu shtetëror i Kosovës ka treguar para aleatëve angazhimin dhe pozicionimin e drejtë krah miqve.
Si sukses deputeti potencon edhe pensionet, homologimin etj.
“Në politikën e jashtme, konsideroj se kreu shtetëror i Kosovës e ka treguar qartë edhe njëherë angazhimin përballë aleatëve dhe pozicionimin e drejtë krah miqve tonë, me theks të veçantë në konfliktin Ukrainë-Rusi. Njëherit duke nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të Serbisë e cila e mbështeti heshturazi agresionin rus ndaj Ukrainës vend i cili synonte të jetë pjesë e boshtit të NATO-së. Largimi i homologimit, gjë të cilën e kemi premtuar edhe gjatë fushatës elektorale. Dhe një vendim shumë i rëndësishëm është për pensionet që nuk ka pension nën 100€. Këto janë vetëm disa nga arritjet që i shkoqitëm më lartë, e që numri i të arriturave është shumë herë më i madh, gjë e cila po shihet dita-ditës”, përfundon deputeti Agusholli.
Bunjaku-Rexhepi: Ke gënjyer e mashtruar gjithmonë Albin
Valentina Bunjaku-Rexhepi
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e pyetur se a ka parime, derisa dy vjet më parë kritikoi Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn.
“A ke parime kryeministër?!
Kryeministër, z. Albin Kurti, a ke parime? Para dy vjetësh, ish-Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafën, e quaje profesor, e më herët e ofendoje dhe sulmoje me koktej molotovi! Ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit, z. Hashim Thaçit, i thoje “Shko Hashim”, e sot veç sa nuk i thua: “Kthehu Hashim”!
Ish-Kryeministrin, z. Ramush Haradinajn, dikur e bëre mik e aleat, e sot i thua hajn e zhvatës!”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kurti është ai i cili i ka dëmtuar Kosovës imazhin nëpër botë, ua ka humbur shpresën qytetarëve duke i mashtruar ata.
“Me këto veprime, mashtrove dhe fitove vota e pushtet, por parimet e liderit të mirëfilltë kurrë nuk do t’i arrish! Kosovës ia ke dëmtuar imazhin nëpër botë, qytetarëve ua ke humbur shpresën, e fjalët e tua tani nuk kanë peshë… Ke gënjyer e mashtruar gjithmonë Albin”, përfundon ajo për “Bota sot”.