Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se zgjedhjet serbe të 3 prillit edhe në Kosovë mund të mbahen vetëm nëse paraprakisht do të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
“Zgjedhjet serbe në Kosovë do të jetë e mundshme vetëm pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë zgjedhje të një shteti tjetër, jo të Kosovës”, tha Kurti.
Mirëpo padyshim që mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë do të sjellë reagime të mëdha në vend.
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/22/auto_auto_muhamet-kelmendi15555924081647978743.jpg)
Ai u shpreh se zgjedhjet e 3 prillit nuk duhet të lejohen të mbahen në Kosovë pasi do të dëmtohet vendi shumë.
Sipas tij 3 prilli mund të jetë data që Serbia dhe Rusia do të dëshirojnë të bëjnë veprime kriminale në Kosovë.
“Zgjedhjet e 3 prillit mund të jenë në komunat serbe, e sidomos në veri të Kosovës, shumë domethënëse për kryerjen e veprimeve kriminale kundër shtetit të Kosovës. 3 prilli është momenti dhe koha e mirë për veprime kriminale të armatosura kundër Republikes së Kosovës për të provokuar luftë të armatosur dhe intervenimin e Beogradit. Ky skenarë është i përafërt me atë në Ukrainë për të ndodhur dhe organet e Kosovës kërkohet të jenë të përgatitura për të vepruar. Edhe UE, NATO dhe SHBA duket se kanë mendim se ky veprim kriminal mund ndodhë. Kjo është formë për provokim dhe për agresion serbo-rus në Kosovë. Ky ishte fakti i vizitave te nga administrata e SHBA-ve në Kosovë, e kryministrit të Austrisë në Prishtine, si dhe të Ministres për Punë të Jashtme të RFGJ në Kosovë. Këtu buron edhe dërgimi nga Bashkimi Evropian i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë në përbërje prej 92 pjesëtarëve në Kosovë”, u shpreh profesori.
Ndër të tjera ai thotë që organet e shtetit duhet të kenë kujdes dhe të jenë në gatishmëri për çdo gjë, kjo sepse nëse ndodhë një veprim i tillë atëhere i gjith vendi duhet të mobilizohet për mbrojtje.
“Sipas një plani operacional duket kështu siguria në Kosove. Veprohet kryesisht nga organet e shtetit të Kosovës. Në ndihmë shkohet nga policët e specializuar të EULEX dhe KFOR të cilët janë organi i tretë që vepron në Kosovë. Përkundër kësaj nuk mendoj se nëse vije tek veprimet kriminale serbe dhe agresioni serbo-ruse mund të kufizohen masat dhe mjetet mbrojtese. FSK dhe populli vullnetar i Kosovës do të ngritet në këmbë. Tërë vendi do të radhitet në mbrojtje. Edhe NATO nuk mund të rri duarkryq. Veprimi i NATOS-s është i domosdoshëm, sepse rrezikohet kontinenti për front të dytë në Evropë. Kështu rriten veprimet luftarake dhe forcat aktuale nuk mjaftojnë për të. Serbia është e armatosur dhe janë nën armë me dhjetëra e mijëra veta. Rreziku është i lartë”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.