Janë bërë 4 vjet që kur deputetët e Kuvendit të Kosovës ratifikuan Demarkacionin me Malin e Zi.
Kundër kësaj marrëveshje ka qenë Lëvizja Vetëvendosje e kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, njëherësh kryeministër i Kosovës, vazhdon ta kundërshtojë atë.
Tani, duke qenë kryeministër i vendit, mendon që të merret sërish me këtë çështje, të cilën e kishte kundërshtuar aq shumë.
Të hënën ai ka thënë se po pret që të formohet qeveria e re në Malin e Zi, që më pas të fillojnë takimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Mallit të Zi, lidhur me çështjen e Demarkacionit.
Kurti tha se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës.
“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re. Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, i cili ka thënë se ky është provokim dhe aspirata të rrezikshme për cenimin territorial të Malit të Zi.
“Unë e konsideroj një provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti, deklaratë e cila shpall aspirata të rrezikshme për të cenuar integritetin territorial të Malit të Zi. Interesante është se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe i mandatuari antikushtetues Dritan Abazoviq”, ka deklaruar ai.
Por, a duhet të ketë bisedime me Malin e Zi për këtë çështje dhe sa ka mundësi që të zhbëhet ratifikimi i demarkacionit?
Kelmendi: Çakorri dhe Kulla janë pa vijë kufitare
Muhamet Kelmendi
Lidhur me këtë, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Çakorri dhe Kulla janë pa vijë kufitare dhe se deri më tani nuk është vepruar.
“Vija kufitare sipas marrëveshjes midis dy shteteve nuk është definitive. Në Çakorr dhe në Kullë nuk dihet vija kufitare. Nga dokumentet del se të dy qeveritë ishin marrë vesh që në Çakorr dhe në Kullë të krijohen komisionet e veçanta që do të analizojnë vijën kufitare. Deri më tash nuk është vepruar. Pse nuk dihet! Por, as Prishtina dhe as Podgorica, nuk morën deri tash iniciativë për të kontaktuar dhe për të krijuar komisionet për caktimin e vijës kufitare”, është shprehur ai.
Sipas Kelmendit, marrëveshja në mes të dy presidentëve, i obligon qeveritë që të takohen dhe të veprojnë dhe se asnjëra palë nuk mund të ikë nga marrëveshja.
“Marrëveshja e arritur midis dy presidentëve, atij të Kosovës me atij të Malit të Zi, i obligon dy qeveritë që të takohen dhe të veprojnë. Këtej pritet që Prishtina të drejtojë çështjen në Podgoricë dhe të sqarojë faktin se në Çakorr dhe në Kullë nuk ka marrëveshje për vijë kufitare. Prishtina nuk ka çka pret. Podgorica është e obliguar të veprojë sipas marrëveshjes. Asnjëra palë nuk mund të ikë nga marrëveshja dhe tërheqja e vijës kufitare në Çakorr dhe në Kullë është obligative”, ka vlerësuar profesori.
Ai shton se Kuvendi e ka pranuar marrëveshjen për demarkacionin dhe me këtë qeveria obligohet që të kontaktojë me Podgoricën.
“Marrëveshja është akt obligativ dhe Kuvendi i Kosovës e ka pranuar. Me atë akt juridik Kuvendi e ka obliguar Qeverinë e Kosovës që domosdo të kontaktojë me Podgoricën për vijën kufitare. Ky obligim është edhe për Podgoricën. Ky është obligim politik ndërkombëtar. Qeveritë nuk mund të ikin. As Malin i Zi nuk ka rrugëdalje pa u takuar me Kosovën për kufirin në Çakorr dhe në Kullë. Marrëveshja është obligative”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.
Burjani: Serbia dëshiron të ndizen shkëndija politike Kosovë - Mal i Zi
Blerim Burjani
Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani vlerëson se kjo çështje është e kryer pasi është nënshkruar marrëveshja dhe çdo gjë ka përfunduar.
“Kjo është çështje e kryer edhe është nënshkruar marrëveshja, pra kjo punë ka përfunduar nuk është mirë dhe aspak pozitive në këtë kohë të flitet për këtë temë dhe në këtë kohë kur bota po ballafaqohet me agresionin rus në Ukrainë, e tërë vendim ndërkombëtar është orientuar atje”, ka thënë ai.
Sipas juristit, kjo temë nuk duhet të nxitet pa pëlqimin e Malit të Zi dhe se kjo i konvenon Serbisë që të ndizen shkëndija politike në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Kjo i konvenon vetëm Serbisë që të ndizen shkëndija politike Kosovë -Mal i Zi. Kjo ide prish balancën e fuqive perëndimore për paqe dhe stabilitet. Pra, pa pëlqim edhe të Malit të Zi, kjo temë nuk duhet të nxitet asnjëherë, nëse veç ka pëlqim të rishikimit, atëherë kjo është diçka tjetër por pa pëlqim dypalësh në këtë çështje është humbje kohe”, ka potencuar Blerim Burjani për “Bota sot”.