Mikja e madhe e shqiptarëve, ish sekretarja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, MedelieineAlbright, dje kaloi në përjetësi, në moshën 84 vjeçare.
Vdekja e zonjës Albright, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, u konfirmua në një njoftim drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga vetë Albright.
Padyshim se shqiptarët e përjetuan rëndë këtë lajm të hidhur, duke e ditur kontributin e pashoq të sekretares Albright në rrugëtimin e Kosovës për çlirim, pavarësi dhe demokraci.
Albright kishte rol kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serbe, që i paraprinë fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Që atëherë, Zonja Albright mund të konsiderohet një ikonë e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës dhe kthimin e mijëra shqiptarëve në shtëpitë e tyre, të cilët u dëbuan me dhunë e terror nga forcat e regjimit kriminal të Millosheviqit.
Zogaj: Zonja Albright ishte krye-personazhi në takimin e Rambujes, më konstruktive se sa disa përfaqësues të delegacionit të Kosovës
Skender Zogaj
Skënder Zogaj, publicist dhe njëri nga ish bashkëpunëtorët e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se zonja Albright do të mbetet e përjetshme në kujtesën historike të Kosovës dhe popullit shqiptar.
“Zonja Albright kaloi në amshim, por do të mbetet e përjetshme në kujtesën historike të Kosovës dhe popullit shqiptar, që me respekt dhe mirënjohje të thellë do ta kujtojnë kontributin konkret të Zonjës së Madhe për çlirimin e Kosovës nga thundra serbe!”, theksoi Zogaj.
Ai rikujtoi se zonja Albright ishte më konstruktive se sa disa politikanë të Kosovës, të cilëve ua imponoi nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, ngjarje kjo që krijoi mundësinë e intervenimit të NATO-s.
“Zonja Albright ishte kryepersonazhi në takimin e Rambujes, ku kjo misionare amerikanë ishte më konstruktive se sa disa përfaqësues të delegacionit kosovar, të cilëve ua imponon forcërisht nënshkrimin e marrëveshjes që krijon mundësinë e intervenimit të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Pra Zonja Albright luajti rolin kryesor në Rambuje, por edhe më pas, duke qenë një mike e madhe dhe përkrahëse e realizimit të Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Zogaj.
Sipas tij, zonja Albright është Heroina që e ka vendin në piedestalin e figurave madhore historike të Kosovës!
“Zonja Albright në librin e saj e treguar miqësinë dhe konsideratat e larta ndaj figurës madhore të Presidentit Rugova, por edhe ndaj UÇK-së, duke përjashtuar disa fërkime dhe qëndrime kakofonike të disa udhëheqësve të saj të papërgjegjshëm, që i kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme luftës dhe zhvillimeve të pasluftës.
Zonja Albright është heroina që e ka vendin në piedestalin e figurave madhore historike të Kosovës!”, ka deklaruar Zogaj.
Shahu: Albright, grua e rrallë e politikës botërore
Rexhep Shahu
Publicisti Rexhep Shahu ka thënë për gazetën “Bota sot” se, Liria e Kosovës e ka edhe emrin e sekretares amerikane Albright.
Ai ka thënë se, Albright e diti se Kosova ka UÇK vullnetare shqiptare që donin të luftonin për lirinë, por nuk ishte ushtri e organizuar shtetërore, nuk kishin armë tjetër veç pushkës ndërkohë që Serbia kishte gjithë arsenalin e armatimit.
“Grua e rrallë e politikës botërore që si perëndeshë kuptoi dhimbjen e vuajtjen shqiptare, përbuzjen e diskriminimin serb, besoi në drejtësinë e shqiptarëve, i besoi si shenjtit të paqes Ibrahim Rugovës që me urtësinë e përuljen e tij bënte ta dëgjonin e ta donin zotat, dhe ajo zonjë u përkushtua për lirinë e Kosovës. Albright e diti se Kosova ka UÇK vullnetare shqiptare që donin të luftonin për lirinë, por nuk ishte ushtri e organizuar shtetërore, nuk kishin armë tjetër veç pushkës ndërkohë që Serbia kishte gjithë arsenalin e armatimit. UÇK shërbeu për ta prishë statuskuone, për ta acaruar Serbinë që ta përshpejtonte e ta rriste shpejt dhunën ndaj shqiptarëve”, ka thënë Shahu.
Nuk iu nda kurrë Kosovës dhe shtet ndërtimit të saj
Ai ka potencuar se liria e Kosovës ka edhe emrin e saj sepse ajo luftoi si rrallëkush për lirinë e Kosovës.
“Lufta diplomatike e Albright, diplomacia e saj e luftës, bëri që edhe kundërshtarët e shqiptarëve të hyjnë në rresht ose të heshtin gjatë aktit të shenjtë e sublim të Amerikës e NATO-s për lirinë e Kosovës përmes luftës ajrore speciale”, ka shtuar Shahu.
Ai ka potencuar se është e trishtë vdekja e zonjës Albright, 23 vjet pas ditës së nisjes së sulmit ajror të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe me 24 mars 1999.
“Sa ishte gjallë ajo nuk iu nda kurrë Kosovës dhe shtetndërtimit të saj. Ajo luftoi edhe me baloshat shqiptare, i demantoi, përbuzi, sfidoi edhe ata që nuk kishin dert edhe pse mund të vdisnin shumë shqiptarë. Ajo me largpamësi të rrallë parashikoi zhvillimet”, nënvizoi ai.
Shahu thotë se Kosova e shqiptarët i detyrohen përjetë zonjës Albright, si luftëtare e lirisë së shqiptarëve.
“Albright ishte në komandë të diplomacisë botërore ashtu siç kishte edhe grua amerikane pilote që fluturonin me avionës e NATO-s dhe e bombardonin Serbinë, në burimet e vrasjes së shqiptarëve.
I përjetshëm kujtimi i ndritur i MedeleinAlbright. Shqiptarët patën fat që i deshi dhe i ndihmoi ajo grua e rrallë, lidere e diplomacisë botërore”, përfundoi Shahu.
Haziri: Albright do të mbetet gjithmonë mike e madhe e Kosovës dhe popullit shqiptar
Nexhat Haziri
Kurse, analistit NexhatHaziri, vlerëson se lajmi për vdekjen e MadeleineAlbright, gruas së parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila kontribuoi shume për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, ishte pikëllues jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë botën shqiptare.
Sipas tij, Albright apo “Gruaja e Hekurt” do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së Kosovës ne rrugëtimin tonë për liri dhe pavarësi të vendit tonë, ku kontributi i saj ishte esencial.
”Dhe tani kur ajo më nuk është në këtë botë, natyrisht se është një humbje e madhe për popullin amerikan, por edhe për popullin e Kosovës, që për ne vazhdoi të ishte një zë i fuqishëm mbështetës edhe kur ishte pensionuar nga politika. Dhe tani kur e kujtojmë periudhën e luftës, rolin e Albright në ndaljen e Milosheviçit dhe terrorit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, takimet e saja me presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, me UÇK-në, mbështetja e madhe në periudhën e pasluftës, përkrahja e sekretares Albright në procesin e Pavarësisë dhe fuqizimit ndërkombëtar në sigurimin e njohjeve, na bën që të reflektojmë, jo vetëm liderët politik, por edhe si shoqëri në përgjithësi se sa të vlefshëm janë miqtë dhe sa e rëndësishme është përkrahja e tyre. Albright do të mbetet gjithmonë mike e madhe e Kosovës dhe popullit shqiptar”, përfundonHaziri.