Fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe miqësia ruse me Serbinë, por edhe me Republikën serbe në Bosnje, e ka filluar edhe një luftë hibride kundër Kosovës e Shqipërisë.
Dezinformimi, propaganda, kërcënimet kibernetike, fushatat e egra diplomatike, sabotimet e shantazhet, e një mori metodash të tjera që njihen ndryshe si lufta hibride, po i përfshijnë gjithnjë e me shumë Kosovën dhe Shqipërinë.
Lufta hibride Kosovë-Shqipëri
Analistët dhe ekspertët thonë për gazetën “Bota sot”, se tashmë me vite të tëra nuk ka pushuar lufta hibride në Kosovë e Shqipëri.
Sipas tyre, Rusia po kërkon forcimin e ndikimit të saj në Ballkan.
Fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe miqësia ruse me Serbinë, por edhe me Republikën serbe në Bosnje, e ka filluar edhe një luftë hibride kundër Kosovës e Shqipërisë.
Dezinformimi, propaganda, kërcënimet kibernetike, fushatat e egra diplomatike, sabotimet e shantazhet, e një mori metodash të tjera që njihen ndryshe si lufta hibride, po i përfshijnë gjithnjë e me shumë Kosovën dhe Shqipërinë.
Lufta hibride Kosovë-Shqipëri
Analistët dhe ekspertët thonë për gazetën “Bota sot”, se tashmë me vite të tëra nuk ka pushuar lufta hibride në Kosovë e Shqipëri.
Sipas tyre, Rusia po kërkon forcimin e ndikimit të saj në Ballkan.
Profesor dr. Enver Bytyçi thotë se, prej vizitës së parë të Edi Ramës në Kosovë në vitin 2014 e deri më sot nuk ka pushuar asnjëherë lufta hibride Kosovë-Shqipëri.
“Që herën e parë të vizitës së vet kryeministri i Shqipërisë hoqi dorë nga protokolli dhe e adresoi atë vizitë te Hashim Thaçi, Rexhep Qosja e të tjerë mbetje ex-enveriste e titiste. Ndërkaq injoroi emrin dhe lavdinë e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke mos pranuar ta përmendë emrin e tij në fjalën që mbajti në parlament”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, më vonë në vizitën e dytë shkoi në Prishtinë dhe po në parlamentin e Kosovës hodhi idenë e presidentit të përbashkët, duke i hap rrugë kësisoj interesave serbe në Kosovë.
“Prej atij momenti diplomacia e Beogradit e mori në USB këtë deklaratë dhe me të në dorë shkoi kudo nëpër botë, duke u thënë shteteve që nuk e kishin njohur shtetësinë e pavarësinë e vendit: “Nuk ka kuptim që ju ta njihni pavarësinë e Kosovës, këtij vendi, i cili nuk do të ekzistojë, sepse ajo do të bashkohet me Shqipërinë”. Dhe ja ku e keni provën: Vetë kryeministri i Shqipërisë kërkon zgjedhjen e një presidenti të përbashkët të Kosovës dhe të Shqipërisë. Edhe në rastin e vizitës së Edi Ramës në Beograd, kur ai vetëlavdërohet se “kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia”, kishim të bënim me një truk dhe marrëveshje të tij me Aleksandër Vuçiqin. “Dëgjo Sandër, unë në konferencën me ty do të kërkoj që ju ta njihni pavarësinë e Kosovës. Ti mos u mërzit për këtë. Po e bëj këtë se më duhet të rriti kredibilitetin tim te shqiptarët e më pas do ta kem më të lehtë të ndikoj në realizimin e planeve, për të cilat folëm”!”, shton tutje ai.
Planet: Jugosllavi të re ose ndarje të Kosovës
Profesori pohon se, planet dhe projektet nisnin nga nisma për krijimin e Jugosllavisë së Re deri te ndarja e Kosovës.
“Në kulmin e diskutimit për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve me Kosovën, Edi Rama u konfliktua publikisht me Ramush Haradinajn në mbledhjen e përbashkët të qeverive, të dy vendeve në Pejë. Thirri me zë të lartë e tha se “Kush nuk e përkrah Hashim Thaçin për ndarjen e Kosovës e i thotë atij tradhtar, është gomar“! “Gomari” ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sepse ai kishte dalë në mbrojtje të territorit të vendit të tij. Natyrisht që kjo retorikë adresohej edhe kundër Sali Berishës, Ilir Metës, e gjithkujt tjetër që kundërshtonte idenë dhe projektin serb të aneksimit të veriut të Kosovës”, thekson tutje ai.
Sipas tij, edhe me qeverinë Kurti Edi Rama i kishte dhe mban marrëdhënie të tensionuara.
“Kjo duket jo vetëm nga retorika, por edhe nga fakti se kryeministri i Shqipërisë vendosi marrëdhënie paternaliste dhe klienteliste me autoritetet e Kosovës. Pra, lufta hibride i takon Shqipërisë. Qeveria shqiptare adresoi kundër Kosovës një luftë hibride të pakuptimtë dhe të pashembullt. Madje u bë palë me Beogradin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Ne e mbajmë mend kur Rama në vitin 2016 shkoi në Nish dhe ftoi atje një delegacion të Kosovës, me qëllim që t’ia impononte idetë dhe vendimet e tij. Në prani të tyre ngriti lart figurat anti-shqiptare të Serbisë si Ivo Andriçin apo Kosturicën”, thotë Bytyçi.
Bytyçi potencon se, marrëdhënia speciale e Edi Ramës me ish-presidentin Hashim Thaçi ishte në harmoni me marrëdhënien vëllazërore të tij me presidentin serb, Vuçiq.
“Kjo është arsye pse Shqipëria i është bashkuar Serbisë në luftën hibride kundër Kosovës. Kjo është thikë pas shpine për shqiptarët e Kosovës. Është vërtet një rast sui generis ky i gatshëm për studime empirike, politike e diplomatike. Se si dhe pse kryeministri i Shqipërisë u bashkua me shtetin armik të Kosovës kundër Kosovës, kjo përbën një lloj problemi të paparashikueshëm dhe unik në historinë e shtetit shqiptar, madje edhe më parë”, thotë ai.
Klubi nga Baton Haxhiu, disa politikanë të PDK-së dhe disa analistë
Ai pohon se, autorët kryesorë janë të denoncuar tashmë në këtë veprimtari.
“Por, ka edhe shërbëtorë jo të paktë, të cilët duhen identifikuar dhe duhen ekzaminuar në opinionin publik. Është p.sh Baton Haxhiu. Janë disa politikanë të PDK-së dhe disa analistë pranë kësaj partie. Na del edhe ndonjë tjetër figurë publike pro ideve të çmendura në mbështetje të Ramës dhe luftës hibride të tij kundër Kosovës. Njëri prej më kryesorëve e ka emrin Behgjet Pacolli. Përfundimisht duhet thënë se zakoni i vjetër i Serbisë për të blerë politikanë dhe figura publike të Shqipërisë dhe Kosovës, madje edhe në Maqedoni nuk ka marrë fund. Por edhe dëshira dhe zanati i vjetër i autoriteteve shqiptare që u shiten interesave serbe është akoma prezent në elitat tona shqiptare! Kjo është tragjedia më e madhe. Dhe kjo tragjedi e ka emrin korrupsion. Vetëm të kurruptuarit blihen e shiten si lopët në pazar”, përfundon prof. dr. Enver Bytyçi.
Pasojat e një skenari fatal
Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, pohon se, nga fillimi i shekullit të 21-të, Ballkani u referua si zemra e Evropës, një rajon i rivalitetit intensiv midis Rusisë dhe NATO-s për të krijuar sfera gjeopolitike të ndikimit.
“Aktivitetet e NATO-s janë të përqendruara në zbatimin e politikës së "derëve të hapura". Zgjerimin e Aleancës për të përfshirë shtetet e Ballkanit dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në fushën e misioneve stabilizuese të kryera në këtë rajon. Nga ana tjetër, Rusia po kërkon të forcojë ndikimin e saj në Ballkan duke ndjekur një politikë frenimi të një numri vendesh ballkanike, të cilat kanë zgjedhur kursin euroatlantik të zhvillimit duke përdorur mekanizmat hibride të politikave të aplikuara tashmë nga autoritetet e Kremlinit për të destabilizuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën”, thotë ai.
Sipas tij, duhet të analizohen aktivitetet e kryera nga Rusia për të fituar ndikim në formësimin e politikës së brendshme dhe sigurisë së vendeve si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia e Bullgaria.
“Baza e këtyre aktiviteteve është përpjekja rse për ta forcuar pozicionin e saj në rajon dhe të fitojë aftësinë për të vendosur për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni. Prandaj, duhet të diskutohen mekanizmat hibride të politikave të përdorura nga Rusia për të rrëzuar qeverinë malazeze si përgjigje ndaj anëtarësimit të vendit në NATO. Duhet të shpjegohen arsyet e mbështetjes së autoriteteve ruse për forcat e krijuara paraushtarake pro-ruse serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Për më tepër, do të duhet të tregohet roli i Rusisë në ndërtimin e marrëdhënieve politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë ai.
Shala shton se, aktivitetet e Moskës në lidhje me fillimin e sulmeve kibernetike masive ndaj institucioneve qeveritare të Bullgarisë dhe testimin e hapësirës ajrore të Bullgarisë pas aneksimit të Krimesë duhet gjithashtu të analizohen.
“Konsiderojë se Rusia po kërkon të forcojë ndikimin e saj në Ballkan duke rritur aftësitë e saj ushtarake dhe duke zbatuar një politikë hibride që synon të largojë nga pushteti udhëheqjen aktuale properëndimore të Malit të Zi dhe Bullgarisë dhe ta zëvendësojë atë me përfaqësuesit prorus. Forcimi i tensioneve etnike dhe aspiratave politike separatiste në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, duke nxitur marrëdhëniet e acaruara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Këto aktivitete krijojnë një mjedis që i mundëson Rusisë të provokojë ose të lëshojë një konflikt të ri në Ballkan - një luftë hibride, në të cilën Moska do të përdorë në shkallë të gjerë – rajonale, metodat që tashmë janë zotëruar nga Kremlini në Abkhazia dhe Osetia e Jugut, si dhe në Krime dhe Donbas. Pasojat e një skenari të tillë mund të jenë fatale për situatën gjeopolitike në rajonin Qendror dhe Lindor të Evropës. Prandaj, NATO duhet të forcojë aftësitë ushtarake në Ballkan për të parandaluar rishfaqjen e skenarëve, si aneksimi i Krimesë dhe pushtimi i Ukrainës Lindore”, përfundon ai.
Kurse analisti politik dhe juristi Blerim Burjani thotë se ekziston vullneti për luftimin e luftës hibride.
“Natyrisht se përpjekja dhe vullneti për të luftuar këtë luftë ekziston. Kapacitetet janë për të dekonspiruar edhe rrjetin politik rus dhe atë ekonomik në Shqipëri, dhe kjo po bëhet, por më shumë në Kosovë. Prandaj ka përpjekje për luftimin e kësaj lufte hibride edhe në Malin e Zi”, thotë Blerim Burjani.