Presidenti serb Aleksandër Vuçiq e ka kërcënuar Kosovën sërish. Kësaj radhe së bashku me Kosovën e ka kërcënuar edhe Malin e Zi, kjo për arsye të moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe në shtetin malazez. Madje ai ka thënë se do të kenë pasoja afatgjata.
"Prisni shumëçka, qeveria malazeze (e atë nuk e patë bërë as Gjukanoviçi) ka ndaluar votimet në Berane dhe vende të caktuara për zgjedhjet tona, qeveria Kurti ka kërkuar ta pranojmë Pavarësinë e Kosovës për të organizuar zgjedhjet. Mali i Zi dhe Kosova do të marrin përgjigjen e njerëzve serioz dhe përgjegjës, por do të jetë me pasoja afatgjata”, ka thënë Vuçiq.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa i përket zgjedhjeve serbe në Kosovë ka thënë se “nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Mulliqi: Ardhja e pushtetit politik në Kosovë, Joe Bideni president të Amerikës, avantazhi politik i Serbisë u kthye në favor të Kosovës
Lidhur me këtë analisti Skënder Mulliqi, thotë se presidenti serb po dëshiron që në paqe ta krijojë Serbinë e madhe, atë që nuk mundi ta bëj paraardhësi i tij Millosheviqi.
Skënder Mulliqi
“Presidenti i Serbisë prej se ka ardhur në pushtet, nuk i ka ndalur kërcënimet ndaj Kosovës, ashtu siç nuk i ka ndalur as ndaj Malit të Zi dhe Bosnjës. Vuçiqi këtë shkollë shoviniste politike e ka mësuar mirë, nga Millosheviqi si eksponent i tij që ishte. Krimineli i luftës Millosheviq tentoi që me luftë ta krijojë Serbinë e Madhe, kurse Vuçiqi, atë që nuk e arriti ai, po tenton ta realizojë në kushte të paqes”, deklaron ai.
Sipas tij, Serbia është ajo, e cila ka synuar gjithmonë destabilizimin e shteteve të rajonit.
“Bosnja ka mbetur shtet pa qëndrueshmëri politike dhe ekonomike, se në shumë fusha pushteti atje funksionin ndarazi nga qendra. Republika Serbe nëpërmjet Dodikut qe shumë kohë po kërkon shkëputjen nga BH-ja. Mali i Zi pas referendumit u shkëput nga Serbia me vota të shqiptarëve, dhe më vonë me Gjukanoviqin në krye të pushtetit, arriti të bëhet pjesë e NATO-s. Kosova e fundit u pavarësua nga Serbia me luftë, dhe u bë shtet sovran dhe i pavarur. Për anëtarësimin e Malit Zi në NATO, Serbia dhe Rusia kurrë nuk u pajtuan, prandaj edhe bënë gjithçka për ta destabilizuar këtë Republikë. Në vitin 2016 tentuan të bëjnë grusht shtet me disa oficerë serb dhe rus, për ta përmbysur nga pushteti Millo Gjukanoviqin. Një kërcënim tjetër ndaj kësaj republike e bëri Serbia me klerikët serb me ngjarjet në Cetinë. Prandaj edhe për atë nuk po e lejon Mali Zi mbajtjen e zgjedhjeve serbe atje”.
Tutje, Mulliqi shton, se Vuçiqi dhe Serbia, që nga paslufta e kanë kërcënuar Kosovën me destabilitet dhe me kërcënime ushtarake, me strukturat kriminale paralele serbe etj.
Por, analisti thotë që me ardhjen në pushtet të forcave të reja politike në Kosovë, dhe të Joe Bidenit për president të ri të Amerikës, Serbia filloi ta humb avantazhin politik, dhe mbështetja politike filloi të jetë në favor të Kosovës
“Ajo që na intereson më së shumti neve është, se Serbia krejt pas luftën e kërcënoi Kosovën me luftë, me strukturat kriminale paralele serbe dhe me “Rojat e urës” mbi lumin Ibër dhe në veri të Mitrovicës. Jemi dëshmitar të shpërthimeve të ndryshme me bomba dhe të akteve të tjera të dhunës të minoritetit serb për destabilizim të Kosovës. Në kohën e fundit Vuçiqi në mënyrë të hapur, duke pru trupa ushtarake në kufijtë me Kosovën kërcënoi me luftë për ndarjen e veriut të Mitrovicës nga Jugu, duke e shfrytëzuar si pretekst nënshkrimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive në Bruksel. Duhet pasur parasysh se këto kërcënime po vijnë nga Serbia, edhe për faktin se në bisedimet maratonike me palën serbe, shumë u faktorizua ky shtet nga lëshimet që ju bënë nga ana e Kosovës. Me ardhjen në pushtet të forcave të reja politike në Kosovë, dhe të Joe Bidenit për president të ri të Amerikës, ky avantazh politik i Serbisë u kthye në favor të Kosovës. Por, shpërthimi i luftës që ndodhi në Ukrainë, sikur ngjalli shpresat e Serbisë dhe aleatit të saj Rusisë të Putinit, që me luftë ta kthejnë hegjemonin në Ballkan dhe më gjerë. Rusët po dëshirojnë luftë edhe në Ballkan. Ky shtet ka vu në shënjestër Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë, Kosovën dhe Maqedoninë Veriore. Një bartëse e aeroplanëve ushtarak të Francës po qëndron në Detin Adriatik, pastaj janë dyfishuar forcat ushtarake të NATO-s në Bosnje, prurja e dy aeroplanëve të luftës F-16 në Zagreb. Këto janë tregues se Perëndimi dhe Amerika, e kanë përqendruar vëmendjen në shtetet e rajonit, që nuk e kishin shumë deri më tash. Që Serbia dhe Vuçiqi të na kërcënonin pa pushuar kishin kontribuar edhe pushtetet tona të korruptuara. Ia nisën me 8200 hektar tokë, që ia dhuruan Malit të Zi, e këtë avaz, e vazhduan duke koketuar me Vuçiqin për shkëmbime territoriale”, vlerëson analisti.
Sa i përket deklaratës së presidentit serb, ai thotë se po i bën më shumë për marketing politik, para zgjedhjeve në Serbi.
“Deklarata e fundit e presidentit të Serbisë, ndaj Kosovës dhe Malit të Zi për moslejim të zgjedhjeve në këto dy republika, Vuçiqi po tenton ta shfrytëzojë agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe deklaratat e Putinit për luftë në Ballkan, për të futur frikë. Po të ndodhte që Vuçiqi ta pranojë shtetësinë e Kosovës siç ka kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëherë mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë mund të diskutohej. Por, Vuçiqi shumë herë e ka përsëritur se “kurrë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës”. Duke u nisur nga kjo dhe shumëçka tjetër, Kosova nuk ishte dashur ta lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në vendin tonë. Deklarata e Vuçiqit për gjoja pasojat afatgjata të Kosovës, po i bënë më shumë për marketing politik, para zgjedhjeve në Serbi. Bashkësia ndërkombëtare është duke ia mbyllur qarkun Putinit në Ukrainë, për t’ia pamundësuar reflektimin e luftës edhe në Ballkan dhe më gjerë. Prandaj, edhe këto kërcënime të fundit të shovinistit Vuçiq, do t’i bartë era, siç i ka bartur shumë herë deri më sot”, përfundon Mulliqi.
Duhanaj: Zgjedhjet serbe në Kosovë, vetëm kundrejt ndonjë kompensimit politik
Edhe analisti, Leon Duhanaj, thotë se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë vetëm kundrejt ndonjë kompensimit, qoftë nga ana e Serbisë drejtpërdrejtë, apo nga ana e BE-së në sferën politike.
Leon Duhanaj
“Për mendimin tim, një vendim i tillë, nëse do të duhej lejuar, atëherë vetëm kundrejt ndonjë kompensimit, qoftë nga ana e Serbisë drejtpërdrejtë apo nga ana e BE-së. Kur flasim për kompensim, nuk mendojmë për atë financiar, por politik. Nëse komuniteti ndërkombëtarë insiston që Kosova ta bëj një hap të tillë për hir të çfarëdo arsyeje, atëherë duhet në radhë të parë ta dëshmojnë veten se janë vërtetë partner serioz dhe të marrin ndonjë vendim pozitiv karshi Kosovës”, thotë analisti.
Sipas tij, dihet se me vite BE-ja na kanë izoluar, duke shtuar se çështja e deklaratave qoftë e Presidentit serb Vuçiq, qoftë e ndonjë tjetri si ai, nuk duhet të jetë relevante.
“Dihet mirëfilli se BE-ja na ka lënë me vite të izoluar edhe pse vazhdimisht e përdorin sloganin që i kemi plotësuar kriteret. Ndërsa, në anën tjetër, për sa i përket Serbisë dhe politikanëve të saj, nuk kemi çfarë të merremi me deklaratat e tyre. Ne e dimë fare mirë se nëse do ta kishin mundësinë çfarë do të bënin me Kosovën, por dhe me Malin e Zi tashmë. Pra, nuk duhet të jetë relevante çështja e deklaratave qoftë e presidentit serb Vuçiq, qoftë e ndonjë tjetri si ai. Nga kasta politike në Serbi, nuk ka dëgjuar askush viteve të fundit ndonjë mendim, i cili kishte me u cilësuar paqësor apo pa tendenca. Vuçiq dhe Serbia me të, duhet të fokusohen rreth së ardhmes së vendit të tyre e që për fat të keq bazuar në kontekstin gjeografik i afekton edhe shtetet fqinje, e me to edhe Kosovën. Për fund, mendoj që cilido që do të ishte apo të jetë vendimi, duhet të jetë i koordinuar me shtetet e QUINT-it, përkatësisht me SHBA-në, sepse fati ynë është dhe duhet të mbetet i lidhur me ta!”, përfundon analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”.