Kriza që ka kapluar gjith vendet e botës nga lufta që po vazhdon në Ukrainë, ka arritur të sjellë shqetësime të mëdha tek qytetarët edhe tek liderët e shteteve.
Pas situatës së krijuar në Ukrainë, Kurti thotë se Putin e sheh veten si Stalini dhe qëllimi i tij është të rishkruajë historinë.
“Putin dështoi në operacionin blitz, por nuk dëshiron të ulet për të negociuar me Zelensky, dëshiron ta bëjë atë me Biden. Ai dëshiron të rishkruajë historinë dhe mendon se është në lartësinë për ta bërë këtë.
Lufta në Ukrainë, nuk do t’i mjaftojë, do të duhet ta zgjerojë atë nëse dëshiron të bisedojë me Bidenin.
Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar, Ballkani Perëndimor është një rajon që ai mund të përpiqet ta bëjë këtë. Dhe ai mund ta përdorë armë kimike siç ka bërë tashmë në Siri”, ka thënë ai.
E në lidhje me këtë temë analisti politik Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që NATO-ja e ka nën mbikëqyrje shtetin e Kosovës dhe se një mundësi e tillë nuk do të lejohet.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/26/auto_auto_kras15109321651648310237.jpg)
“Unë nuk e besoj atë çfarë potencoi kryeministri Kurti, sepse Ballkani është nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe gjithçka është nën kontroll. Putini ishte munduar disa herë që të përhap konflikte në Ballkan përmes Serbisë apo serbëve që jetojnë jashtë kufijve të saj, por që nuk kishte sukses asnjëherë, duke i shkuar kot gjithçka”, thotë analisti.
Ai në fund sugjeron që shteti i Kosovës të investojë në ushtrinë tonë dhe të blejë armatime derisa të bëhemi pjesë e NATO-s.
“Ne duhet të fillojmë ta përgatisim ushtrinë tonë, të blejmë armatime, po edhe të kërkojmë ndonjë falas, sepse vullneti i miqve tanë asnjëherë nuk ka munguar për të na ndihmuar. Ne duhet të kërkojmë që KFOR-i t’i ruajë kufijtë tanë derisa ne të bëhemi pjesë e NATO-s apo të furnizohemi me armatim dhe të barazohemi me shtetet fqinje në aspektin ushtarak”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.