Kërcënimet për fillimin e një lufte në Kosovë/ Mësohen emrat e politikanëve që po i shfrytëzon Vuçiqi!

Politika

Kërcënimet për fillimin e një lufte në Kosovë/ Mësohen emrat e politikanëve që po i shfrytëzon Vuçiqi!

Nga: A.M Më: 26 mars 2022 Në ora: 18:10
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot".

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk e ka ndërmend ta ndaloj luftën në Ukrainë.

Edhe pse Rusia po përballet me humbje të shumta ushtarake dhe me sanksione të rënda nga Perëndimi, ajo vazhdon të qëndroj prapa synimit për pushtimin e Ukrainës.

Kjo luftë ka shkaktuar frikë dhe tension, pothuajse te të gjitha shtetet e botës, përfshirë edhe Kosovën.

Madje, ka parashikime se Putini mund të nxisë luftëra të reja edhe në disa shtete të tjera, ku ndër të tjerat përmendet edhe Kosova, pasi dihet se Serbia ka aleanca të forta me Rusinë.

Një gjë të tillë, nuk e përjashtoi as kryeministri Albin Kurti, i cili tha se duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, vigjilentë, të mos frikësohemi, por nuk duhet të jemi të pavëmendshëm dhe të themi: “s’na ndodh neve”. Sepse kjo në fakt i jep fuqi kundërshtarit në masën e të cilit ne jemi të relaksuar, në masën në të cilën ne mendojmë se s’do të na ndodh gjë kjo neve na rrezikon që të na ndodh diçka”, theksoi Kurti.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” tha se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është fashiste.

Ai tha se kjo luftë e ka vënë në lëvizje të gjitha shtetet e botës, ku ka prekur ndjenjat e të gjithëve, përfshirë edhe popullin e Kosovës.

“Lufta aktuale të cilën po e shkakton Putini me ushtrinë e vet ruse kundër Ukrainës së pavarur, është më shumë se një luftë imperialiste dhe puro fashiste, të cilën po e kundërshton gjithë bota demokratike, sepse këtu po pushtohet me dhunë një vend sovran dhe paqësor nga një regjim i egër ruso-putin.

Është diçka e veçantë ndoshta si asnjëherë tjetër, kjo luftë kundër Ukrainës dhe popullit të këtij vendi, sikur e ka vënë në vëmendje dhe lëvizje tërë globin, sepse një luftë e tillë mizore, dhunuese dhe dominuese i ka prekë ndjenjat gjithë popujve të botës demokratike dhe civilizuese, po ashtu edhe të shqiptarëve, kur dihet se këtij populli në Kosovë, para syve të botës, iu përgatit shfarosja gjenocidiale prej regjimit të Millosheviqit”, deklaroi opinionisti.

Sipas Preqit, Putini e kishte planifikuar shumë më herët pushtimin e Ukrainës,

Krahas kësaj, ai beson se planet e Putinit, janë të koncentruar edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Plani i Putinit dhe Rusisë, për ta pushtuar Ukrainën, është i planifikuar dhe dizajnuar edhe më herët, duke i njohur ambiciet e kahershme të Putinit, edhe në raportet ndërkombëtare, me të cilat arsyetonte zhvillimin e raporteve specifike me vendet e dikurshme që i kishte nën ombrellën dhe komandën e Bashkimit Sovjetik, dhe duke ua tërhequr vërejtjen që mos t'i bashkëngjiten NATO-s.

Përveç të tjerave planet e Putinit, janë të koncentruar edhe në Ballkanin Perëndimor, për ta destabilizuar dhe dekoncentruar edhe këtë pjesë të botës po ashtu edhe rolin e Evropës, përmes të zakonshmes dhe shtrigës serbe, e cila edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme të luftës në Ukrainë, Serbia, haptas po ia mbanë krahun Putinit dhe Rusisë”, shpjegoi ai.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Në vazhdim, opinionisti vlerëson se jemi në rrezik, nëse Putini ka planifikuar përhapjen e luftës edhe në vendet tjera, përveç Ukrainës.

Duke u bazuar në këtë, ai përmendi edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për mundësinë e shpërthimit të një lufte të re.

“Prandaj, sikur jemi të rrethuar dhe të përpirë nga një rrezik i mundshëm që mund të shkaktojë kjo luftë, duke e kërcënuar edhe botën, nëse Putini, me kryeneçësinë e tij ka planifikuar përveç pushtimit të Ukrainës, të bëjë hapa edhe në ndonjë vend tjetër, i cili gjendet nën ombrellën e NATO-s, duke e futur në lojë edhe fuqinë e madhe të botës dhe SHBA-të.

-Edhe kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti, këto ditë në një intervistë tha, ne nuk duhet të themi se nuk mund të ndodhë diçka e tillë edhe te ne, duke e njohur se kush është Serbia dhe Vuçiqi, një gabim të tillë e bënë edhe perëndimorët, duke mos llogaritur mirë pretendimet dhe rolin e Rusisë, që sot po bënë një luftë të ashpër dhe të rrezikshme në Ukrainë”, theksoi Preqi.

Gjithashtu, ai tha se duke parë kërcënimet e Vuçiqit dhe Vulinit drejtuar Kosovës, ka arsye që qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar nga këto deklarata tendencioze nga udhëheqësit serb.

“Zotëri Kurti, pos të tjerave tha, Kosova nuk i shpall luftë asnjë vendi në botë dhe populli i jonë nuk do luftë me askënd, por do paqe dhe prosperitet, megjithatë duhet të jetë i përgatitur dhe i vëmendshëm në çdo rast, që mund t’i ndodh një de stabilitet i tillë nga çdo rrethanë, duke u bazuar edhe në kërcënimet e fundit të Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, A.Vulin, i cili thotë se, përveç se Kosova, po ia ndalon zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, edhe një rast i tillë do të ndodhë në të ardhmen, Serbia i ka planet e veta dhe të gatshme, që do të thotë haptas, se ky njeri apo ‘psikopat’ po na kërcënon me një konflikt të mundshëm dhe të gjerë.

Kosova dhe populli i këtij vendi ka arsye për shqetësim nga këto luftëra dhe kërcënime të tilla që vijnë nga Vuçiqi dhe Vulini, pa ndërpre,të cilët disa herë po i kërcënohen Kosovës, por edhe vendeve të rajonit, mirëpo Kosova, duke i falënderuar zotit dhe SHBA-ve, me aleatët e saj në Evropë dhe botë, por edhe popullit të vet liridashës, i cili është populli më i vuajtur dhe i sprovuar në botë nga luftërat dhe barbaritë e ndryshme, nuk do të hamendësohet dhe nuk duhet të shqetësohet se mund ti ndodhë diçka e frikshme dhe e rrezikshme”, nënvizoi opinionisti.

Tutje, Preqi potencoi se të gjitha këto kërcënime për luftë janë plane të Vuçiqit në prag të zgjedhjeve serbe. Ai beson se Vulinin dhe shërbëtorët e kryetarit të Serbisë, po i shfrytëzon Vuçiqi pa mëshirë, për të përfituar nga të tillët edhe për ndonjë mandat tjetër.

“Edhe pse Kosova, ka një brengë të veçantë në territorin e saj në pjesën veriore të vendit, ku është e banuar me shumicë serbe, ku pjesa më e madhe e këtij populli është peng i Vuçiqit dhe politikës së Beogradit, që ua ka imponuar një politikë antishqiptare dhe urryese ndaj këtij populli, por secili serb dhe qytetar i Kosovës, që mendon se ky vend është vendi ku do të të jetojë dhe të veprojë, por edhe që ka ndjenja njerëzore, morale e politike dhe mendon të shijojë jetën dhe lirinë në Kosovë, duhet të veprojë sipas parimeve dhe ligjeve në parim, por jo edhe të bëhet shërbëtor dhe vegël e përditshme e Serbisë.

Vulini dhe shërbëtorët e kryetarit të Serbisë, janë «trampolina»të cilat po i shfrytëzon Vuçiqi pa mëshirë, për të përfituar nga të tillët edhe për ndonjë mandat të mundshëm, sepse po të ishin Vuçiqi, Daçiqi, Vulini dhe të tjerë, pushtetarë të denjë dhe që popullit serb do ia donin të mirën dhe prosperitetin e këtij populli, nuk do kërkonin luftë me asnjë popull në botë, dhe kurrsesi me fqinjët e vet shekullor, shqiptarë, kroat, boshnjak, malazez dhe maqedonas”, tha ndër të tjera ai.

Krejt në fund, Preqi tha se Kosova është me fat që ka miq të vërtetë siç është Amerika dhe aleatët e saj.

Mirëpo, përveç aleatëve të saj, ai tha se Kosova ka edhe FSK-në e cila është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit në çdo kohë dhe rrethanë.

“Populli shqiptarë dhe Kosova, nuk duhet të shqetësohen edhe në këto rrethana të veçanta, sepse për fat të mirë ky popull dhe ky vend i ka miqtë e vet të vërtetë dhe besnik, të cilët në kohë të vështira dhe të mira ishin dhe janë në gatishmëri pranë këtij populli dhe vendi që ti mbrojnë, duke i falënderuar SHBA-të dhe aleatët e saj, të cilët ditë dhe natë i bëjnë roje në çdo kohë, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e tyre legjitime e njerëzore.

Kosova e sotme e ka edhe Ushtrinë e vet FSK-në, e cila sot është një Forcë Mbrojtëse dhe bazë e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë së popullit dhe vendit të vet, e cila në saje të vullnetit të popullit të vet dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtarë, është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të vet në çdo kohë dhe rrethanë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat