Në historikun e zhvillimeve politike, bota ka njohur aleanca shumë të fuqishme mes shteteve të mëdha. Njëra ndër lidhjet që i ka rezistuar kohës dhe ka mbetur e paprekur nga zhvillimet e tjera është ajo e Kinës me Rusinë.
Sot, këto dy shtete pavarësisht kërcënimeve nga jashtë, në një lidhje mes interesash dhe jo vetëm, po i rezistojnë edhe kërcënimeve nga shtetet e fuqishme.
Përveç tjerash kur e gjithë bota i ka kthyer kurrizin Rusisë, për shkak të agresionit ndaj popullit të Ukrainës, Kina ishte shumë më e butë në raport me këtë situatë. Garancionin e vetëm që Kina ia dha botës, është se ata për momentin nuk po i shesin armë Rusisë. Anipse rusët janë ata që e furnizojnë me armë Kinën tash e shumë vite.
Pak paradoksale për të qenë e vërtetë.
Studiuesi i çështjeve ndërkombëtare, Mirlind Behluli, për Gazetën “Bota sot”, thotë se Kina dhe Rusia historikisht kanë qenë aleate për shkak se armiku i supozuar është i përbashkët.
Mirlind Behluli
“Marrëdhënia ndërmjet Rusisë dhe Kinës është paracaktuar nga armiqësia ndaj Amerikës. Gjeopolitikisht si Rusia ashtu edhe Kina janë të bashkuara për shkak të ‘kërcënimit’ amerikan në Evropën Lindore dhe Pacifikun Perëndimor. Kjo shihet edhe në ‘strategjinë pa limite’ të Xi dhe Putin. Tash kur është intensifikuar përballja tregtare kino-amerikane, nga pikëpamja kineze Rusia shërben si një aleat dhe kundërpeshë ndaj ShBA-së në Evropë”, thotë Behluli.
Sipas Behlulit, Kina do të mundohet që ta shfrytëzojë situatën e destabilizuar në Evropë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, për të ngritur imazhin e tyre si fuqi botërore.
“Në aspektin ekonomik, volumi tregtar ndërmjet Rusisë dhe Kinës ka shënuar rekord në vitin 2021, teksa shteti rus furnizon posaçërisht me gaz atë kinez, shoqëria konsumuese e së cilës po vazhdon të rritet. Të gjithë këtë situatë, Kina do të mundohet ta shfrytëzojë për të lehtësuar një marrëveshje paqeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, e cila do të konfirmonte imazhin e superfuqisë së Kinës në arenën ndërkombëtare”, thotë Behluli.
Ndërsa, Adnan Beqiri, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën e Diplomacisë në Gjenevë të Zvicrës, për Gazetën “Bota sot” është shprehur se jo çdo herë lidhjet e Rusisë me Kinën kanë qenë aq të mira.
Adnan Beqiri
“Raporti i Kinës me Rusinë është ndryshe, por kjo nuk do të thotë se këto dy vende kanë pasur kaq shumë mirëkuptim mes vete. Një shembull: Në vitet e ’60-ta ka pasur krisje në raportet e tyre për shkak të problemeve me vijat kufitare. Situata thuhet se ka qenë aq e ndërlikuar sa ka pasur edhe kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore”, shprehet Beqiri.
Por, Beqiri tregon se sot është një situatë krejt ndryshe mes dy shteteve dhe bashkimi i tyre është për ta sfiduar Perëndimin, si në aspektin ekonomik edhe politik.
“Sot i lidhin shumë arsye, ekonomike, politike. Rusia dhe Kina kanë shumë projekte të përbashkëta, sidomos me gazin, naftën. Rusia është furnizuesi kryesor i gazit dhe armëve në Kinë. Kurse edhe në aspektin diplomatik, Putin dhe Xi Jinping si lider kanë raporte shumë të mira dhe takohen në baza të rregullta”, thotë Beqiri.
Sipas Beqirit, Japonia është një shtet armik i përbashkët i Rusisë dhe Kinës, e kjo është edhe një arsye shtesë në mesin e shumë të tjerave se pse këto dy shtete ruajnë relacione aq të mira.
Një gjë tjetër e përbashkët, që i lidhë këto dy shtete, është edhe fakti se demokracia vazhdon të mbetet shumë e brishtë dhe regjimet që ekzistojnë janë shumë larg vlerave perëndimore. Historikisht motivet e Kinës dhe Rusisë kanë qenë që të destabilizojnë aleancat e forta, sikur ajo e NATO-s.
Sanksionet nga e gjitha bota, kanë goditur shumë shtetin e Rusisë, një paralajmërim ka ardhur edhe për Kinën nga presidenti i SHBA-ve pas mbledhjes në Samitin e NATO-s në Bruksel të Belgjikës.
Biden para gazetarëve ka thënë se Kina i di shumë mirë pasojat në rast se do ta përkrahë Rusinë dhe agresionin e saj mbi popullin e Ukrainës.
Shteti kinez llogaritet si njëri ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë. Tregjet ndërkombëtare janë të furnizuara në shumicë nga produktet që prodhohen në Kinë. Në një vit kalendarik, Kina fiton vetëm nga eksporti në Rusi diku rreth 147 miliardë euro.
Kjo shumë në dukje është e lartë, por kur e krahasojmë me shifrën e eksportit në gjithë botën, atëherë do të ishte e pabesueshme nëse Kina ia kthen kurrizin botës për shkak të Rusisë. Kjo pasi 1.6 trilion dollarë fiton Kina nga eksporti që e dërgon nëpër botë, përveç Rusisë.