Serbia po vazhdon të shkaktojë tensione në Kosovë. Ajo po mundohet t’i radikalizojë tensionet, nëpërmjet organizimit të drejtpërdrejta të protestave të pakicës serbe në Kosovë, dhe të nëpërmjet kërcënimeve me mesazhe lufte.
Organizimi i protestave dhe retorika agresive serbe, duket se po përputhen me paralajmërimet e ekspertëve për një luftë speciale të Serbisë, me synim, që në koordinimin me Putinin, të bëjnë edhe një konfrontim ushtarak, duke besuar në shfrytëzimin e zbrazëtive në Rezolutën 1244.
Por, si duket janë demotivuar nga dështimi rus në Ukrainë, dhe kanë ulur shkallën e veprimit agresiv, dhe siç u pa nga protesta, nuk kishte masivitet as motiv tek serbët lokal, të cilët besohet se janë vetëm rreth 50 mijë veta në gjithë Kosovën.
Protesta dhe retorika e dhunshme e Serbisë mori shkas pasi autoritetet e Kosovës në përputhje me shkeljet kushtetuese që kishte bërë një gjyqtare serbe e Kosovës, e suspenduan atë.
Vuçiq më 22 mars, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, mbajti një takim ku të ftuar ishin edhe zyrtarë serb drejtues në institucione të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të Policisë së Kosovës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) njoftoi se ka vendosur për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, nga pozita e saj si kryetare.
Menjëherë pas kësaj, Serbia ka reaguar duke e kundërshtuar vendimin për suspendimin e Stevanoviqit dhe për të mos mjaftuar Vuçiq u shpreh se kjo do të thotë “sulm mbi serbët”.
Ishte Këshilli Gjyqësor, i cili iu kundërpërgjigj Vuçiqit, duke u shprehur se suspendimi i Stevanoviqit nuk ka të bëjë me ndikimin politik.
“Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK-ja u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve të tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, është thënë në njoftim.
Po ashtu edhe një tjetër ngjarje që mori vëmendjen e opinionit publik, dhe shqyrtimin nga institucionet e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, është pjesëmarrja e eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, PK është deklaruar për media duke theksuar që rasti është dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se, është përcjellë shkresa njoftuese për këtë çështje tek Inspektorati Policor i Kosovës, për procedurë të mëtutjeshme të veprimit”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Në anën tjetër, nga IPK-ja kanë deklaruar se kanë marrë informacionet dhe se është e njoftuar zyrtarisht për këtë çështje.
Një vendim për çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takimin me Vuçiqin nuk është marrë ende, në ditët në vijim pritet të jepen detajet.
Por, sa në rrezik është siguria e vendit në këtë periudhë, kur edhe protestat e serbëve në veri të Mitrovicës janë prezente dhe deklaratat e vazhdueshme të Vuçiqit?
Për këtë temë kanë folur ekspertët e sigurisë.
Shala: IPK të merr masa ndëshkuese për zyrtarët që morën pjesë në samitin e Vuçiqit
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/27/auto_11111648389785.jpg)
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Ligji për Policinë e Kosovës tregon në mënyrë të qartë që nuk lejohet pjesëmarrja e tyre në manifestime politike vetëm nëse kanë ndonjë plan operativ.
“Në ligjin për Policinë e Kosovës është e specifikuar mirë se asnjë pjesëtar i PK-së, nuk mund të marr pjesë në manifestime politike vetëm nëse ka urdhnesë për një plan operativ për të siguruar mbarëvajtjen e atij manifestimi”, u shpreh ai.
Shala e sheh si korrekt, por edhe të vonuar veprimin e IPK-së, pasi sipas tij duhet të hetohen edhe veprimet e tjera të këtyre zyrtarëve, të cilët mund të jenë pjesëmarrës në shkaktimin e rrjedhjes së informacioneve zyrtare.
“Veprimi nga ana e IPK-së është një veprim korrekt dhe i vonuar sepse duhet të hetohen edhe veprimet tjera të këtyre zyrtarëve se mos ka pasur rrjedhje të informacioneve zyrtare dhe që kanë mundur të komprometojnë veprimet policore në luftimin e krimit”, thotë Shala për “Bota sot”.
Halimi: Zyrtarët e Policisë së Kosovës keqpërdorën pozitën e tyre me pjesëmarrjen në samitin e Vuçiqit
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/27/auto_22221648389788.jpg)
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Armend Halimi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që zyrtarët e Kosovës duhet të punojnë në bazë të legjislacionit të vendit dhe asnjëherë kundër interesit të vendit tonë.
“Çdo zyrtar i Republikës së Kosovës është i obliguar, që të punoj mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe vetëm në interes të Kosovës. Sikurse çdo vend tjetër, edhe Kosova i ka të përfshira në Kushtetutë dhe legjislacionin tjetër interesat e saja, duke filluar nga sovraniteti dhe siguria e tij dhe e qytetarëve të saj”, thotë eksperti.
Halimi tutje thotë që zyrtarët e Republikës së Kosovës janë të obliguar mbi bazën e detyrave të ngarkuara dhe strategjive të përpiluara që interesat e vendit t’i mbrojnë.
“Qysh në substancë interesat vitale të Kosovës bien ndesh me interesat po ashtu të përcaktuara nga shteti serb, ku ky i fundit Kosovën ende e konsideron si pjesë territoriale të saj, për çka nuk kursehet as në aspektin diplomatik e as me metoda e strategji të ndryshme destruktive. Zyrtarët e Republikës së Kosovës janë të obliguar mbi bazën e detyrave të ngarkuara edhe strategjive të përpiluara që interesat e vendit t'i mbrojnë”, theksoi ai.
Ndërsa, shqetësuese sipas ekspertit mbetët guximi i tyre për të dalur jashtë kornizave të autorizimeve.
“Andaj, sa është shqetësues fakti se zyrtarët e sigurisë së Kosovës dalin jashtë kornizave dhe autorizimeve, aq është për t’u çuditur për guximin e tyre”, theksoi eksperti.
Në fund, ai shton që duhet të merren masa ndaj këtyre zyrtarëve sepse mund të kenë shkëmbyer informata të rëndësishme të vendit me institucionet e Serbisë, e që edhe mund të shihet si një lloji tradhtie e keqpërdorimi të pozitave.
“Kështu që, institucionet e Republikës së Kosovës duhet ndaluar këtë praktik, sepse flasim për nivel të lartë të zyrtarëve, çka kanë përdorë dokumente me rëndësi për sigurinë e vendit tonë, të cilët edhe mund të shkëmbejnë me institucionet e Serbisë, e që edhe mund të shihet si një lloji tradhtie e keqpërdorimi të pozitave, apo skenari tjetër që mund të jetë përgatitja e reagimit në rast të incidenteve të planifikuara nga vetë ata”, thotë Halimi për “Bota sot”.