Lufta Ukrainë-Rusi ka ndikuar në destabilizimin e sigurisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e veçmas në shtetet shqiptare.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Islam Lauka gjatë një bashkëbisedimi me “Bota sot” kërkoi nga dy shtetet shqiptare që urgjentisht t’i rrisin bashkëpunimet në fushën e sigurisë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
“Padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, përfshirë ato të sigurisë dhe mbrojtjes. Jo se nuk është bashkëpunuar deri tani, por konflikti Rusi-Ukrainë e bën këtë çështje të domosdoshme dhe urgjente. Dakord që NATO-ja dhe KFOR-i ofrojnë siguri, por reagimi i parë ndaj sfidave rajonale dhe globale duhet të vijë nga ne. Që të na ndihmojnë të tjerët, në radhë të parë, ne duhet ta ndihmojmë veten”, deklaroi ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/27/auto_0431648397342.jpg)
Më tej, ish-ambasadori shqiptar tha se duke parë zhvillimet e fundit në botë, Shqipëria dhe Kosova duhet të fokusohen në forcimin dhe konsolidimin e ushtrive të tyre,
“Në dritën e zhvillimeve të fundit, Shqipëria dhe Kosova duhet të kryejnë detyrimet e veta kombëtare e shtetërore dhe ato që burojnë nga angazhimi ose orientimi ndaj NATO-s, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Në këtë kontekst, Tirana zyrtare duhet të plotësojë kërkesën e NATO-s për t`i kushtuar 2% të GDP-së shpenzimeve për mbrojtjen. Nga ana e saj, Kosova duhet të rishikojë buxhetin, me synim rritjen e tij për forcimin dhe konsolidimin sa më të shpejtë të ushtrisë”, shpjegoi Lauka.
Në fund, tha se krahas forcimit të sigurisë, do duhej që Shqipëria të hiqte dorë nga “Ballkani i Hapur”.
“Forcimit të sigurisë të vendeve tona do t`i shërbente edhe denoncimi, nga ana e Shqipërisë, i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Federatën Ruse, i përafruar në vitin 2004, si dhe heqja dorë, përfundimisht, nga nisma “Ballkani i hapur””, përmbylli Islam Lauka për “Bota sot”.