Deputetja e LDK-së: Kosova të bëjë përpjekje më të mëdha për të përmbushur misionin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO

Politika

Deputetja e LDK-së: Kosova të bëjë përpjekje më të mëdha për të përmbushur misionin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO

Nga: M.L. Më: 28 mars 2022 Në ora: 20:29
Rezarta Krasniqi

Ndonëse, liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur ende, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do të aplikojë sivjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s. Ne jemi në kontakt me shtetet mos-njohëse. Katër nga ato janë edhe në NATO – Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania – e edhe Qipro, që është pjesë e Bashkimit Evropian, por jo edhe e NATO-s”.

Ai ka shfaqur shpresën që gjatë këtij viti këto vende të bëjnë hapin e madh drejt njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe t’i bashkohen shumicës së vendeve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, që janë pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Lidhur me këtë, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane Rrezarta Krasniqi, thotë për gazetën “Bota sot” se Republika e Kosovës i ka përmbushur kushtet për t`u bërë anëtare e BE-së e po ashtu për liberalizimin e vizave.

Ajo ka vlerësuar se në rrethanat e reja është mundësi e mirë për vendin që të bëjë përpjekje më të mëdha për të përmbushur këtë mision në mënyrë më të përshpejtuar.

Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara për t’u bërë anëtare e BE-së dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në të gjitha vendet evropiane. Aktualisht kemi rrethana të reja dhe konsideroj se është mundësi e mirë për vendin që të bëjë përpjekje më të mëdha për të përmbushur këtë mision në mënyrë më të përshpejtuar. Institucionet e vendit duhet të angazhohen më tepër në këtë drejtim duke lobuar tek vendet anëtare të BE-së për të siguruar përkrahjen e nevojshme për anëtarësim”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Për deputeten e LDK-së, ky momentum është shans i mirë për Kosovën që të bëhet anëtare e BE-së.

“Qytetarët tanë padrejtësisht vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar, ndonëse ne jemi populli më pro-perëndimor”, ka shtuar ajo.

Tutje, Krasniqi thotë se pengesë e këtij procesi janë pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, duke shtuar se institucionet duhet të angazhohen më shumë për të arritur deri te këto njohje për vendin.

“Siç dihet tashmë pengesë në këtë proces janë 5 shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Pavarësinë e Republikës së Kosovës, andaj institucionet tona duhet të angazhohen më shumë për t’i bindur ato se ka ardhur koha që të na njohin dhe pastaj të kërkohet nga BE-ja në bashkëpunim me SHBA-në që Kosova të anëtarësohet sa më parë në NATO”, thekson Krasniqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat