Lufta e Rusisë në Ukrainë, siç duket i ka dhënë krahë Serbisë për t’i rritur provokimet e saj ndaj Kosovës.
Shteti serb ka vendosur ta përkrah luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, ku kundërshtoi vendosjen e sanksioneve ndaj shtetit rus.
E mundësia për shpërthimin e një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po përjashtohet.
Madje, kryeministri Kurti potencoi se nuk duhet të themi për luftën “jo, s’na ndodh neve”, pasi asgjë nuk është e parashikueshme.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, vigjilentë, të mos frikësohemi, por nuk duhet të jemi të pavëmendshëm dhe të themi: “s’na ndodh neve”. Sepse kjo në fakt i jep fuqi kundërshtarit në masën e të cilit ne jemi të relaksuar, në masën në të cilën ne mendojmë se s’do të na ndodh gjë kjo neve, na rrezikon që të na ndodh diçka”, theksoi Kurti.
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” tha se kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi e ka përmend faktin se Kosova rrezikohet nga Serbia.
Krahas kësaj, ai bëri një krahasim të qasjeve të Kurtit, Thaçit dhe Ramës ndaj Serbisë.
“Po. Saktë. Kryeministri Kurti vazhdimisht thotë se Kosova është e rrezikuar nga Serbia. Po të pyesje paraardhësit e tij, sidomos Hashim Thaçin, do të thoshte “Këto janë shpikje, se Kosova nuk rrezikohet nga askush. Do të përmendte aleatët tanë e ndërkohë do të injektonte te disa injorantë mendimin se “Kosova është e sigurt dhe e pacenueshme, se ajo ka Hashimin“! Ndërsa Edi Rama krijon batuta për këtë deklaratë të zotit Kurti. Për kryeministrin e Shqipërisë “Serbia është një vend normal, paqësor, pa kurrfarë ambicie hegjemonizmi në rajon“! „Çfarë thoni ju more?, do të thoshte Rama. Ku e gjetët rrezikun serb? Pse shpifni? Ç 'janë këto përralla”?”, deklaroi profesori.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/28/auto_11648498336.jpg)
Po ashtu, Bytyçi e vlerësoi faktin se Kurti dhe Osmani e shohin rreziku e shtetit serb, pasi ende nuk dihet si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Ai tha se Beogradi ka frikë nga Perëndimi, ka frikë nga demokracia perëndimore.
"Por Albin Kurti, madje dhe presidentja e vendit, mendojnë ndryshe. Ata shohin rrezik serioz te militarizimi i Serbisë dhe sidomos te orientimi i saj pro-rus. Pa rënë në retorikën e luftës, siç bëjnë diktaturat, duhet vlerësuar situatën nëpër të cilën kalon Kosova dhe rajoni ynë në këto momente të vështira të zhvillimeve në teatrin evropian. Ne nuk e dimë ende se si do të përfundojë konflikti në Ukrainë. Ne e dimë që Serbia është i vetmi vend evropian, së bashku me Bjellorusinë, që nuk ka pranuar të vendosë sanksione kundër Rusisë. Serbia është vendi, që sipas fjalëve të kreut të parlamentit të serb, Ivica Daçiq, nëse “shkëputet nga Rusia, nuk mund të gjejë aleatë për t’u mbrojtur“! Që do të thotë se Beogradi ka frikë nga Perëndimi, ka frikë nga demokracia perëndimore”, theksoi ai.
Në vazhdim, profesori u shpreh se koncepti serb i aleancës me Rusinë për t’u mbrojtur nga Perëndimi ose ndonjë rrezik tjetër është koncept doktrinar i totalitarizmit.
“Udhëheqësit e Beogradit, pra të Serbisë, nuk kanë mësuar ende se demokracitë nuk prodhojnë luftëra dhe konflikte ndërkombëtare të jashtme. Prandaj dhe nuk e perceptojnë se popujt dhe vendet demokratike që i bashkëngjiten Perëndimit nuk kanë nevojë për aleatë specifikë, siç është Rusia, për të garantuar sovranitetin dhe interesat e tij. Koncepti serb i aleancës me Rusinë për t’u mbrojtur nga Perëndimi ose ndonjë rrezik tjetër është koncept doktrinar i totalitarizmit. Që do të thotë se Serbia orientohet nga Rusia për shkak të qeverisjes autoritare që aplikon”, shpjegoi Bytyçi.
Gjithashtu, ai potencoi se Kosova ka qenë vazhdimisht cak i provokimeve të Serbisë, tash e disa vite.
“Kosova është demokracia më e dëshmuar e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Prandaj dhe kërkon garanci për paqe e siguri. Paqja dhe siguria nuk arrihen lehtë, aq më tepër në një vend që ka në kufi një vend të tillë si Serbia. Udhëheqësit autoritarë janë gjithmonë edhe nacionalistë ekstremë. Nacionalizmi ekstrem i liderëve politikë në Beograd favorizojnë konfliktet dhe luftërat. Kjo nis fillimisht me provokimet e vazhdueshme. Kosova prej përfundimit të luftës para 23 vitesh e deri më sot është provokuar vazhdimisht nga ana e Serbisë”, nënvizoi profesori.
Më tej, Bytyçi paralajmëroi se këtë provokime serbe shumë lehtë mund të përfundoj në luftë mes dy vendeve.
Ai përmendi edhe faktin se si dështimi i separatistëve Vuçiq, Rama dhe Thaçi për ta ndarë Kosovën në paqe, i shtyri ta legjitimojnë ndërhyrjen ushtarake të Serbisë në veri të Kosovës.
“Këto provokime mund të përfundojnë lehtësisht në konflikt, në luftë midis të dy vendeve. Ndërkohë sulmet ushtarake të Rusisë e trimërojnë Serbinë, veçmas në Kosovë, por edhe në BH e Malin e Zi. Cenimi i integritetit dhe sovraniteti të Ukrainës nga ana e Rusisë duket se adresohet te ndarja e këtij vendi. Të njëjtën skemë ka dëshirë ta realizojë Serbia në Kosovë. Për këtë ka edhe përkrahjen e kryeministrit të Shqipërisë. Dështimi i separatistëve të Beogradit, Tiranës dhe Prishtinës për ta ndarë Kosovën në paqe, bën që këta separatist, përkatësisht Vuçiq, Rama dhe Thaçi, ta shohin si legjitime ndërhyrjen ushtarake të Serbisë në veri të Kosovës, Vazhdimisht e thotë zëdhënësi i grupimit separatist, Baton Haxhiu, më mirë t’ia japim veriun Serbisë e të shpëtojmë prej saj. Ndonëse spiunët nuk shpëtojnë kurrë nga pengmarrësit”, tha ndër të tjera ai.
Krejt në fund, profesori tha se Serbia me liderë të ç 'ekuilibruar si Vuçiq, Vulin, Daçiq etj, është e rrezikshme për Kosovën në të gjitha kuptimet
“Për këto arsye presidenti i Serbisë dhe qeveria serbe janë të motivuar të rrezikojnë Kosovën. Prandaj dhe qeveria e institucionet e saj duhet të jenë zgjuar, të përgatiten gjithashtu për vetëmbrojtje. Ukraina po na thotë se “duhet të jesh vetë i përgatitur dhe i gatshëm të sakrifikosh për mbrojtjen e vendit, që të përfitosh më pas ndihmën e përkrahjen e NATO-s, BE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Kur vë në dyshim këtë gatishmëri i bën shërbim të keq Kosovës dhe dobi Serbisë. Kjo Serbi, çfarë është sot, me liderë të ç 'ekuilibruar si Vuçiq, Vulin, Daçiq etj, është e do të jetë e rrezikshme për Kosovën në të gjitha kuptimet, përfshirë edhe në kuptimin e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të saj”, përmbylli profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.