Cilat janë pengesat e Kosovës për anëtarësim në NATO / Pse Rama nuk e mbështet Kosovën

Politika

Cilat janë pengesat e Kosovës për anëtarësim në NATO / Pse Rama nuk e mbështet Kosovën

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 mars 2022 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Çfarë nuk dëshiron kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për Kosovën?! Pse atë e pengon që Kosova të jetë e barabartë me shtetet tjera? Pse nuk duhet të jetë në NATO Kosova, ndërkohë, që edhe vendet me zhvillim shumë të lartë dhe të deklaruara si neutrale me dekada, po shtyhen të futen në NATO, duke e parë çmendurinë e Putinit, që përveç luftës pushtuese në Ukrainë, vazhdon të paraqes kërcënim për shtetet në fqinjësi me Rusinë sot apo me ish Bashkimin Sovjetik dikur.

Shqiptarët mbetën të shokuar, sapo përjetuan lajmin e dashur, se Kroacia e ka propozuar Kosovën që të bëhet anëtare e NATO-s, kur kuptuan se Edi Rama kishte refuzuar ta mbështeste propozimin miqësor të Kroacisë, anëtare e NATO-s dhe e BE-së.

Të bëhemi ‘shtet i plotë’

Në samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, dhe madje të bëhet ‘shtet i plotë’.

Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, ka thënë Milanoviq.

Këtë qëndrim dhe përkrahje të Kroacisë e përshëndetën institucionet e Kosovës, dhe Kroacia fitoi edhe më simpatinë e shqiptarëve.

Nga institucionet i pari reagoi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimi me popullin ‘vëlla’ kroat, në shërbim të paqes dhe vlerave demokratike.

Do të vazhdojmë së bashku me ju, vendin tuaj dhe popullin vëlla kroat në rrugën e prosperitetit dhe mbrojtjes së vlerave euroatlantike të lirisë, demokracisë, duke i shërbyer paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global”, ka deklaruar Mehaj.

FSK duhet të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n dhe të mirëpresë ndihmën dhe trajnimin e tyre profesional në përputhje me standardet e Aleancës”.

A është misioni i KFOR-in pengesë për anëtarësim në NATO?

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se me përfundimin e luftës, u hapën rruga e vendosjes së misionit të KFOR-it nën komandën e NATO-s, ndërsa me shpalljen e Pavarësisë NATO-ja filloi transformimin e kontrolleve kufitare tek institucionet e sigurisë, madje ajo filloi edhe aktivitetet e përbashkëta stërvitore me FSK-në.

Image
Drizan Shala

Në vitin 2008, Kosova e shpalli Pavarësinë. Shpallja e Pavarësisë paraqet një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Aleancës iu desh të përshtatej me realitetin e ri, e cila inicioi disa masa në përputhje me rrethanat: ajo filloi gradualisht të transferonte detyrat siç ishin kontrollet kufitare tek institucionet e reja të sigurisë së Kosovës. Për më tepër, NATO-ja filloi aktivitetet për ndërtimin e kapaciteteve me Forcën e sapo themeluar të Sigurisë së Kosovës (FSK). Me përmirësimin e mjedisit të sigurisë, në vitin 2009 Këshilli i Atlantikut Verior (NAC) vendosi të ripërkufizojë praninë e KFOR-it si 'prezencë parandaluese'”, shtoi Shala.

Tutje Shala u shpreh se Kosova mbështetet në NATO, por, realisht misioni i KFOR-it paraqet pengesë për avancimin e raporteve të Kosovës me Aleancën.

Për Kosovën marrëdhënia me KFOR-in, dhe NATO-n, duket paradoksale. Nga njëra anë, KFOR-i zbaton një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, derisa nga ana tjetër vet prania e KFOR-it kufizon hapat e mëtejshëm në atë marrëdhënie. Meqenëse NATO-ja tashmë është e pranishme në Kosovë përmes KFOR-it, ka shumë pak motivim për Aleancën që të formalizojë marrëdhëniet për sa kohë që Rezoluta 1244 mbetet e pandryshuar dhe mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet problem”, thekson ai.

Shala shtroi edhe një pyetje, kështu duke u shprehur se në rast se do të ndërmerren hapa tjerë për të arritur një sukses në mes dy vendeve, a do të mundet Kosova të bëhet anëtar i besueshëm? Sipas tij, dilema më e rëndësishmë është se ku qëndron Kosova në termat ushtarako-teknik.

A mund të punojë Kosova për t'u bërë një partner ose anëtar potencial i besueshëm, duke i përmbushur që tani kriteret e NATO-s? Çështja Serbi-Kosovë është sfida përfundimtare politike në planin afatgjatë, por çfarë mundësi të tjera mund të ketë në ndërkohë? Edhe pse dimensioni politik është më i rëndësishëm se ai ushtarak, dhe mbetet pikëpyetje nëse anëtarët e NATO-s do të pajtoheshin për pjesëmarrjen e FSK-së në diçka më shumë se sa një ushtrim, megjithatë është interesante të shihet se ku qëndron Kosova në terma ushtarako-teknik”, shtoi Shala.

Investimet dhe mungesa e ekspertëve

Më tej ai potencoi angazhimin e Kosovës për investime në mbrojtje dhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes.

Sipas tij, që të përmbushen standardet politike të NATO-s, Prishtina duhet të respektoj sundimin e ligjit.

Një nga kriteret e NATO-s është që një vend që kërkon anëtarësim duhet të demonstrojë "aftësi dhe gatishmëri për të kontribuar ushtarakisht në operacionet e NATO-s”. Në përputhje me planet për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt, rritjet e vazhdueshme të buxhetit të mbrojtjes që janë propozuar e demonstrojnë angazhimin e Kosovës për të investuar seriozisht në sektorin e saj të mbrojtjes. Ekzistojnë disa aspekte politiko-institucionale në të cilat duhet të punojë Kosova. Së pari, Prishtina duhet të reformojë sistemin e saj demokratik, mes tjerash duke respektuar sundimin e ligjit në mënyrë që të përmbushë standardet politike të NATO-s”, thotë ai.

Ai tha se Kosova duhet të marrë pjesë në organizata ndërkombëtare, por sipas tij, Kosovës i mungojnë ekspertë të duhur që do t’i lehtësonin diskutimet me NATO-n.

Marrëdhënia NATO-Ukrainë demonstron se Aleanca kërkon përparim në çështjet vitale demokratike, siç janë luftimi i korrupsionit dhe pavarësia gjyqësore. Për të ndihmuar Ukrainën në zbatimin e parimeve dhe standardeve të NATO-s, Aleanca përdor Programin Kombëtar Vjetor si mjet për të mbështetur tranzicionin. Së dyti, një sistem burokratik që funksionon mirë është thelbësor që Kosova të marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare. Aktualisht, vendit i mungon një trupë e duhur diplomatike dhe ekspertë të duhur për të zgjeruar stafin e saj dhe për të lehtësuar diskutimet. Dialogu Kosovë-Serbi e merr shumicën e energjisë së Kosovës për punët e jashtme dhe synimi për të intensifikuar marrëdhëniet me NATO-n duket se është lënë pas dore”, thekson ai.

Shala shtoi se për tu intensifikuar marrëdhëniet me shtetet tjera, Prishtina duhet të krijoj një grup punues për NATO-n. “Vetëm atëherë mund të fillohet një bashkëveprim më i duhur me NATO-n. Pastaj kjo do të kontribuonte edhe në sektorin e sigurisë së Kosovës. Si dhe për më tepër, Kosova mund të demonstrojë gatishmërinë e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me pakicën e saj serbe, duke i ofruar personelit serb të Kosovës mundësinë për të shërbyer në gradat më të larta në FSK, siç ka ndodhur me forcën e policisë”, është shprehur ai.

FSK duhet të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n dhe të mirëpresë ndihmën dhe trajnimin e tyre profesional në përputhje me standardet e Aleancës”, përfundon Shala.

“Aleati tjetër i Kosovës është Kroacia”

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, ka deklaruar se puna e dobët është bërë në diplomacinë e jashtme, gjë që nuk arritëm të bëhemi as pjesë e organizmave të rëndësishëm të BE-së, dhe e gjitha kjo për shkak të mospërgatitjes si dhe skandaleve diplomatike.

Image
Skënder Mulliqi

Nëse rruga e integrimit të Kosovës në strukturat e BE-së dhe në NATO, ishte shumë e gjatë dhe gati e pamundur, tash duhet që këto gabime të së kaluarës nga ish pushtetet të riparohen. E kam thënë disa herë se puna më e dobët u bë në diplomacinë tonë të jashtme. Nuk arritëm të bëhemi pjesë e organizmave të rëndësishme të BE-së. Nuk arritëm se përfaqësuesit tonë të diplomacisë ishin të papërgatitur për punën e diplomatit, si edhe gati i gjithë personeli tjetër diplomatik, aty ku i kishim ambasadat. Madje, na ndodhi që në disa përfaqësi të kemi edhe skandale diplomatike, të cilat kanë ndikuar keq në imazhin e Kosovës, siç kanë ndikuar edhe mos zhvillimi sa duhet i brendshëm i vendit, të zhytur në korrupsion, nepotizëm dhe dukuri tjera negative”, thotë ai.

Tutje ka shtuar se për këto arsye nuk patëm as njohje të reja, dhe as liberalizim të vizave, madje ende po vazhdojnë edhe largimet për shkak të gjendjes ekonomike.

Të gjitha këto të meta kanë bërë që mos të kemi prurje të reja të njohjeve, që mos të na njohin edhe pesë shtete të BE-së. Vendi ynë mbeti si i vetmi shtet në Evropë pa liberalizim të vizave, mbeti vendi më i varfër. Edhe ky pushtet duhet të bëjë më shumë në lobim, që Kosova mos të vazhdojë të mbetet një vend që ju ka mbyllur perspektiva evropiane. Ende po vazhdojnë largimet masive, të cilat duhet të ndërpriten me përmirësim urgjent të gjendjes ekonomike dhe sociale, kur dihet për koston e lartë të jetës në Kosovë, e kur dihet se pagat janë tepër të ulëta. Kjo është një temë tjetër, por që ka lidhshmëri me gjendjen e gjithmbarshme”, shtoi Mulliqi.

Më tej thekson se për inkuadrimin në NATO duhet pasur parasysh shumën e mjeteve që i nevojitet për tu bërë pjesë e saj.

Por, sipas tij, duke e pasur parasysh luftën në Ukrainë, Kosovës duhet t’i mundësohet anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

Kur jemi te tema e anëtarësimit të Kosovës në NATO, këtu duhet pasur parasysh kushtet që i përcakton kjo strukturë ushtarake, dhe infrastruktura ushtarake që i nevojitet një shteti për tu bërë pjesë e saj. Por, që në këtë kohë të shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe rrezikut të bartjes së konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor do të duhej të bëhen përjashtime që edhe Kosova të futet anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pas pezullimit të Rusisë, dhe po ashtu të anëtarësohet në NATO. Natyrisht se kjo gjë kërkon punë dhe përkushtim të madh të institucioneve, dhe të gjitha partive politike”, thotë ai.

Rreziku nga përshkallëzimi i luftës në Ukrainë, dhe nga një inkursion serb

Tutje u shpreh se tani përparësitë e Kosovës janë në nivelin më të mirë të mundshëm, madje ai thekson se idesë për ndarjen e Kosovës do t’i mbyllen dyert nga Evropa dhe Amerika.

Kosova duhet të jetë shumë më aktive se deri më sot në lobime aty ku paraqitet nevoja. Përparësitë e Kosovës për inkuadrim kurrë nuk kanë qenë të nivelit më të mirë, kur dihet se edhe Serbia ka intensifikuar së bashku me Rusinë kërcënimet me luftë. Vuçiqi dhe të gjithë presidentët e Serbisë, krejt pas luftën e kanë përdorur minoritetin serb me qëllim arritjen e synimit për ndarje të Kosovës. Kësaj ideje shoviniste duket se do t’i mbyllet dera më shumë se kurrë nga Evropa dhe Amerika, sikur që po i mbyllet qarku Putinit duke e izoluar me sanksione të forta ekonomike dhe tjera në Ukrainë, dhe aty ku ky tiran me shumë gjasë edhe do të marr fund”, theksoi ai.

Mulliqi deklaroi tutje se aleati numër një i Kosovës në rajon po dëshmohet Kroacia.

Pas Amerikës dhe aleatëve Perëndimor, në Ballkan aleati numër një i Kosovës është Kroacia. Ky vend pareshtur po e përkrahë dhe po e ndihmon shtetin e Kosovës me lobime aty ku po paraqitet nevoja, madje edhe para përfaqësuesve tanë. Presidenti kroat Milanoviqi në këtë samit të NATO-s ka pasur parasysh rreziqet e shpërthimit të një lufte edhe në rajon”, shtoi Mulliqi.

Ndërsa, në fund ai shtoi se edhe pse e kemi KFOR-in, Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s. Madje, ai thotë se Shqipëria duhet ta ngritë zërin më shumë në mbështetje të Kosovës. “Serbia edhe mund të provokojë luftë në veri nëpërmjet serbëve me ndonjë inskenim qysh dinë ata marifete të tilla, për gjoja rrezikimin e tyre si pretekst të ndonjë përshkallëzmi të situatës. Prandaj, edhe është shumë e arsyeshme që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s për ta evituar rrezikun e luftës, edhe pse i kemi të pranishme forcat e KFOR-it, të cilat sipas Marrëveshjes së Kumanovës, e kanë obligim ruajtjen e kufijve. Kur jemi këtu nuk duhet kaluar e mos të përmendim faktin se Shqipëria duhet të ngritë zërin shumë lartë në mbështetje të Kosovës, kur dihet se ajo është pjesë e Aleancës Veriatlantike. Por, po lihet përshtypje në opinion se drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë nuk janë në nivelin, të cilin e kërkon situata pas invazionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat