Haziri: Pse duhet përkrahur të dyshuarit për vrasjet politike, të Xhemail Mustafës dhe të tjerëve..

Politika

Haziri: Pse duhet përkrahur të dyshuarit për vrasjet politike, të Xhemail Mustafës dhe të tjerëve..

Nga: M.L. Më: 29 mars 2022 Në ora: 16:50
Vrasjet politike

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është nisur për vizitë drejt Hagës, për të takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se një viti mbahen në paraburgim si të dyshuar për krime lufte.

Ajo ka treguar se atje do të takohet me ish kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqin dhe ish deputetin Rexhep Selimi.

Mirëpo, ministrja nuk do të takohet me ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli, përcjell "Bota sot".

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime të kryera para dhe pasluftës deri më 31 dhjetor të vitit 2000. Ndaj tyre ka akuza edhe për vrasje të kundërshtarëve politik, që ishin anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorë të ish presidentit Ibrahim Rugova.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti Nexhat Haziri. Ai ka thënë se shkuarja e ministres Albulena Haxhiu në vizitë të burgosurve në Hage, është një detyrë apo aktivitet shtetëror që mbështetet në vendimet e qeverive paraprake për mbështetjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Mirëpo, ai e konsideron të padrejtë mbështetjen ndaj të akuzuarve kur sipas tij, dihet që rreth 80% e akuzave janë për vrasjet e shqiptarëve përkatësisht aktivistëve të LDK-së dhe përkrahësve të Presidentit Rugova.

Ky është një sindromë ballkanik kur shtete e përfshira në luftën gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, mbështetshin të akuzuarit e tyre për krime lufte atëherë nga Tribunali i Hagës. Në rastin tonë, pra të Gjykatës Speciale, që është gjykatë e Kosovës dhe e formuar nga Kuvendi i Kosovës, vendimi për mbështetjen e tyre , pra të akuzuarve, ishte dhe është edhe sot i padrejtë, pasi në rastin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, akuzat ndaj tyre diku në 80% janë për vrasjet e shqiptarëve, në veçanti të aktivistëve të LDK-së dhe të bashkëpunëtorëve të afërt të Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës”, thotë Haziri.

Andaj sipas tij, kjo mbështetje shtetërore për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, është ndërhyrje në drejtësi dhe dëmton procesin për t'iu dhënë drejtësi viktimave.

“Pse duhet përkrahur Sali Mustafa, komandant Cali, viktimat e së cilit që i ka malteretuar e gjymtuar, sipas prokurorisë kanë qenë shumica dërmuese aktivist të LDK-së, apo vrasësin e Xhemail Mustafës e të tjerë të dyshuar për vrasjet e tjera politike, dhe jo vetëm”, ka theksuar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat