Shqetësuese/ Veriu i Kosovës po kolonizohet – serbët blejnë shtëpitë shqiptare!

Politika

Shqetësuese/ Veriu i Kosovës po kolonizohet – serbët blejnë shtëpitë shqiptare!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 mars 2022 Në ora: 18:02
Shtepite e ndertuara nga serbet ne veri

Situata në komunat veriore të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar dhe politikat e drejtpërdrejta të Serbisë, duke cenuar strukturën nacionale të popullsisë e bën situatën provokuese.

Një dukuri shqetësuese që po ndodhë në këtë pjesë të Kosovës është investimi i drejtpërdrejtë i shtetit serb, në blerjen e shtëpive dhe të pronave të shqiptarëve në veri.

Heshtja e institucioneve përballë apartheidit në veri

Serbia ka ndërtuar mekanizma të tillë, që e fshehin, atë, por fondet u jepen nga shteti atyre që ‘blejnë’ prona të shqiptarëve, madje me çmime marramendëse.

Vetëm pas luftës nga veriu i vendit, pas shkurtit të vitit 2000, janë dëbuar nga veriu rreth 15 mijë shqiptarë.

Siç duket, qeveria e Beogradit vazhdimisht po furnizon serbët e Kosovës me para dhe ndihma financiare me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve të asaj pjese.

Krahas kësaj, në veri të Kosovës ka filluar edhe ndërtimi i shumë komplekseve banesore për qytetarët serbë.

E për këtë çështje, ka reaguar edhe Besnik Gjaka, ekspert i kriminalistikës, i cili jeton me familjen e tij në veri.

Ai ditë më parë, bëri të ditur se në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, është shitur shtëpia e ish-deputetit (tanimë i ndjerë) Ramadan Kelmendit.

Kelmendi, i ndjerë, kërkonte kthimin e shqiptarëve në veri, dhe ia pat dalur në organizimin e një seance parlamentare për çështjen e kthimit të shqiptarëve në veri dhe gjetjen e një zgjidhje, për ata që jetonin në atë pjesë, si dhe për pengesat që ia bënte UNMIK-u dhe strukturat ilegale serbe, për rindërtimin dhe ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Kuvendi patë debatuar, por hoqi dorë nga nxjerrja e një rezolute.

Sipas Ramadan Kelmendit dhe atyre që kishin grumbulluar informacionet, bëhej fjalë për rreth 22 mijë shqiptarë të dëbuar nga veriu.

Por, javën që shkoi shtëpia e tij është shitur.

Gjaka tha se blerja e pronave shqiptare po bëhet me qëllim të kolonializmit të Mitrovicës së veriut dhe ndarjes së saj.

Image
Besnik Gjaka

“Serbia po vazhdon (pa pengesë) nga institucionet tona kolonizimin e  veriut të Kosovës (Mitrovicën e veriut). Sot më pikëlloi lajmi i  hidhur mua dhe banorët rezident të Mitrovicës së veriut, ku shtëpia e ish-deputetit të parlamentit të Republikës së Kosovës Ramadan Kelmendi  është blerë nga qeveria e Serbisë nëpërmjet seksereve (shqipfolës) që për qëllim kanë kolonizimin e Mitrovicës së veriut dhe ndarjen e Kosovës”, deklaroi Besnik Gjaka, i cili është kryetar i nëndegës së LDK-së në Mitrovicën veriore.

Dëbimi me çdo mjet i shqiptarëve autokton nga veriu i Kosovës, dhe spastrimi i asaj pjese prej më shumë se 20 vitesh është apartheid që po vazhdon, pavarësisht se po bëhen 23 që Kosova është çliruar.

Në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” kanë folur juristët Skënder Musliu dhe Blerim Burjani.

Musliu: Këto veprime të Serbisë, fatkeqësisht na kujtojnë kolonizimin e Kosovës gjatë historisë

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për “Bota sot” thotë se është shqetësues ndërtimi i lagjeve serbe në veri të Kosovës dhe shtija e shtëpive shqiptare atyre.

Image
Skënder Musliu

Sipas tij, plani Serbisë është sjellja e serbëve nga brendia e saj në veri të Kosovës.

“Në pjesën veriore të Kosovës, Serbia po vazhdon pa pengesa ndërtimin e lagjeve me shtëpi banimi si dhe komplekse të ndërtesave kolektive të banimit për serbët, pa leje ndërtimi dhe në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës. Edhe pse në kundërshtim me ligjin, kjo na jep të kuptojmë se autoritetet kompetente të Kosovës nuk kanë kurrfarë ndikimi në parandalimin e ndërtimit të këtyre lagjeve fantom.

Por, ajo çka shqetëson në veçanti, është fenomeni i blerjes së shtëpive dhe pronave të shqiptarëve në veri të Kosovës, jo nga individ të komunitetit serb, por në mënyrë të organizuar shteti serb bënë financimin nga buxheti i saj, për serbët e Kosovës dhe serbët tjerë që do t’i sjell nga brendia e Serbisë”, deklaroi ai.

Për këtë situatë shqetësuese në veriun e Kosovës, Musliu i akuzoi qeveritë e kaluara, të cilat sipas tij, në vend që të bashkëpunonin për funksionalizimin e shtetit, figura të njohura u zhytën në korrupsion dhe krim të organizuar duke plaçkitur asetet e shtetit dhe u bënë milionerë pa djersë.

Dhe, si pasojë e qeverisjeve të kaluara, tani qeveria Kurti duhet të merret me pasojat.

“Këto veprime të Serbisë, fatkeqësisht na kujtojnë kolonizimin e Kosovës gjatë historisë, kur serbët silleshin nga hapësirat tjera të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, nëpër shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, anë e mbanë Kosovës.

Tani qeveria Kurti duhet të merret me pasojat, kurse gjeneza për krijimin e kushteve të këtij fenomeni, fillon në qershor të vitit 1999, kur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, Serbia kapitulloi, mirëpo disa udhëheqës të papërgjegjshëm të UÇK-së që pretendonin se e çliruan Kosovën, me apo pa qëllim, këtë do ta dëshmojë historia, e lanë pjesën veriore të Kosovës jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës, dhe fatkeqësisht kjo pjesë asnjëherë më nuk u vendos nën qeverisjen e institucioneve legale dhe legjitime të Kosovës. Ata që erdhën në pushtet, në vend që të bashkëpunonin për funksionalizimin e shtetit, u zhytën në korrupsion dhe krim të organizuar duke plaçkitur asetet e shtetit dhe u bënë milionerë pa djersë”, theksoi juristi.

Ndërtime fantom ka bërë edhe Milosheviqi kur ai erdhi në pushtet, filloi ndërtimin e ndërtesave kolektive në Prishtinë dhe gjetiu.

Në vazhdim, ai tha se këto ndërtime pa leje janë pasojë e marrëveshjes që PDK-ja dhe LDK-ja e nënshkruan në Bruksel.

Madje, juristi thotë se ndërtimet ilegale filluan pas idesë për ndarjen e Kosovës nga Vuçiq, Rama dhe Thaçi.

“Rrënjët e këtyre ndërtimeve i gjejmë që në vitin 2013, kur në Bruksel PDK-ja dhe LDK-ja, nënshkruan Marrëveshje për «Zajednicën» me kompetenca ekzekutive, si dhe në vitin 2015 kur kjo Marrëveshje u miratua në Kuvendin e Kosovës, që ishte faza e parë për bosnjëzimin e Kosovës.

Ndërtimet ilegale në veri të Mitrovicës, filluan në vitin 2016, vit ky kur dolën në shesh idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, kurse ky fenomen u intensifikua në vitin 2018, kur u bë publik qëllimi i Hashim Thaçit, Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës, se zgjidhja e vetme e Kosovës është ndarja e saj.

Dialogu, «Zajednica», shkëmbimi i territoreve dhe ndarja e Kosovës, ishin faktorët kryesor që stimuluan ndërtimin në Veri të Kosovës, sepse kështu po përgatitej terreni për ndarjen e saj”, nënvizoi Musliu.

Më tej, juristi potencoi se mungesa e shtrirjes së autoritetit të institucioneve të Kosovës, po i shtyn shqiptarët e dëshpëruar t’i shesin pronat e tyre.

“Ndërtimet ilegale në mënyrë sinjifikative dhe të organizuar, në veçanti, u bënë në «Luginën e Diellit», «Lagjen e Boshnjakëve», «Kroi i Vitakut», dhe jo vetëm, që për fat të keq janë kompanitë shqiptare që i ndërtojnë ato.

Shqiptarët e veriut edhe përkundër vullnetit për t’u kthyer dhe për t’i rindërtuar shtëpitë e tyre të dëmtuara nga lufta, ata po hasin në pengesa dhe rezistencë nga strukturat paralele dhe administratat komunale që udhëhiqen nga ata, kurse mungesa e shtrirjes së autoritetit të institucioneve të Kosovës, pronarët shqiptarë të dëshpëruar po vendosin t’i shesin pronat.

Kjo është një situatë e trashëguar nga e kaluara, prandaj mundësitë e Qeverisë aktuale janë tejet të limituara. Mirëpo, sido që të jetë, Qeveria duhet të implikohet më seriozisht duke iu ofruar një zgjidhje, mbase edhe të përkohshme dhe t’i mbrojë pronat e shqiptarëve në veri të Kosovës”, thotë ai.

Në fund, Musliu thotë se problemi i ndërtimeve ilegale në veri, strukturave paralele, kontrabanda, krimi i organizuar…. janë ngushtë të lidhura me arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Ndërtime fantom ka bërë edhe Milosheviqi kur ai erdhi në pushtet, filloi ndërtimin e ndërtesave kolektive në Prishtinë dhe gjetiu, me pretekstin e «parandalimit të shpërnguljes» së serbëve nga Kosova, por ndërtesat i ngelën Kosovës. Besoj se edhe këto ndërtime do ta përjetojnë fatin e ndërtimeve të Millosheviqit, sepse Kosova është dhe do të ngelë shtet sovran, i njohur ndërkombëtarisht me territorin që ka.

Problemi i ndërtimeve ilegale në veri, strukturave paralele, kontrabanda, krimi i organizuar…. janë ngushtë të lidhura me arritjen e Marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, që finalizohet me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo është e vetmja mundësi për shtrirjen e sovranitetit, ligjshmërisë, rendit juridik dhe institucional të Kosovës në tërë territorin e saj.

Duke patur parasysh zhvillimet e fundit, me invazionin e Rusisë në Ukrainë, rrjedhimisht dobësimin e Serbisë në çdo aspekt, zgjidhja e nyjës së Kosovës është, si, kurrë më parë, e pritshme”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Burjani: Duhet të bëhet ligji për ndalimin e shitjes së shtëpive dhe pronave shqiptare në veri të Kosovës

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në prononcimin e tij për “Bota sot” kërkoi nga Kosova që të mos lejojë shitjen e pronave të shqiptarëve në veri të Kosovës.

Image
Blerim Burjani

“Normal që shteti i Kosovës do të duhej kaherë të mos lejojë shitjen e pronave me qëllime nacionaliste dhe uzurpatore përmes formalizmit ligjor, ajo pjesë e Kosovës sikur është plotësisht jashtë juridiksionit shtetëror”, deklaroi ai.

Tutje, juristi kërkoi që të bëhet një ligj i veçantë që ndalon shitjen e pronave dhe shtëpive shqiptare në komunat veriore të Kosovës.

“Kujdesi me pronat, duhet të shpallet interes nacional, Kosova ka pak tokë, shtetet e tilla bëjnë restrikcion ligjor në blerje nga të huajt të pronave.

Kjo mund të ndodhë përmes nxjerrjes së një ligji të veçantë, i cili ndalon shitjen, por jo edhe qiranë, që mund të marrin nga shteti apo personat fizik”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat