Lojërat serbe në prag të zgjedhjeve/ Analisti tregon prapaskenat e kërcënimeve të Vuçiqit

Politika

Lojërat serbe në prag të zgjedhjeve/ Analisti tregon prapaskenat e kërcënimeve të Vuçiqit

Nga: A.M. Më: 31 mars 2022 Në ora: 13:54
Aleksander Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot".

Shteti serb siç duket ka marrë ‘krahë’ nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ku së fundmi ka shpeshtuar deklaratat kërcënuese ndaj Kosovës.

Këto kërcënime po bëhen pas parashikimeve për shpërthimin e një konflikti të ri Kosovë-Serbi dhe pak para zgjedhje të 3 prillit në Serbi.

Madje, mundësinë e shpërthimit të një lufte të re nuk e përjashtoi as kryeministri Kurti.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, vigjilentë, të mos frikësohemi, por nuk duhet të jemi të pavëmendshëm dhe të themi: “s’na ndodh neve”. Sepse kjo në fakt i jep fuqi kundërshtarit në masën e të cilit ne jemi të relaksuar, në masën në të cilën ne mendojmë se s’do të na ndodh gjë kjo neve, na rrezikon që të na ndodh diçka", theksoiKurti.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” tha se Kosova është e sigurt, pavarësisht kërcënimeve të shtetit serb.

Ai përmendi praninë e ndërkombëtarëve, ku u shpreh se ajo duhet të na jap kurajë për forcim të shtetit.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti

“Pavarësisht se Kosova është shumë e sigurt me vendet më të fuqishme të botës këtu, gjithsesi kjo gjë s’duhet të na jap komoditet. Përkundrazi duhet të na jap më tepër kurajë për forcim, nëse ndodh diçka, jemi ne shqiptarët që të parët duhet t'i dalim zot vendit”, deklaroi analisti.

Madje, Mehmeti konsideron se shteti serb nuk ka guxim ta sulmojë Kosovën, derisa kërcënimet e Vulinit i cilësoi si tendencë për prodhimin e incidenteve në veri.

“Serbia s’ka guxim ta sulmojë Kosovën, ajo me kërcënime vazhdon të tregojë se është po ajo Serbi e luftërave dhe krimeve. Kërcënimet e Vulinit mund të prodhojnë incidente në veri, për të marrë shkas për të fajësuar Kosovën”, theksoi ai.

Në fund, analisti tha se të gjitha këto janë lojëra të Serbisë për përftime të poenave politike në prag të zgjedhjeve nacionale.

“Mirëpo, sulm direkt nga Serbia në Kosovë nuk ndodh, jo derisa amerikanët janë këtu. Lojërat e Serbisë me luftëra janë edhe për konsum të brendshëm në prag të zgjedhjeve atje”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat