Konflikti Rusi-Ukrainë dhe mbështetja e Serbisë/ Kërkohet që Kosova ta ‘godet’ shtetin serb me këtë veprim!

Politika

Konflikti Rusi-Ukrainë dhe mbështetja e Serbisë/ Kërkohet që Kosova ta ‘godet’ shtetin serb me këtë veprim!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 31 mars 2022 Në ora: 14:08
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq

Pas pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë ku po kryen edhe krime lufte, e gjithë bota ka vënë sanksione kundër shtetit dhe oligarkëve rusë.

Të pakta janë shtetet që nuk po e dënojnë krimin rus në Ukrainë.

E ndër ato shtete është edhe Serbia, e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

“Kursi prorus i Serbisë tani mbështetet vetëm te Vuçiqi. Vuçiqi e ktheu dashurinë e serbëve për Rusinë në faktor gjeopolitik. Mitingu masiv në përkrahje të Rusisë, i organizuar në Beograd në 4 mars, kishte parullën “Rusia-Serbia, nuk na duhet në BE”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Pas kësaj, po kërkohet që Kosova t’i vendos sanksione Serbisë, për shkak të raporteve me Rusinë.

Gjithashtu tashmë ka zëra që edhe SHBA t’i vendosë sanksione Serbisë!

Eksperti i politikës së jashtme dhe zhvillimeve në Ballkan, Jason Steinbaum, thotë se administrata amerikane mund të shfrytëzojë një ligj të miratuar në vitin 2017, për t’i vënë sanksione Serbisë, për shkak të blerjes së armëve ruse nga Beogradi.

Për këtë çështje, prof. dr. Enver Bytyçi thotë se, Serbia është i vetmi vend europian që nuk ka pranuar të vendosë sanksione ekonomike e financiare kundër Rusisë.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“Ajo ka mbyllur disa kapituj në bisedimet e pranimit në BE. Megjithatë nuk i është bindur asnjëherë që të solidarizohet me BE-në në masat që Brukseli ka marrë kundër Moskës. Është edhe Bjellorusia ajo që nuk vendosë sanksione kundër Rusisë. Por, Bjellorusia është e shpallur si aleate vetëm e Kremlinit dhe nuk ka asnjë prirje për t’u integruar në Bashkimin Europian. Serbia dhe rasti i saj është rast unik”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Por pse ndodh kjo?

“Sepse Beogradi dhe lidershipi serb ia kanë dalë që përmes presioneve, mospajtimeve dhe kërcënimit të orientimit drejt Rusisë të marrin atë që kanë dashur nga Europa Perëndimore! Mesazhi i vazhdueshëm i Serbisë ka qenë gjithnjë “Na pranoni kështu si jemi, ose ndryshe ne shkojmë me Rusinë“! Në Europë, saktësisht në Bruksel, ka me shumicë politikanë që besojnë se Serbisë i duhet ofruar vetëm karrota, me qëllim që ajo të atashohet me Perëndimin dhe të mos shkojë me Rusinë dhe Lindjen. Madje edhe në SHBA vitet e fundit është përhapur kjo thagmë. Sipas së cilës “Serbisë i duhen bërë lëshime, me qëllim që ajo të mbajë kursin perëndimor euro-atlantik”! Beogradi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kanë arritur që t’i gënjejnë politikanët e Brukselit dhe disa në Uashington me premtimin se Serbia do të jetë aleat i tyre. Por “na duhet kohë”, thotë Vuçiq. “Serbët nuk kuptojnë, duhet t’i bindim që të anojnë nga perëndimi e jo nga Rusia”! Këto servirje hipokrite i besojnë në kryeqytetet europiane. Disave u pëlqen kjo lojë, sepse duan që të fitojnë kohë për të penetruar vetë në Ballkan. Në këta disa, futet Franca”, thotë ai.

Sipas tij, tani europianët hapin sytë dhe thonë “Si guxuan politikanët e Beogradit të mos solidarizohen me sanksionet kundër Rusisë”?! “Si është e mundur që Beogradi të mos e dënojë agresionin rus kundër Ukrainës“?!

“Po ja që vjen një moment dhe Serbisë i duhej ta tregonte fytyrën e saj të vërtetë. Megjithatë edhe në këtë rast Vuçiqi e ka gjetur rrenën e radhës: “Dëgjoni, ne nuk mund të dënojmë Rusinë dhe t’i vendosim asaj sanksione, sepse jemi në fushatë zgjedhore dhe elektorati do të votonte forcat ekstreme nacionaliste“?! Një lojë intriguese për naivët europianë. Besojnë se presidenti i Serbisë mbas zgjedhjeve do ta ndryshojë kursin anti-rus të Serbisë!!!

Prandaj dhe nuk pres që Bashkimi Europian dhe SHBA-të të vendosin sanksione kundër Serbisë deri nga mesi ose fundi i prillit, edhe pse dikush e kërkon këtë kasë ndaj saj. Por deri në fund të prillit unë besoj se kriza në Ukrainë do të ketë filluar të zgjidhet. Ndoshta deri atëherë do të ketë një marrëveshje parimore midis Putinit dhe Zelenskit. Në atë moment askush nuk do ta ketë mendjen te Serbia dhe refuzimi që ajo i ka bërë sanksioneve europiane e amerikane kundër Moskës. Kësisoj unë nuk besoj në ndonjë mrekulli, nga e cila Serbia do të dalë e ndëshkuar”, shton ai.

Bytyçi pohon se, presidenti i Serbisë ka miq në Europë.

“Miqtë më të mëdhenj të tij janë dy liderët autokratë, Viktor Orban dhe Edi Rama. Të dy këta e mbrojtën pozicionin serb në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Por miq të Beogradit ka kudo në Europë. Para së gjithash në Paris, por edhe në Romë dhe në Vjenë. Tolerimet ndaj politikave anti euro-atlantike të Serbisë diktohen nga qëndrimet e ndryshme të shteteve dhe fraksioneve të ndryshme europiane. Prej dy dekadash Serbia armatoset nga Rusia, Kina dhe vende të tjera jashtë hapësirës euro-atlantike. Ndërkaq edhe kjo tolerohet nga strukturat europiane dhe të NATO-s. Ndonëse NATO e bombardoi Serbinë për ta dëmtuar në forcën e saj ushtarake, me qëllim që të mos bëhej më rrezik për vendet fqinje të saj, tani duket se janë pajtuar me garën e armatimit të Beogradit. Serbia harxhon një buxhet ushtarak më të madh se pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Ai shprehet se Evropa dhe Perëndimi nuk reagojnë as nga vendosja e trupave ushtarake ruse në territorin serb e të Republikës Srpska.

“Nuk reagojnë se në Nish funksionon një repart ushtarak spiunazhi rus kundër BE-së dhe NATO-s dhe kundër paqes e stabilitetit në rajon. Nuk protestojnë dhe nuk e sanksionojnë Serbinë, pse ajo po mbështetet vazhdimisht në strategjinë ushtarake e gjeopolitike të Rusisë. Dhe e gjitha kjo ndodh, sepse kanë frikë nga Serbia. Se mos ajo nuk pranon të integrohet në Bashkimin Europian. Vërtet nuk është mirë që një enklavë euro-aziatike të krijohet në qendër të Ballkanit, në Serbi. Por besoj se përkëdhelja që i bëhet Serbisë e nxit atë të bëjë edhe më tej të llastuarin. Nuk e di se si nuk kuptojnë që Beogradi e ka të pamundur të jetë enklavë euro-aziatike në zëmër të Europës. Serbia është e rrethuar nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Ajo mund të qëndrojë jashtë NATO-s, por e lidhur në një partneritet për paqe. Por, nuk mund të qëndrojë e izoluar si enklavë. Kjo është e pamundur. Pikërisht këtë nuk e besojnë në Bruksel”, përfundon Bytyçi.

Kosova do duhej ta shfrytëzojë këtë momentum

Image
Analisti politik Gani Qarri

Ndërsa analisti politik Gani Qarri, thekson se, pikërisht për shkak të raporteve me Rusinë dhe mos vënies së sanksioneve udhëheqjes ruse të Vladimir Putinit, Kosova do duhej ta shfrytëzonte këtë momentum, që t’i vendoste sanksione Serbisë dhe bojkotonte tërësisht importimin e mallrave të saj, me parat e të cilave Serbia ndërmerr çdo veprim të mundshëm kundër shtetësisë dhe sigurisë publike të Republikës së Kosovës, duke manipuluar me pakicën serbe për ngritjen e tensioneve në vendin tonë.

“Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se kursi prorus i Serbisë tani mbështetet vetëm te Vuçiqi, dhe te asnjë udhëheqës, qeveri, apo shtet tjetër në Ballkan, Kosova duke qenë e rrezikuar drejtpërsëdrejti nga kursi prorus i Vuçiqit, do duhej të bëhej nismëtarja e parë për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, kur shihet publikisht se është pikërisht Vuçiqi ai i cili ktheu dashurinë e serbëve për Rusinë në faktor gjeopolitik”, thotë ai.

Sipas tij, vet mitingu masiv në përkrahje të Rusisë, i organizuar në Beograd më 4 mars, parullën parësore e kishte; “Rusia-Serbia dhe nuk na duhet BE”, me të cilën krenohej edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov!

“Për aq më tepër kur të kihet parasysh fakti se po ashtu tashmë ka zëra që edhe SHBA ti vendosë sanksione Rusisë, Kosova nuk guxon të heshtë, por të veprojë konform situatës dhe zhvillimeve aktuale, duke ndërmarrë të njëjtat masa kundër Serbisë okupatore, e cila kurrë nuk ka hequr dorë nga agresioni kundër Kosovës, dhe për çdo ditë dëshmon publikisht, se ka të njëjtat plane okupuese ndaj vendit tonë, njëjtë si Rusia ndaj Ukrainës! Madje eksperti i politikës së jashtme dhe zhvillimeve në Ballkan, Jason Steinbaum, thotë se administrata amerikane mund t’i vë sanksione Serbisë, për shkak të blerjes së armëve ruse nga Beogradi, gjë që do të ishte rast ideal edhe për shtetin e Kosovës, që tu bashkohet sanksioneve të SHBA-së, dhe kundërvihet me kohë, qëllimeve agresive dhe pretendimeve territoriale ndaj vendit tonë, Serbisë okupatore”, përfundon ai.

Bashkësia ndërkombëtare po rrinë pasive në trajtimin e sjelljeve serbe

Image
Analisti politik dhe juristi Blerim Burjani

Kurse, analisti politik dhe juristi Blerim Burjani, thekson se BE-ja po i vëzhgon sjelljet e Serbisë dhe po rrinë pasive.

“Bashkësia ndërkombëtare më tepër po i vëzhgon sjelljet e Serbisë dhe po rrinë pasive në trajtimin e sjelljeve serbe. Kurse Vuçiqi po merret me demagogji vendore dhe ndërkombëtarët po thonë është për paqe dhe stabilitet në moton e tij në fushatë zgjedhore. Kjo i bie me i qitë hi syve bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Burjani.

Ai shton se tashmë të gjithë e dinë rolin e Serbisë.

“Serbia dhe Vuçiqi po frikësohen përballë bashkësisë ndërkombëtare, po tenton me u gjet mirë karshi problemit Rusi-Ukrainë. Tash nuk i vendosi sanksione Rusisë, por frika e ka kapluar për këtë. Në anën tjetër tenton me u dukë paqësor edhe pse ai nuk është për paqe, por për ekspansion”, përfundon Blerim Burjani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat