Përderisa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zgjodhi heshtjen, në samitin e NATO-s që u mbajt javën e kaluar, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka propozuar që Kosova të integrohet në NATO dhe të bëhet më në fund shtet i plotë.
“Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha presidenti kroat, Zoran Milanoviq.
E kjo thirrje e Milanoviqit nuk e gjeti edhe mbështetjen e Edi Ramës, i cili në vend së të bëjë thirrjen e njëjtë për Kosovën, ai u përkujdes që ta lëvdojë Serbinë, për çka mori edhe lëvdata nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Lidhur me heshtjen e Ramës, për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.
“Edi Rama është i madh për punë të vogla si futja e Kosovës në NATO. Ai nuk merret me vogëlsi si presidenti i Kroacisë që propozoi që Kosova të hyjë në NATO. Nuk e dimë a luan me dy poenta apo çfarë e bëri Ramën të heshte në samitin e fundit special të NATO-s, kur ishte rasti të fliste me zë të lartë për Kosovën ashtu siç bëri të paktën presidenti kroat”, thotë Shahu.
Sipas tij, nuk dihet se çfarë ekuilibrash ruan Rama, apo çfarë droje ka prej presidentit serb Vuçiq.
“Raste te tilla si samiti i fundit i NATO-s nuk ndodhin përditë, janë raste të rralla dhe politikani mbetet në histori. Heshtja e Ramës mos prononcimi i tij është shkruar po aq shumë sa është shkruar e folura apo propozimi i presidentit kroat për Kosovën. Askush nuk guxon t’i thotë Edi Ramës së nuk e do Kosovën por njerëzit shtangen kur flet më shumë e bën më shumë presidenti i Kroacisë për Kosovën se sa Edi Rama i Shqipërisë. Njerëzit dashamir të tij heshtin dhe ngrënë supet të çuditur”, deklaron më tej Shahu.
“Po njerëzit duhet ta kuptojnë tashmë se Edi Rama është i madh për tu marrë me punë të vogla si Kosova apo Shqipëria, ai merret me planetin, me shuarjen e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Liderët e mëdhenj si Rama kane fatin të mbajnë mbi supe globin”, përfundon për “Bota sot” publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.