Lufta në Ukrainë, pushtimi rus i saj, i zbuloi aleancat e vërteta të shqiptarëve dhe serbëve. Koha dëshmoi se taktika serbe edhe me Perëndimin edhe me Lindjen, ishte mashtrim. Serbia, thelbësisht ishte me Rusinë, ndërsa përfitonte nga Perëndimi, si në Bosnje, që arriti ta krijojë Republikën serbe me 49% të territorit, që sot dëshiron ta pavarësojë qoftë edhe me një luftë, atje.
Serbëve në Kosovë u ka krijuar realisht status special, pavarësi në pushtet lokal me decentralizimin dhe trashëgiminë kulturore fillimisht në Pakon Ahtisari, dhe më pas të drejta edhe më të veçanta me marrëveshjet në Bruksel, për polici, gjyqësi etj, si dhe me një asociacion dhe eventualisht me të drejta të tjera, ata mund të sigurojnë të drejtën deri në shkëputje.
Por, lufta në Ukrainë ka nxjerrur në pah Serbinë e vërtetë te shumë shtete perëndimore, kur refuzoi sanksionimin e Rusisë për agresionin në Ukrainë, madje as nuk mbështeti sanksionet e vendeve të tjera.
Serbia tani për tani të vetmen mbështetje e sheh Rusinë, nëpërmjet së cilës, ajo e ‘garanton’ fabulën se “Kosova do t’i kthehet Serbisë”.
Ivica Daçiq ka thënë se pa Rusinë e kanë vështirë ta “shpëtojnë Kosovën”, megjithëse e di që Kosova tashmë është shtet i pavarur.
“Ne duhet të shmangim të qenit irracional dhe emocional për situatën aktuale. Nëse jemi të gatshëm të heqim dorë nga Kosova, atëherë mund të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Si do ta mbrojmë Kosovën pa aleat? Nuk e vura re se Kemi një aleat të ri. Sanksionet kundër Rusisë nuk do ta dëmtojnë Rusinë, por Serbinë”, deklaroi Daçiq.
Duhanaj: Serbia di mirë se Kosovën e kanë humbur që nga viti 1999 dhe këtu nuk do të ndryshojë asgjë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/02/auto_711648900904.jpg)
Këto qëndrime të Serbisë, sipas Leon Dunahajt në një prononcim për “Bota sot” thotë se ajo ka investuar shumë për ta sabotuar shtetësinë e Kosovës nëpërmjet mënyrave të ndryshme.
“Serbia, përkatësisht politika zyrtare e di mirë se Kosovën e kanë humbur që nga viti 1999 dhe këtu nuk do të ndryshojë asgjë. Mirëpo, përgjatë këtyre dy dekadave, Serbia ka investuar shumë që ta sabotoj shtetësinë e Kosovës, nga njëra anë përmes kontrollit të plotë, qoftë strukturave paralele, qoftë edhe shumicës së komunitetit serb në Kosovë, diku me hatër, e diku me dhunë. Përderisa nga ana tjetër përmes agjenturave pansllaviste të rrymave të ndryshme, të cilat janë të instaluara në Kosovë dhe përdorin elementin shqiptarë për dezorientim dhe dezintegrim të Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, Rusia është ajo e cila ka kontrolluar dhe vazhdon të kontrollojë agjenturat pansllaviste e islamiste në botë dhe në Kosovë. Ai deklaron se me luftën që po ndodh në Ukrainë, politika në botë po ndryshon, e që do të ndikojë dhe në Ballkan.
“Në këtë luftë më shumë hibride, rol kyç ka luajtur Rusia e cila e ka kontrolluar dhe kontrollon shumicën e këtyre agjenturave pansllaviste e islamiste në botë dhe në Kosovë. Tani që nga viti i kaluar kur kemi një përkushtim më të ngjeshur amerikan në rajon, e sidomos tash pas agresionit rus mbi Ukrainën, situata gjeopolitike globale po ndryshon shumë dhe do të ketë impakt të madh edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Serbia e di këtë dhe është e vetëdijshme se roli dhe situata e saj do të përkeqësohet dukshëm. Në këtë kontekst, politika serbe do të bëj përpjekje të gjejë rrugë të reja, duke u munduar të mbaj balancën, por më shumë të ofrohet kah Perëndimi. Këtë e kanë dëshmuar edhe me votimin e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara kundër Rusisë. Për fat të keq, këtë shans të ri, Kosova, përkatësisht institucionet e saj po e shpërfillin”, shprehet ai.
Në fund, shton se institucionet e Kosovës do të duhej të kërkonin ofensivë të re diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, madje edhe në NATO.
“Në vend që ta shfrytëzojnë për një ofensivë të re diplomatike ku do të kërkonin anëtarësim në organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Europës, etj. Të kërkonin mbështetje nga QUINT që të ndikonin tek pesëshja mosnjohëse europiane që ta njohin Kosovën, me ç'rast do të hapeshin rrugë të reja për integrim europian si dhe në NATO. Fatkeqësisht Qeveria, dhe Presidenca e kanë zgjedhur rrugën e konfrontimit në vend të asaj të bashkëpunimit me QUINT. Në vend që presioni të bie mbi Serbinë Kosova po kujdeset që këtë presion ta bartë mbi supet e saja, përderisa po i ndihmohet Vuçiqirët dhe Serbisë të paraqiten si konstruktiv dhe ta gjejnë rrugën drejtë ripozicionimit si partner serioz, përderisa Kosova e luan rolin e një plëngprishësi”, përfundon ai për “Bota sot”.
Muhamet Kelmendi: Nuk po kritikohet Serbia, Kosova po shikohet në dylbi
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/02/auto_721648900907.jpg)
Juristi Muhamet Kelmendi thotë se edhe pse Serbia po mban anën e Rusisë, ajo nuk po ndëshkohet nga BE-ja, kurse të gjitha veprimet e Kosovës po kritikohen ashpër.
“Bashkimi Evropian ka fërkime të dukshme sa i përket raporteve me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tyre në këtë bashkim. BE nuk po vepron në unitet as sa i përket Ukrainës. E tërë çështja e Kosovës varet nga dialogu me Serbinë. Kosova doli hapur në anën e NATO-s dhe të BE-së për agresionin rus në Ukrainë. I pranojnë edhe sanksionet e BE-së dhe te shtetet tjera ndaj Rusisë. Ndërsa, Serbia nuk po i aplikon sanksionet dhe pothuajse është në anën ruse dhe, megjithatë, për BE nuk ka ndryshuar gjë. Nuk po kritikohet Serbia. E Kosova shikohet në dylbi. Çdo veprim i Prishtinës analizohet dhe kritikohet ashpër. Ky dualizëm në qëndrime dhe shkelja e parimeve të BE-së është i dukshëm në raport me Kosovën".
Sipas tij, Serbia udhëhiqet nga kriminelë dhe të njëjtit po respektohen nga BE-ja. “Përgjegjësia e shtetit serb për gjenocidin në Kosovë nuk është realizuar. Pothuajse nuk kemi ndonjë përgjegjësi. Kjo, as individuale dhe as kolektive si shtet. Serbia dhe udhëheqja e saj me Vuçiqin po i mbajnë kriminelët afër vetes. Serbia i mban dhe i avancon. Shumë prej tyre janë në pushtet në Serbi. I tillë është Vuçiqi dhe Daçiqi”, nënvizon ai.
Në fund, Kelmendi shprehet se me gjithë këto veprime serbe, Ballkani dhe kryesisht Kosova po kërcënohen me agresion serb.