Siç duket, Rusia nuk e ka ndërmend ta ndalë luftën në Ukrainë, ku më shumë se një muaj ka kryer sulme shaktërrimtare, bombardime dhe vrasje të shumta.
Megjithatë, ukrainasit nuk kanë qëndruar të ‘heshtur’, pasi i janë kundërpërgjigjur mjaft mirë forcave ruse, duke vrarë qindra ushtarë dhe disa gjeneralë të lartë të Rusisë.
Krahas kësaj, konflikti në Ukrainë ka nxitur frikë dhe shqetësime edhe në Ballkanin Perëndimor, pasi po përflitet për një përhapje të konfliktit edhe në këtë rajon, veçmas në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
E për ndikimin e luftës Rusi-Ukrainë ka folur edhe ish-komandanti amerikan i NATO-s, Wesely Clark.
Ai u shpreh se janë të qarta tendencat e Putinit për destabilizim të sigurisë në Ballkan.
Madje, Clark shpreson që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në NATO.
“Shihet qartë që Rusia është e interesuar në destabilizimin e Ballkanit, por kjo s’ka ndodhur deri më tani. Bashkimi Evropian ka përforcuar prezencën në Bosnje dhe z.Dodik është paralajmëruar dhe sanksionuar atje. Serbia po përpiqet të divorcohet nga idetë e vjetra të pansllavizmit dhe imperializmit dhe të kalojë në botën moderne; shpresojmë që kjo mund të ndodhë. NATO-ja është e gatshme të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në rajon; Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO”, deklaroi Clark.
E këtë deklaratë të gjeneralit e komentuan ekspertët e çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava dhe Drizan Shala.
Tërnava: Një deklaratë e një autoriteti si Klark, nuk thuhet edhe rastësisht apo pa bazë
Fillimisht, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tëranava në prononcimin e tij për “Bota sot” përmendi aleancën e fortë të Serbisë me Rusinë dhe shtetet të cilat kërcënohen nga konflikti në Ukrainë.
“Rrethana e situatës së tanishme luftarake që po zhvillohet lufta e pandërprerë që një muaj e më tepër mes Rusisë dhe Ukrainës, e që janë në zhvillim e sipër, dhe ka mundësi të zgjerimit të luftës edhe në shtete tjera, e shpesh përmendet Ballkani Perëndimor e sidomos shtetet për rreth Serbisë, sikur që janë Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe shtete të tjera, e kur dihet që si i vetmi shtet Serbia është në përkrahje dhe aleat i Rusisë”, deklaroi ai.
Po ashtu, Tërnava e potencoi faktin se Kosovën e ruan KFOR-i që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, ku në krye të kësaj aleance ishte Ëesley Clark.
“Rrethanat në të cilat po jetojmë tani, e kur është fjala për shtetin tonë të Kosovës, sikur që dihet që në vitin 1999 me luftërat që u zhvilluan mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve e në krye me Amerikën dhe NATO-n, si aleanca të shteteve Perëndimore ku në krye të kësaj aleance ishte Ëesley Clark, Serbia u bombardua 78 ditë deri në kapitullimin e saj që u arrit me nënshkrimin e vendimit të Kumanovës, dhe që nga atëherë e deri më tani sigurinë territoriale të Kosovës e ruan KFOR-i, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila edhe sot e kësaj dite është në fuqi”, theksoi eksperti i sigurisë.
Më tej, ai u shpreh se krahas rrethanës luftënxitëse në të cilën tani gjendet bota, NATO-ja do t’i përshpejtojë procedurat për anëtarësimin e Kosovës dhe shteteve që nuk janë pjesë e saj.
Kurse, sa i përket deklaratës së Clark për anëtarësimin e Kosovës, Tërnava e vlerëson si jo të rastësishme.
“Por, Kosova tani e ka shpall Pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe tani ajo i ka institucionet e saj shtetërore si tjerat shtete që i kanë, prandaj e ka policinë e saj, rreth 9000 policë si dhe ushtrinë e saj FSK-në, e cila në shumë raste zhvillon stërvitje të përbashkëta edhe me NATO-n, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Rrethana luftënxitëse në të cilën tani gjendet bota, e që e shpjegova më lartë, do ta ndryshojnë të ardhmen edhe rrjedhat e sigurisë botërore, dhe shumë nga ato shtete të deritashme që gjenden në Evropë e nuk ishin anëtare të NATO-s, në mënyra më të përshpejtuara do t’iu jepet rasti i anëtarësimit në këtë aleancë të përbashkët të NATO-s. Kështu që, jo rastësisht edhe ish kreu i NATO-s, Ëesley Clark tha: “Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO”. Prandaj një deklaratë e një autoriteti si Clark, nuk thuhet edhe rastësisht apo pa bazë”, nënvizoi Tërnava.
Në fund, eksperti i sigurisë beson se sikur gjenerali Clark edhe shtete mike do ta ndihmojnë Kosovën për anëtarësimin e përshpejtuar në NATO.
“Në këto rrethana të tilla të krijuara, Kosova me miqtë-aleatët e saj duhet të jetë në harmoni të përbashkët dhe në angazhimet e përpikta çfarë e referojnë miqtë tonë të cilët e treguan veten në ato çaste më të vështira, ku kontribuuan që të çlirohemi nga armiku shekullor për vendin tonë, e që na u gjenden pranë me ato bombardime deri në çlirimin e vendit tonë, dhe sot shteti i jonë e gëzon shtetësinë e saj, si shtet i pavarur. Sikur që edhe vetë Clark ishte njeriu i parë i kësaj aleance, e që shpreson se së shpejti Kosova do të ftohet për anëtarësimin në NATO, edhe që për një anëtarësim të tillë ekzistojnë procedurat e parapara, por shtetet mike do të na gjenden edhe tani pranë, dhe do të na ndihmojnë që t’i shpejtojnë ato procedura të parapara dhe do të na pranojnë në atë aleancë të përbashkët, e që edhe të rinjtë tonë do të kontribuojnë në ato luftëra në tërë botën, me pjesëmarrjen e tyre dhe në harmoni s’bashku me ta, aty ku është nevoja si aleat të NATO-s”, përfundoi Tërnava për “Bota sot”.
Shala: Kosova duhet që ta përmbyllë procesin e saj të planit gjithëpërfshirës që ka para vetit FSK
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala në prononcimin e tij për "Bota sot" tha se Kosova duhet ta përmbyllë procesin e arritjes së kapaciteteve nga FSK-ja.
“Kosova duhet që ta përmbyllë procesin e FSK-së, planit gjithëpërfshirës që e ka para vetit Forca, për t’i arritur të gjitha kapacitetet e transformimit në FAK”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, eksperti i sigurisë thotë se anëtarësimi në NATO është një proces që do të marrë kohë, madje ai thotë se FSK-ja është faktor stabiliteti dhe jo siç pretendon Beogradi.
“Pra, nga një proces teknik operacional që do ta merr kohën e vetë duhet tani që karshi kësaj të avokojë në arenën ndërkombëtare për një pasqyrë, e cila FSK-në e paraqet si faktor stabiliteti e jo siç pretendon Beogradi te anëtarët e BE-së që janë neutral me statusin e Kosovës dhe që janë pjesë e NATO-s”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.