Serbia edhe Rusia vazhdojnë të kenë raporte speciale. Kjo tashmë është dëshmuar edhe me fillimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Përkundër presioneve ndërkombëtare, Serbia nuk ka vendosur asnjë sanksion për Rusinë, përkundrazi ajo e ka mbështetur dhe po ashtu vazhdon të përfitojë nga Moska, duke marrë disa produkte me çmim po aq të lirë, sa para fillimit të pushtimit të Ukrainës, psh. gazin.
Ndërkaq, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev, ka folur për një marrëveshje sekrete mes Rusisë dhe Serbisë.
Ku i është referuar një takimi sekret të liderëve të këtyre dy shteteve. Oficeri i inteligjencës së Putinit, Patrushevi, ia ka kujtuar obligimet Vuçiqit dhe Serbisë ndaj Rusisë e Putinit. Po ashtu Daçiqi vazhdon t’i thur lavde raporteve me Rusinë, dhe ta shohin shpresën, se me Rusinë mund ta mbajnë peng të ardhmen e Kosovës.
Ndërsa, pak ditë më parë ministri i Mbrojtjes Vulin, u kërcënua me luftë ndaj Kosovës. Lista e bashkëpunëtorëve të Rusisë dhe Putinit është e gjatë, përfshirë faktin se Serbia është i vetmi vend europian që ka dërguar mercenarë të luftojnë kundër Ukrainës! Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë.
A duhet që Perëndimi t'i sanksionojë edhe këta politikanë serbë sikurse ata rusë?
Ekspertët kanë analizuar këto raporte ndërmjet Rusisë dhe Serbisë. Ata shprehen se këto raporte nuk kanë ndryshuar që nga koha e Milosheviçit. Sa i përket, marrëveshjes që thuhet se është nënshkruar nga udhëheqësit e Serbisë dhe Rusisë duhet që të zhvillohen hetime.
Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se cili është gabimi i BE-së karshi Serbisë.
“Bashkësia ndërkombëtare i ka mbyll sytë karshi së vërtetës, duke menduar së afrimi i Serbisë drejt BE-së është largim nga Rusia, e që unë besoj se është një gabim i madh, sepse Serbia dhe politika atje nuk e kuptojnë realitetin pa i ndëshkuar, e që edhe Perëndimi duhet t`i ndëshkojë duke i kthyer disa hapa mbrapa, mos të themi në pikën zero, duke ia djegur kartën e BE-së”, thotë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka e ka komentuar edhe marrëveshjen e sekrete e cila thuhet se është bërë nga Rusia dhe Serbia.
“Rusia pak kohë para se të fillonin sulmet mbi Ukrainë kishte bërë një marrëveshje me Serbinë dhe liderin serb në Bosnje, e që bashkësia ndërkombëtare ishte dashur t`i hetoj këto marrëveshje, e jo ta kërkoj përsëri Serbinë të hyjë në shtëpinë e madhe të BE-së me këtë frymë fashiste, sepse kjo po tregon se Serbia akoma s`ka dalë nga ajo politika kriminale e Milosheviçit”, thotë ai.
Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë nga koha e Milosheviçit për sa i përket ndikimit rus.
“Se Serbia është totalisht e varur nga ndikimi rus kjo nuk është sekret. Shumica absolute e politikanëve serb janë nën këtë ndikim, pasi që edhe vetë masa popullore përfaqëson këtë sferë të ndikimit.
Serbia nuk ka ndryshuar asgjë nga koha e Milosheviçit për sa i përket ndikimit rus në bërjen e opinionit publik në Serbi. Pra, për ta ndryshuar këtë gjendje së pari duhet të çlirohet bota mediatike në Serbi, e më pas të çlirohet edhe populli serb nga manipulimet mediatike. Tek pastaj mund të priten edhe ndryshime politike ku qytetarët do të përkrahnin politikan pragmatik e liberal që edhe në Serbi ka mjaftueshëm, por hapësira e veprimit të tyre është shumë e hollë”, thotë ai.
Duhanaj ka treguar se si mund të ndryshojë qasja e Serbisë për Rusinë.
“Nuk mendoj që çelësi duhet të jetë ndëshkimi i Serbisë përkatësisht popullit serb, por shkëputja e ndikimit rus ndaj tyre. Ndoshta kjo që po ndodhë në Ukrainë e që unë besoj fortë, do të sjellë ndryshimet e duhura edhe në Serbi e rajon.
Jam i bindur se me rënien e ndikimit rus edhe vet presidenti Vuçiq do të ndryshojë qasje në qëndrimet e tij.
Ndryshimet e duhura në këtë drejtim tashmë janë duke ndodhur. Për ne shqiptarët është me rëndësi që fokusin mos ta orientojmë duke kërkuar ndëshkimin e serbëve, por në rritjen e dashurisë ndaj vetvetes”, ka deklaruar ai.
A është Kosova e kërcënuar?
Sipas tij, Kosova nuk ka kërcënim real ushtarak nga Serbia.
“Ne duhet ta duam vendin tonë, ta respektojmë njëri-tjetrin, të jemi bashkëpunues mes veti dhe me përkrahësit tanë ndërkombëtarë. Ne nuk kemi më kërcënim fizik nga Serbia. Kërcënimi që na kanoset është i ngjyrave ideologjike, i cili zgjerohet hovshëm përmes agjenturave pansllaviste e që në këtë segment rol kyç luajnë shërbimet sekrete ruso-serbe dhe aziatike.
Shqiptarët duhet të mobilizohen ta mbrojnë qenien e tyre karshi krizës identitare, e cila si pasojë e investimeve marramendëse të këtyre agjenturave, po zbehet dita ditës”, përfundon Duhanaj.